Meta: Reforma në Drejtësi do të miratohet me konsensus, sipas rekomandimeve të Venecias dhe propozimit të Nuland

52
Duket se reforma në drejtësi ka qenë kryefjala. Ju jeni takuar në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë, së bashku me kreun e Partisë Socialiste dhe me kreun e Partisë Demokratike dhe keni mandatuar tre ekspertë, të cilët janë duke punuar edhe në këto momente. Sipas informacioneve që kam unë, duket se diskutimet po shkojnë mirë. Kjo do të thotë se keni rënë dakord në parim që të kalojë apo të mos kalojë reforma në drejtësi?

Besoj se reforma në drejtësi do të kalojë dhe angazhimi im ka qenë dhe do të mbetet deri në fund që kjo reformë të kalojë me konsensus…
Kjo reformë do të kalojë me bindje, apo është një përfundim që vjen nga bisedimet e sotme?

Së pari, këtë e kam pasur një bindje prej kohësh. Mu lëkund pak javë më parë, por pas takimit të sotëm me Kryeministrin Rama dhe me kryetarin e opozitës, zotin Basha, jam shumë i bindur se jemi shumë pranë konsensusit për reformën në drejtësi.

Thatë që iu është rikthyer bindja që reforma në drejtësi do të kalojë pas takimit të sotëm. Duhet të përzinit z. Lu dhe znj. Vlahutin që të arrinit në përfundimin se reforma do të kalojë, se, për sa kohë ishin ata në takime, nuk kalonte? Do të kalojë drafti hibrid, i propozuar nga ndërkombëtarët apo ndonjë draft që është rakorduar ndërmjet jush, z. Rama dhe z. Basha?

Jo, drafti që është diskutuar është ai hibrid dhe unë besoj se ai draft, bazuar edhe në qëndrimet publike të zonjës Nuland dhe qëndrimet e sotme publike të zotit Flekenshtajn, i cili erdhi edhe në emër të raporterit tjetër të Parlamentit Europian, pra të grupit të djathtë të Partive Popullore Europiane, të zotit Kukan, është tërësisht i mundshëm për t’ua arritur konsensusi. 
Atëherë, çfarë diskutojnë? Një “po” dhe një “jo” është, çfarë diskutojnë ekspertët që kanë katër orë që janë mbyllur dhe çfarë diskutuat ju për dy orë?
Unë mendoj se, duke pasur parasysh frymën pozitive të takimit të sotëm, nëse z. Flekenshtajn me zotin Kukan do të ishin angazhuar vetëm një fundjavë pas rekomandimeve finale të “Venecias”, kjo çështje do të ishte zgjidhur dhe tani reforma do të kishte filluar të implementohej. Pra, mendoj se ka qenë më shumë një atmosferë komunikimi…
Keqkuptim…

… pak telefon i prishur dhe një frymë…

Pse në këtë pikë është politika shqiptare, z. Meta, që punon telefon i prishur dhe nuk kuptohet, mjafton të vijë një ndërkombëtar për dy orë, të kthejë dhe t’ju bindë sesi duhet votuar?

Kjo pa dyshim që është një përgjegjësi e politikës shqiptare, e cila duhet të marrë më shumë përgjegjësi dhe unë besoj se edhe takimi i sotëm është një rast i mirë për ta demonstruar këtë përgjegjshmëri.
Kryeministri i vendit dhe kreu i PS-së nuk mu duk se ruante të njëjtën qetësi si ju. Ai është shprehur “pak kohë na ndan nga një moment, që uroj të jetë momenti i bashkimit të të gjithëve, por që mund të jetë edhe momenti dramatik i një ndarjeje të re. Pra, ndarje mes atyre që janë të vetëdijshëm në atë Parlament, pse janë aty dhe që përfaqësojnë ambicien e popullit për t’u çliruar nga kthetrat e atyre që po bëjnë çmos për të mos e lejuar të ndodhë ky transformim kolosal. Kam përshtypjen se kjo lloj gjuhe është e ndryshme nga ajo gjuhë që po përdorni ju, bashkëpunim, po e gjejmë atë, ishte një keqkuptim. Kryeministri është i qartë. Ai thotë se përfaqësojnë ambicien aty, bëjnë çmos për të mos e lejuar të ndodhë ky transformim kolosal. Pra, Kryeministri nuk flet për keqkuptim, por flet për platformë, për pengimin e reformës në drejtësi… 

