Meta: Punësim për të gjithë ata që duan të punojnë, baza e premtimit tonë

96
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, së bashku me kandidatin e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë e Vorës, z.Luan Sallaku zhvilloi një takim me banorë të Fushë Prezës. Duke folur përpara banorëve të Fushë Prezës, Meta theksoi se në këtë njësi të re vendore një prioritet parësor do të jetë punësimi pasi është një zonë që ka shumë biznese të mëdha që operojnë në të dhe për rrjedhojë, duhen ndjekur politika të reja punësimi për banorët e Bashkisë së Vorës. 
“Punësim për të gjithë ata që duan të punojnë, sipas shkollës, sipas profesionit. Kjo është baza e premtimit tonë. Ky është kryqëzimi i të gjithë rrugëve të Shqipërisë edhe të Shqipërisë me rajonin. Kjo është zona më e preferuar për çdo investim, për industri, për qendra grumbullimi, për qendra përpunimi, sepse është kosto më e ulët. Vijnë prodhime nga e gjithë Shqipëria dhe ikin kudo ku ka treg dhe këtu nga pikëpamja strategjike duhet të jetë një vend me qendra të tilla, jo thjesht për të grumbulluar prodhimet e Prezës dhe të Vorës, por për të grumbulluar prodhimin nga e gjithë Shqipëria. Edhe qeveria e re ka prioritet numër një bujqësinë dhe ushqimin. Skema ere për të shumëfishuar investimet prodhuese dhe në fushën e përpunimit në bujqësi, në blegtori, në fushën e ushqimit do të jetë një revolucion i vërtetë sa i takon rritjes së interesit të gjithë prodhuesve.Ndaj me këtë politikë të re të qeverisë, të Ministrisë së Bujqësisë, unë jam i bindur se Vora do të kthehet në një qendër të fuqishme të zhvillimit”, u shpreh Meta.
Duke folur për arsimin profesional, Meta theksoi se ky do të jetë një prioritet për Vorën në mënyrë që të rinjtë e Bashkisë së re të kenë mundësi që të formohen profesionalisht. “Do të hapim një shkollë profesionale në bashkinë e re të Vorës në mënyrë, që ato profesione kryesore që janë baza e zhvillimit të kësaj zone, t’u krijojmë mundësinë të rinjve dhe fëmijëve që të edukohen dhe që të formohen dhe do të bëjmë kurse të formimit profesion me qëllim përgatitjen e të rinjve për tregun e punës, për të gjetur punën dhe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt përmes punës”, tha Meta.
Krahas kësaj, Meta shprehu bindjen e tij se Bashkia e re e Vorës do të ndjek dhe një filozofi tjetër transparence me qytetarët pasi është një njësi vendore që gjeneron shumë të ardhura nga bizneset dhe për këtë nevojitet në transparencë e plotë në fondet që administron. “Gjëja e parë që do të bëhet këtu do të ketë transparencë nga Kryetari i ri i Bashkisë, nga Këshilli i ri i Bashkisë. Transparencë e të gjithë të ardhurave, si krijohen, sa taksa krijohen nga taksat e banorëve, sa të ardhura krijohen nga bizneset që janë në territorin e Bashkisë, sa të ardhura merr nga qeveria, nga buxheti qendror dhe shpenzimet. Dhe investimet dhe të gjitha këto të diskutohen përpara se të miratohet buxheti nga këshilli i ri i Bashkisë, do të bisedohet me komunitetin. Dhe ky është detyrimi i parë i çdo kryetari bashkie dhe unë jam i bindur se kryetari i ri i Bashkisë, Luan Sallaku gjënë e parë që do të bëj do të jetë pikërisht kjo, transparencë të plotë për të ardhurat e Bashkisë së re, për investimet dhe shpenzimet e Bashkisë së re. Kjo është e domosdoshme për të krijuar një raport besimi dhe transparence”, u shpreh Meta.