Meta : Punësimi kërkon politika më të vëmendshme dhe më favorizuese që stimulojnë të gjithë ata sipërmarrës, të cilët do të hapi

455
Sigal

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta vizitoi “Panairin e Punësimit 2014”, ku 80 kompani ofrojnë mbi 6 200 vende të reja pune, të profileve dhe niveleve të ndryshme.

 Gjatë fjalës përshëndetëse të mbajtur në këtë aktivitet z. Ilir Meta vlerësoi këtë panair të rëndësishëm për punësimin dhe deklaroi se qeveria aktuale e Kryeministrit Edi Rama, është qeveria më e përkushtuar në drejtim të punësimit në Shqipëri gjatë këtyre 24 viteve. “Është një kënaqësi e veçantë që marr pjesë në këtë panair të vërtetë të punës. Mendoj se është një panair i vërtetë sepse janë të shumtë ata të cilët kanë paraqitur CV dhe kanë aplikuar, por edhe që janë intervistuar. Jam i sigurt që do të ketë një produkt konkret. Sot ndoshta janë 6 mijë vende pune të lira, por besoj se vitin tjetër do të jenë disa dhjetëra mijëra vende të mundura dhe në të ardhmen akoma më shumë. E kam këtë bindje sepse qeveria aktuale e Kryeministrit Rama, e them me bindje të plotë, se është qeveria më e përkushtuar në drejtim të punësimit në Shqipëri gjatë këtyre 24 viteve. Është qeveria, e cila vërtetë ka qenë e detyruar të ndërmarrë disa reforma të forta, por vetëm me një qëllim për të frenuar rënien ekonomike të vendit , me një qëllim për t’i hequr biznesit dhe sipërmarrësve lakun e borxheve të pashlyera dhe të papaguara nga ana e shtetit dhe qeverisë, me qëllim përmirësimin dhe rimëkëmbjen e situatës ekonomike të vendit, por edhe të sipërmarrjeve të lira”, tha z.Ilir Meta.

 Kryetari i Kuvendit shprehu bindjen se politika dhe prioriteti për punësimin do të japë rezultatet e para. “E kam thënë edhe para disa javësh që shikoj punësime. E kam thënë këtë sepse duke qenë në ndjekje të vazhdueshme të gjithë angazhimeve, iniciativave të qeverisë, të dialogut të saj me sipërmarrësit, të vëmendjes së saj për të luftuar çdo burokraci, çdo hallkë të tepër, e cila nuk çliron energji, por tkurr energjitë, padyshim jam i bindur se ne shumë shpejt do të kemi shumë inaugurime, shumë hapje të vendeve të reja të punës”, tha z.Meta duke shtuar se punësimi është një detyrim ndaj qytetarëve shqiptar, atyre që duan të punojnë dhe atyre që kanë nevojë për punë. “Shpesh ka edhe ndonjë kritikë pse merremi me biznesin fason të tekstileve, të manifakturës   sepse duhet të merremi me çështje më të rëndësishme.

 Ne jemi marrë sepse është biznes kryesor, si biznes punëdhënës sot në Shqipëri, por edhe sepse në një kohë të shkurtër është e mundur për të shtuar shumë vende të reja pune. Ndërkohë, kosto dhe koha e kualifikimit të fuqisë punëtore është më e realizueshme. “Duke vazhduar në këtë drejtim nuk do të thotë që do të kufizohemi tek aktivitetet e tjera, të cilat kanë një produktivitet shumë më të lartë dhe  kërkojnë një fuqi punëtore shumë herë më të kualifikuar. Kjo qeveri dhe kjo mazhorancë në zemër të modelit të saj ekonomik ka prodhimin, eksportet dhe natyrisht që ka punësimin sepse pa prodhim, pa eksporte nuk mund të ketë punësim të qëndrueshëm dhe në rritje”, tha z.Meta. Kryetari i Kuvendit u shpreh se nuk mund të ketë rritje të prodhimit pa i kushtuar vëmendje arsimit profesional dhe atyre profesioneve të cilat ndikojnë në fushën e shkencave, minierave, gjeologjisë, të shkencave bujqësore, agronomisë, veterinarisë, etj.

“Ne duhet të jemi të bindur se nuk mund të bëhemi të gjithë juristë, psikologë, sociogolë, filozofë, sepse tregu i punës ka më shumë nevojë për inxhinierë, teknikë, zooteknikë, dhe në fusha, sikurse e tha edhe ministri Veliaj, paga është më e lartë se në administratën shtetërore. Ajo që dua të vlerësoj është se asnjëherë më parë formimit profesional nuk i është dhënë kjo vëmendje që ka sot. Me këto politika që po ndiqen, unë jam i bindur që ne po përgatitemi për të arritur nivele të reja në tregun e punës, të cilat do të bëjnë të mundur plotësimin e atyre kushteve që kanë investitorët në shumë fusha të rëndësishme, sidomos të atyre që nxisin rritjen prodhimit në vend dhe rritjen e eksporteve”, tha z. Meta.

