Meta priti Zv. Kryetarin e Parë të Asamblesë Kombëtare të Azerbajxhanit

445
Në kuadër të punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATOs që po zhvillohet këto ditë në Tiranë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta priti Zv. Kryetarin e Parë të Asamblesë Kombëtare të Azerbajxhanit z. Ziyafat Asgarov në një takim dypalësh. Kryetari i Kuvendit z. Meta i uroi mirëseardhjen z. Asgarov dhe delegacionit parlamentar të Azerbajxhanit në Tiranë dhe vlerësoi intensifikimin gjatë viteve të fundit të bashkëpunimit politik mes dy vendeve. Në këtë kuadër, z. Meta u shpreh se mirëpriten shkëmbime të tjera të nivelit të lartë si dhe rritja e përfaqësimit diplomatik në të dy vendet. 

Duke ndarë bindjen e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, z. Meta dhe z. Asgarov nënvizuan rëndësinë e realizimit me sukses të projektit TAP, si një projekt me rëndësi strategjike për të dy vendet dhe për gjithë Evropën. Në këtë kontekst, z. Meta vuri në dukje se shtrirja e rrjetit të gazifikimit të Shqipërisë si dhe zgjerimi përmes IAP i korridorit transadriatik pas përfundimit të TAP, do t’i shërbejë të gjithë rajonit të Ballkanit.  Duke biseduar mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Nagorno-Karabakh, Kryetari i Kuvendit Meta theksoi se Shqipëria mbështet zgjidhjen e konfliktit në formatin e Grupit të Minskut dhe vazhdimin e dialogut për një zgjidhje paqësore, duke shmangur përdorimin e dhunës. “Republika e Shqipërisë – u shpreh z. Meta – ndan qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare se Nagorno-Karabakh është pjesë integrale e Republikës së Azerbajxhanit dhe se konfliktet e panevojshme nuk i shërbejnë asnjë populli në rajonin e Kaukazit”.
Sigal