Meta priti një delegacion të Grupit të Miqësisë nga Bundestagu Gjerman

499
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti një delegacion me deputetë nga Bundestagu Gjerman anëtarë të Grupit të Miqësisë me vendet e Evropës Juglindore, vizitë të cilën e cilësoi si një dëshmi të marrëdhënieve intensive ndërparlamentare mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Meta u shpreh se Shqipëria i vlerëson përpjekjet e Gjermanisë në përballjen me krizën e paprecedentë të lëvizjeve migratore që ka prekur Evropën, duke theksuar se sfidat e përbashkëta menaxhohen më mirë përmes një bashkëpunimi më të ngushtë mes të gjithë vendeve evropiane.
Duke bashkëbiseduar mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, Kryetari i Kuvendit z. Meta u shpreh se reformimi i sistemit të drejtësisë është kyç jo vetëm për procesin e integrimit evropian, por edhe për rritjen e besueshmërisë së Shqipërisë pranë vendeve anëtare të BE-së, si dhe ndaj investitorëve të huaj. Deputetët gjermanë rikonfirmuan mbështetjen e Gjermanisë ndaj progresit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe nënvizuan se reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme, si për rritjen e besimit të qytetarëve ndaj shtetit ligjor ashtu edhe për klimën e biznesit, duke vënë në dukje se zhvillimi ekonomik i Shqipërisë dhe i rajonit është shumë i rëndësishëm për Gjermaninë dhe investitorët gjermanë.
Sigal