 Z. Meta shprehu nevojën për krijimin vendeve të reja të punës dhe krijimit të mundësisë së punësimit edhe për të rinjtë në zona të largëta të vendit.  “Dje kemi folur në telefon me Ministrin Veliaj, pasi e ndoqa më vëmendje direkt edhe Kryeministrin Rama dhe është e rëndësishme se të rinjtë dhe të rejat jo vetëm në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër, Lezhë, t’ju krijomë mundësi, natyrisht që këto janë edhe zona të favorizuara duke qenë pranë zonave të mëdha  urbane, pranë porteve, mjaft të favorizuara për ekses , por ne duhet të mendojmë edhe për Shqipërinë tjetër që është kaq e bukur.Unë kam qenë para pak ditësh në një panair dhe kam parë produkte shumë të veçanta të prodhuara nga fermerë në Pukë, kërpudha, hurma të paketuara, bimë medicinale, vërtetë mjaft interesante. Gjithmonë e kam pasur mjaft të vështirë të shkoj në Çorovodë, andej nga unë vij, sepse sa herë që unë shkoj atje, në mëngjes tek shtëpia më vijnë shumë gra sidomos, që kërkojnë një punë dhe dihet që vendet e punës janë mjaft të kufizuara. Por pas 23 majit do të jem shumë i qetë, sepse atje do të inaugurohet një fabrikë e re moderne ku do të punësohen 250-300 gra dhe vajza. Një mundësi për t’i dhënë një perspektivë atij komuniteti, por edhe një mundësi punësimi të gjithë atyre që duan të jetojnë dhe të rrisin fëmijët e tyre me djersën e ballit dhe jo thjesht me një ndihmë ekonomike. Por duhet të mendojmë edhe për Pukën, ku është një njësi e vogël atje aktualisht, duhet të mendojmë edhe për Gramshin, duhet të mendojmë edhe për Tepelenën, duhet të mendojmë edhe për Ersekën, duhet të mendojmë edhe për Kukësin, sepse është bërë një investim i jashtëzakonshëm sikurse është Rruga e Kombit, por kjo nuk ka ndikuar në rritjen e punësimit në Kukës”, theksoi z.Ilir Meta.

 Kryetari i Kuvendit  u shpreh se punësimi kërkon politika më të vëmendshme dhe më favorizuese që stimulojnë rritjen e punësimit dhe që stimulojnë të gjithë ata sipërmarrës, të cilët do të hapin linja prodhimi në këto rrethe.  Z.Ilir Meta shprehu bindjen se dialogu me biznesin fason do të vazhdojë derisa paketa të implementohet plotësisht dhe të japë impaktin e saj në rritje. ““Është shumë më mirë, që ndihmën ekonomike më mirë ta marrin punëdhënësit për t’ua dhënë si një pjesë të pagës atyre që do të punësojnë, sesa thjesht të vazhdojë si deri tani. Unë jam i bindur se kjo është një qeveri e cila po merret vazhdimisht dhe përditë me këto probleme. Kjo është një qeveri e ndjeshme ndaj shqetësimeve që kanë sipërmarrësit shqiptarë. Kjo u tregua më së miri gjatë dialogut të vazhdueshëm të palodhur, që u bë për muaj të tërë me përfaqësuesit e biznesit fason, të tekstileve dhe të manifakturës. Jam i bindur se kjo do të vazhdojë derisa ajo paketë të implementohet plotësisht dhe të japi impaktin e saj në rritje. Por e njëjta gjë do të bëhet dhe jam i bindur me përfaqësues të sipërmarrësve të sektorëve të tjerë të ekonomisë sonë, gjithnjë me qëllim luftën kundër burokracisë, barrierave korrupsionit, vështirësive arbitrare që ndesh biznesi, që ndesh sipërmarrësi. Natyrisht në këmbim të kësaj shteti qeveria, deputetë, të gjithë do të kërkojnë dhe duhet të kërkojnë rritjen e punësimit. Mendoj se kjo është tashmë një devizë e qartë e kësaj qeverie e kësaj mazhorance”, tha z.Ilir Meta.

