Meta priti Nën-Sekretarin e Shtetit për Politikën e Jashtme të Italisë, Vincenzo Amendola

464
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti Nën-Sekretarin e Shtetit për Politikën e Jashtme të Italisë, Vincenzo Amendola me të cilin biseduan për ecurinë e prioriteteve të procesit të integrimit evropian si dhe për zhvillimet e fundit në rajon. Kryetari i Kuvendit Meta theksoi se partneriteti mes Shqipërisë dhe Italisë është i shkëlqyer, dhe si i tillë duhet orientuar më tepër drejt rritjes cilësisë së bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e energjisë, turizmit, bujqësisë dhe transportit detar. Meta u shpreh se Kuvendi inkurajon iniciativat e përbashkëta ekonomike e tregtare, duke theksuar se Shqipëria e vlerëson ekspertizën dhe eksperiencën e investimeve italiane në rajon. 
Nën-Sekretari i Shtetit për Politikën e Jashtme të Italisë, Vincenzo Amendola duke vlerësuar axhendën ambicioze të reformave të ndërmarra, shprehu mbështetjen e fortë të Italisë në avancimin e Shqipërisë dhe të të gjithë rajonit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe nënvizoi se integrimi i plotë i të gjitha vendeve të Ballkanit mbetet një prioritet i politikës së jashtme italiane. Në këtë kuadër, Amendola theksoi se Shqipëria mund të mbështetet gjithnjë tek përkrahja e Italisë, si një partner tradicional i qëndrueshëm. Në përfundim, duke evidentuar rolin konstruktiv e pozitiv të Shqipërisë në rajon, z. Meta dhe z. Amendola u ndalën edhe tek lëvizjet migratore dhe kriza e refugjatëve që ka prekur mbarë rajonin dhe kontinentin evropian, duke theksuar se Shqipëria dhe Italia qëndrojnë bashkarisht në trajtimin e kësaj krize mbarë-evropiane dhe në përballjen me sfidat e sigurisë dhe terrorizmit që cenojnë vlerat e shoqërive tona demokratike evropiane.
Sigal