Unë mendoj se Kryeministri ka qenë shumë i qartë kohët e fundit. Ai ka thënë se opozita duhet ta zgjidhë këtë çështje me SHBA-në dhe me BE-në. Dhe nga pretendimet e sotme të opozitës unë besoj se nuk ka asnjë arsye për të mos u arritur konsensusi, pasi ato çështje që mbeten janë tërësisht në një linjë me qëndrimet publike të znj. Nuland, Ndihmës Sekretares së Shtetit dhe të z. Fleckenstein, që erdhi sot posaçërisht për këtë çështje.

Pra, e thënë ndryshe, z. Meta, ju, Basha dhe Rama jeni dakordësuar në parim sot për ta kaluar reformën në datën 21 korrik?
Natyrisht që vullneti për këtë çështje nuk diskutohet.

Por vullneti është po ose jo, se këtu nuk po shpikim ndonjë gjë të madhe. Është një draft i propozuar nga znj. Nuland për të cilin keni diskutuar. Mund ta di se çfarë ju pengon të thoni po për draftin e znj. Nuland?

Votat e LSI-së janë prej kohësh në Uashington, por nuk është ky problemi. 
Si janë në Uashington? Që do të thotë se në datën 21 korrik, 20 votat e LSI-së do të jenë në favor të draftit apo jo, pavarësisht votimit të të tjerëve? 
Padyshim që do të jenë në favor të draftit, por porosia që kam marrë unë nga Uashingtoni është që të bëj çdo përpjekje për konsensus dhe kjo është shumë e rëndësishme. 

Nëse konsensusi dështon, 20 votat tuaja do të jenë pro reformës? 

Nuk ka asnjë arsye që konsensusi të dështojë, vetëm në rast se e provokojmë ne konsensusin, siç dhe ka ndodhur, për fat të keq, këto kohë. 
Edhe kjo ndodh rëndom në politikën shqiptare. Pyetja është e drejtpërdrejtë… 
Nuk do të ndodhë kjo. 

Në rast se opozita vendos të mos e kalojë këtë draft, ju, si Lëvizja Socialiste për Integrim do të votoni pro apo kundër këtij drafti? 

Pyetja nuk ka nevojë të jetë e drejtpërdrejtë, sepse përgjigja është dhënë prej kohësh, pa dyshim që ne do ta votojmë. 

Do ta votoni?

Padyshim që do ta votojmë, sepse drafti aktual është një draft i cili përputhet plotësisht me rekomandimet finale të Venecias. Pretendimet aktuale të opozitës unë mendoj që janë të drejta dhe askush nuk mund t’i kontestojë ato. Këtu diskutimi bëhet për disa modifikime, të cilat nuk kanë asnjë arsye…

Që e prekin thelbin apo nuk e prekin? 

Absolutisht, nuk e besoj se e prekin thelbin. Po punohet aktualisht edhe me ekspertët e OPDAT-it dhe me ata të EURALIUS-it për të gjetur dakordësimet e fundit. Por ajo që dua të them unë është se nuk është problemi që reforma të kalojë me 94 vota, apo me 95 vota, sepse kjo është një reformë shumë e madhe, një ribërje e Kushtetutës së Shqipërisë. Është një reformë, e cila, për fat të keq, është zhvilluar në një atmosferë jo shumë demokratike, në një atmosferë jo shumë konstruktive ku ka dominuar retorika e ashpër, shantazhuese, ndarëse dhe ku njerëzit ende sot, jo vetëm qytetarët, por, për fat të keq, edhe deputetë, që do të votojnë ditën e enjte nuk janë të qartë për shumë çështje të tjera, të cilat janë shumë të rëndësishme për të ardhmen. Nuk bëhet fjalë për një reformë për zgjedhjet e ardhshme, por bëhet fjalë për një reformë, e cila do t’i shërbejë Shqipërisë të paktën për 30 vjetët që vijnë. 