 Duke përshëndetur Ministrin për Mirëqenien Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj për punën dhe për angazhimin në këtë drejtim, Z.Ilir Meta tha se vetë rritja disa herë e fondit të nxitjes së punësimit dhe të formimit profesional është tregues i mbështetjes reale dhe konkrete që i jepet punësimit. “Vetë fakti që tatim-fitimi që biznesi fason do të paguajë do të kthehet i tëri përsëri për të stimuluar hapjen e vendeve të punës, është një tregues shumë i qartë se punësimi, punësimi dhe përsëri punësimi do të jetë në qendër të vëmendjes tonë dhe të angazhimit tonë. Prandaj ju uroj suksese gjithashtu edhe të gjithë punëdhënëseve, të gjithë sipërmarrësve, sepse ata vuajnë shumë. Unë njoh shumë prej tyre që kanë mijëra punëtorë që kanë mjaft probleme që kanë mjaft vështirësi dhe të cilët nuk punojnë më për vete, por të cilët punojnë për të tjerët dhe prandaj ne u jemi mirënjohës sepse ata punojnë për të gjithë ata qytetarë dhe ato qytetare, që të mos shkurtohen vendet e punës dhe që të mos kthehen në shtëpi pa marrë pagën e muajit, mundësinë për të mbajtur familjen dhe për të shkolluar fëmijët”, tha z. Meta.

 Kryetari i Kuvendit vlerësoi sipërmarrësit që krijojnë mundësi të hapjes së vendeve të reja të punës. “Ndaj unë përulem para të gjithë këtyre sipërmarrësve sot këtu, ku kemi sipërmarrës dhe punëdhënës nga më të mëdhenjtë nga ata që punësojnë mijëra, por edhe nga ata që punësojnë qindra e dhjetëra. Edhe sikur një të vetëm dikush të punësojë në Shqipëri ne duhet të përulemi, sepse kështu do të ecim më shpejt në rrugine mirëqenies sociale dhe të solidaritetit shoqëror”, tha z.Meta.

 Ndërsa, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pjesëmarrjen, duke shtuar se gjatë bisedës me z.Ilir Meta, është menduar një program i veçantë për të stimuluar punësimin edhe në zona të largëta . “Kemi pasur një bisedë dhe jam shumë i lumtur që Kryetari i Kuvendit është bashkuar me Panairin e Punës. Kemi pasur një bisedë me Kryetarin e Kuvendit për të menduar një program të veçantë për të stimuluar punësimin, në ato zona të Shqipërisë që në fakt konsiderohen xhep, jo vetëm nga ana ekonomike, por dhe nga ana  e infrastrukturës, që janë  periferi të vendit. Këtu hyjnë zona si Erseka, Hasi, zona të thella malore në jug dhe në veri për të cilat ne do të donim të kishim një program të veçantë të stimulimit të biznesit, me të njëjtin mentalitet, pasi në këto zona është pak më e vështirë për të bërë biznes, për shkak se edhe kostoja është më e lartë. Dua të falenderoj këtu publikisht Kryetarin e Kuvendit për gatishmërinë e tij, për idenë novatore për të stimuluar sidomos këto zonat thella.  Në fakt edhe ai i referohej në përshkrimin e tij idesë që kemi për të stimuluar biznesin në këto zona”, tha z.Erion Veliaj.

 Ministri u shpreh se mënyra më e mirë për të ndërprerë dhe taksimin e pafund që shkon për ndihmë ekonomike,  është krijimi i paketave të punësimit posaçërisht për këto zona të thella. “Jemi në fazën kur fjalimet, deklaratat apo prishjet qoftë të panairit , qoftë të ditës së verës, qoftë të mbledhjes në Kukës, nuk janë një alternativë e mirë.  Por ofrimi i një alternative për pensionet për punësim është ndofta alternativa më e mirë për të ofruar një alternativë tjetër të të bërit opozitë. E thashë  edhe në fillim. Jam shumë i lumtur sot që na është bashkuar një ekonomist, një mik, dhe njëkohësisht edhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë. Do të doja shumë që t’i jepja atij fjalën, për të folur pak edhe se si ne mund të investohemi më shumë në zonat e thella, në ato zona që ndoshta janë të paprivilegjuara, janë me vështirësi infrastrukturore, në periferi të Shqipërisë, aty ku rrugët dhe akset kryesor ndoshta nuk kalojnë, por ne duhet të gjejmë një mënyrë sepse jetojnë njerëz, jetojnë shqiptarë. Shifrat e ndihmës ekonomike janë më të larta në këto zona. Mënyra më e mirë për të ndërprerë dhe taksimin e pafund që shkon për ndihmë ekonomike është që ne të krijojmë paketa punësimi për këto zona posaçërisht”, tha z.Veliaj.

 I shoqëruar nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erjon Veliaj dhe Presidenti i Biznes Albania, z. Luan Bregasi, Kryetari i Kuvendit, vizitoi nga afër stendat e Panairit, ku sipërmarrës të ndryshëm e njohën z.Meta me fushat në të cilat operojnë dhe kërkesat e tyre si punëdhënës.

 Gjatë takimeve, Kryetari i Kuvendit bisedoi me punëdhënësit rreth sfidave që ata kanë dhe për krijimin e të gjithë lehtësirave të nevojshme me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës.