Meta reagon për letrën e komisionarit Hahn dhe “kritikon” Ramën

472
I ftuar në emisionin “Top Story”, presidenti i zgjedhur Ilir Meta ka komentuar letrën e komisionerit të BE për Zgjerimin, Johannes Hahn, drejtuar shqiptarëve, dhe ku kritikonte ashpër PD-në.
Kemi letrën e Johannes Hahn dhe gishti i përgjejgësive u drejtua nga PD. U pa paralajmërimi serioz për përgjegjësi nëse situata përshkallëzohet. Keni koment për këtë letër?
Ilir Meta: PD mban një përgjegjësi serioze, sepse ka patur mundësi të bëhej pjesë e një zgjidhjeje dhe të merrte disa garanci, që deri më sot asnjë opozitë nuk i ka arritur në Shqipëri në mënyrë të vullnetshme nga ana e mazhorancës. Paketa McAllister ishte një mundësi e mirë për opozitën, të merrte postin e Presidentit, të shtyheshin zgjedhjet deri më 16 korrik dhe për t’u dhënë kohë ndryshimeve në qeveri, propozohej kryetari i KQZ për opozitën, t’i jepej edhe Avokati i Popullit dhe shumë elemente të tjera sigurie dhe garancie, që ishin disa masa që nuk kishin ndodhur më parë.
Presidenti i zgjedhur e quan të papranueshme retorikën e kryeministrit Edi Rama në lidhje me situatën politike. Ai thotë se Kryeministri në çdo rast sulmohet më shumë por ka përgjegjësi për vendin më shumë.
“Ajo që për mua është e papranueshme nga maxhoranca, ose vetë kryeministri është çështja e retorikës. Duket si një personalizim i konfliktit politik. Kryeministri në çdo rast mund të atakohet por ka përgjegjësi për vendin më shumë. Në çdo rast çdo retotikë, ose çdo përgjigje konfliktuale nuk ndihmon një atmosferë më të paqtë më të qetë dhe mirëbesuese”, tha Meta.
Lidhur me negociatat me ndërmjetësimin e Mc Allister dhe pozicionimin e kryeministrit, Meta tha se LSI ishte më agresive dhe se këmbëngulja e Ramës ishte tek vettingu.
“Pozicioni i kryeministrit ishte i pranueshëm. Përfaqësues të LSI-së më agresiv. Këmbëngulja ishte tek vettingu, por ishte pranë pranimit të kësaj zgjidhjeje. Fakti që nuk u pranua nga kreu i PD-së e la atë proces pezull”, tha Meta.
Sigal