Meta: Qytetarët kanë nevojë për produkte cilësore dhe për vende pune të qëndrueshme e më të mirëpaguara

584
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, inspektoi investimin e kryer në kompaninë e prodhimit të vezëve “Ovvital”, që është mundësuar nga financimi i Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural.
Pasi u njoh nga afër me ambientet e kompanisë, teknologjinë e përdorur dhe kapacitetet prodhuese të shtuara falë edhe investimeve të fundit, Kryetari i Kuvendit duke folur për mediat, vlerësoi mbështetjen që i është dhënë sektorit të prodhimit të vezëve industriale, që ka njohur një shumëfishim gjatë viteve të fundit, duke u shprehur se investime të tilla garantojnë jo vetëm rritje ekonomike por edhe punësim të qëndrueshëm. 
“Dëshiroj të shpreh kënaqësinë më të madhe për këtë impiant kaq modern për prodhimin industrial të vezëve. Është një impiant mjaft cilësor, i standardeve më të larta evropiane, si përsa i takon teknologjisë, ashtu edhe gjithë menaxhimit të këtij biznesi, që tashmë me shumë sukses ka arritur edhe të hyjë në tregjet evropiane. Mendoj se ky sukses në këtë drejtim, pra në prodhimin industrial të vezëve në vendin tonë, ku kemi një rritje disafish në një kohë shumë të shkurtër, duhet të vijoi në të gjithë drejtimet e tjera të sektorit të bujqësisë edhe të ushqimit, pasi kjo është rruga më e mirë, jo vetëm për të rritur ekonominë tonë kombëtare, jo vetëm për të reduktuar në mënyrë drastike importet bujqësore dhe ushqimore, por përkundrazi edhe për të rritur eksportet dhe për të hapur vende të reja të punës”, – tha Meta, teksa vijoi: – “Kuptohet që me teknologji të tillë kaq moderne, dhe me një menaxhim kaq të suksesshëm të standardeve evropiane, këto janë vende pune të sigurta, të qëndrueshme edhe të mirëpaguara. Dhe padyshim që impiante të tilla nuk janë gjithçka, ato thjeshtë janë lokomotivat e zhvillimit të gjithë bujqësisë sonë, të blegtorisë sonë, të industrisë ushqimore në atë rrugë që duam, të standardeve evropiane. Kjo është rruga e një suksesi afatgjatë edhe për sipërmarrësit, edhe për vendin, por edhe për qytetarët tanë që kanë nevojë për produkte më cilësore dhe për vende pune më të qëndrueshme dhe më të mirëpaguara”,- tha Meta.
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave nga ana e tij theksoi se skema e subvencioneve në bujqësi ka bërë të mundur që sektori i shpendarisë, ai për prodhimin e vezëve si edhe të mishit të pulës ka njohur rritje dhe se kjo mbështetje do të vazhdojë.
Krahas kësaj, Panariti u ndal edhe tek problematikat e zhvillimit të pemëtarisë në vend duke theksuar se Ministria e Bujqësisë do të bëj dëmshpërblimin e fermerëve të prekur nga ngricat e ditëve të fundit si edhe se është duke u punuar për të gjetur një zgjidhje konkrete për këtë çështje. 
“Për t’u dhënë një sinjal për të gjithë ata fermer që u prekën nga fatkeqësitë natyrore, nga ngricat, unë do të bëj ç’është e mundur për të lehtësuar sado pak dëmet nga këto fatkeqësi natyrore duke u ardhur atyre në ndihmë, duke u mbuluar të paktën koston e prodhimit, dhe njëkohësisht për ta vendosur këtë çështje në një zgjidhej të qëndrueshme që janë sigurimet në bujqësi. Pra unë kam filluar të negociojë me dy kompani të mëdha sigurimi të cilët do të marrin përsipër sigurimin e sipërmarrje, veçanërisht pemishteve që janë të ekspozuar ndaj faktorëve atmosferik në mënyrë që ne të përballojmë fatkeqësitë natyrore që për fat të keq bujqësia i përjeton në mënyrë të drejtpërdrejtë”, – tha Panariti.
Agjencia për Zhvillimin e Bujqësor dhe Rural e ka financuar fabrikën e vezëve “Ovital” nëpërmjet një subvencioni pre 210 milionë lekësh e cila ka bërë të mundur shtimin e kapaciteteve të prodhimit të vezës si edhe përmirësimit të teknologjisë.
Sigal