Meta: Shenjtërimi i Nënë Terezës, më i nevojshëm se kurrë për botën e sotme

445
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta përshëndet miratimin nga Ati i Shenjtë Papa Françesku të datës së shenjtërimit të Nënë Terezës, nënës shqiptare që jetën e saj e vuri në shërbim të plotë të të varfërve dhe njerëzve në nevojë. Nënë Tereza dhe akti vetëmohues e sublim i jetës së saj mishëron më së miri vlerat e jashtëzakonshme të një murgeshe katolike me origjinë shqiptare, e cila u dha bukë të varfërve, shpresë të sëmurëve, buzëqeshje të trishtuarve dhe rrezatoi mirësi në botë të mbushur me fatkeqësi e boshllëk shpirtëror. 
Mbi të gjitha, shenjtërimi i Nënë Terezës më 4 shtator 2016, jep mesazhin e paqes, mirësisë dhe dashurisë, vlera që në botën e sotme plot me pasiguri, kriza të njëpasnjëshme, akte terroriste e fatkeqësi natyrore, janë më të nevojshme se kurrë. Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta thekson se “për kombin shqiptar, shenjtërimi i Nënë Terezës përfaqëson një krenari kombëtare dhe një reflektim të vlerave tona të solidaritetit njerëzor dhe të kujdesit ndaj të pamundurve, ndaj shpreh mirënjohjen e thellë për miratimin nga Ati i Shenjtë i datës së shenjtërimit të kësaj nëne të shenjtë”. 
Sigal