Meta: Rilindja, mavija e krimit dhe korrupsionit që shkatërroi shtetin

497
“Edi Rama nuk pati vullnet për të bërë shtet por qamet. Si fluturuan avionët e drogës dhe Shqipëria u kanabizua. Rilindja përdhosi institucionet, mashtroi qytetarët për katër vite”
Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një miting elektoral në Durrës ku morën pjesë mijëra qytetarë. Përveç kandidatëve për deputetë të qarkut Durrës, të pranishëm ishin edhe kryetari LSI-së, Petrit Vasili dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. 

Në fjalën e tij para qytetarëve durrsakë, Ilir Meta tha se të gjithë shqiptarët janë ngritur në këmbë, sepse taksat e tyre dhe borxhet që merren në emrin e tyre nuk mund të shpenzohen më për rrush për kumbulla, për palma, për beton dhe për fasada. 

“Ato do të shpenzohen për të hapur 170 mijë vende të reja pune. Taksat e larta të Rilindjes vranë vendet e punës, dëmtuam dhe shkatërruan mbi 20 mijë biznese, dhe ndërkohë që shumë hallexhinj u burgosën u dhunuan, oligarkët me vendime dhe më akte të Rilindjes i fshinë borxhet që kishin ndaj OSHEE-së dhe ndaj Tatimeve. Ajo që na u paraqit si Rilindje ishte mavija e krimit, e korrupsionit dhe e kapjes së shtetit. Iku koha kur Shqipëria qeverisej me tuta dhe me batuta. Shqipëria dhe Durrësi kërkojnë vizion, kërkojnë transparencë, kërkojnë përgjegjshmëri dhe kërkojnë dashuri për qytetarët më të thjeshtë të këtij vendi që vuajnë më shumë dhe që kanë nevojë për mbështetje dhe kujdesin më të madh të shtetit dhe të qeverisë”, tha Kryetari i Kuvendit, se LSI-ja është një energji pozitive për të gjithë shqiptarët, të cilët nuk i ndan shqiptarët në jugorë e veriorë, në qytetarë të kategorisë së parë dhe në qytetarë të kategorisë së fundit. 

“LSI-a është energjia më integruese e të gjithë shqiptarëve, më përbashkuese, më gjithëpërfshirëse. LSI-a është forcë e integrimit. Jo rastësisht ne jemi forca e parë në minoritetin grek. Jo rastësisht i gjithë komuniteti maqedonas në Shqipëri mbështet LSI-në dhe përfaqësohet në listat e LSI-së. Sepse ne i duam, i respektojmë të gjithë qytetarët e Shqipërisë pa dallim”, – deklaroi ndër të tjera Ilir Meta. “Ju e dini shumë mirë që nuk pati vullnet për të bërë shtet, por për të bërë qamet. Ata që flasin për zbatimin e ligjit, a nuk ishin ata që donin të fshihnin para Durrësit dhe Shqipërisë aeroportin e drogës që kishin bërë në Ishëm, kur u ra piloti me gjithë kanabisin, sepse si tamahqarë që janë kishin ngarkuar kanabis më shumë se sa duhet tek avioni. Për një dritare pa leje, që një banor në Sukth apo një banor në Ishëm, i shkon policia e merr e keqtrajton, e dhunon, por për aeroportin e Ishmit nuk u shkarkua askush, nuk u ndëshkua askush. A nuk e di gjithë populli i Durrësit se si janë vrarë njerëzit në mes të këtij qyteti dhe askush nuk ka mbajtur përgjegjësi, sepse policia në vend që të zbatonte ligjin u bë palë me bandat kundër njëra-tjetrës dhe kundër qetësisë dhe sigurisë publike. A nuk e di gjithë Durrësi, për atë që flet për portin e Durrësit, se kush i fik skanerat e Doganave ku kalon droga për në Itali e kush ka mbajtur dhe mban përgjegjësi për këto akte mafioze”, tha Meta.
Sigal