Por, z. Meta, megjithëse këta deputetë nuk janë të qartë, meqenëse votat e PS-së i garantoi Kryeministri në një fjalim të sotëm, ju po i garantoni këtu live në studio votat e LSI-së, me çfarë të drejte ka dalë Kryeministri, ose të paktën kreu i maxhorancës të mbledhë votat e opozitës për këtë reformë, kur as deputetët nuk e kanë të qartë se për çfarë po votojnë?

Nuk mendoj se nuk e kanë të qartë thelbin e reformës, por kanë të paqartë ende çështje të caktuara dhe më e rëndësishmja, opinioni publik mund të kishte më shumë informacion, sepse mendoj se kjo është një reformë që është në interes të të gjithë shqiptarëve, nuk është një reformë që bëhet thjesht për politikanët, zyrtarët e kështu me radhë. 

Të kërkosh votat e deputetëve të veçuar, z. Meta, a është trafikim votash? A është blerje votash? Është një proces, po e quaj, moralisht i qëndrueshëm demokraci?

Unë nuk i hyj kësaj çështjeje sot. Ai shqetësim që kam pasur në fillim dhe që ende e kam, por besoj se jemi pranë suksesit, është që në rast se reforma në drejtësi, reforma kushtetuese, që ne do të votojmë ditën e enjte, do të votohet pa konsensus, atëherë i gjithë procesi i mëtejshëm i integrimit europian të vendit, jo vetëm që vihet në diskutim, sepse rrezikohet, minohet dialogu politik, një kusht i domosdoshëm për vazhdimin e procesit të integrimit, por njëkohësisht rrezikohet të deligjitimohen ose të kontestohen institucionet e reja dhe i gjithë ky proces për të cilin besueshmëria është mjaft e rëndësishme.

Të mos harrojmë që z. Krichbaum, kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestagun gjerman, deklaroi se një reformë drejtësie, e cila votohet në mënyrë të njëanshme, nuk mund të prodhojë një drejtësi të besueshme dhe të pavarur.

Kryeministri e ka deklaruar publikisht vullnetin e tij dhe të votave të tij në favor të reformës në drejtësi, megjithëse, me sa di unë, më shumë këto ditë janë shqetësuar për votat për qeverinë se për votat për drejtësinë. Ju sapo i deklaruat tani votat në favor të reformës në drejtësi, mbetet që topi t’i mbetet vetëm opozitës që të thotë po ose jo. Në këtë rast, pavarësisht se cili do të jetë qëndrimi i opozitës në datën 21 korrik, jeni i sigurt që do të votohet ky draft?

Realisht topi në çdo rast na mbetet të gjithëve, sepse ky duhet të jetë një produkt i të gjithëve dhe duhet të jetë një histori suksesi e të gjithë aktorëve politikë në vend, por aktualisht mendoj se diskutimi kryesor është me përfaqësuesit e BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara, pasi Kryeministri e ka bërë të qartë që është dakord me gjithçka që ata konfirmojnë.

Z. Meta, pyetja lidhet më shumë me pjesën konkrete, që do të thotë në datën 21 korrik, do të votohet drafti, apo jo?

Padyshim, ne besojmë që do të votohet…

Nuk ka për të pasur shtyrje tjetër?

Nuk besoj se ka arsye, sepse problematika që ka mbetur për t’u dakordësuar, mendoj se është shumë e thjeshtë.

Ju tremb personalisht ju, z. Meta, reforma në drejtësi? A keni frikë ju nga një drejtësi ndryshe, nga kjo që është deri tani? Në fjalën tuaj, ka bërë përshtypje fakti se fjalën “burg” e keni përmendur 11 herë. Kaq frikë keni realisht nga burgu pas reformës në drejtësi?

Së pari, të jeni i sigurt që jam më i qetë se kushdo tjetër për reformën në drejtësi. 

Së dyti, Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike, e cila nuk ka pasur asnjë arsye të mbrojë sistemin aktual. Përkundrazi, ka qenë mjaft mbështetëse për një ndryshim të thellë dhe të plotë të sistemit aktual të drejtësisë, ashtu sikurse nuk ka asnjë arsye dhe asnjë shqetësim për të kapur sistemin e ri. 

I vetmi angazhim dhe preokupim imi dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim mbetet stabilitetit i vendit dhe forcimi i institucioneve në vend.