Meta priti Kryetaren e Këshillit Kombëtar të Zvicrës Markwalder: Forcim të mëtejshëm të bashkëpunimit me Zvicrën

422
Sigal

Kryetari
i Kuvendit, z. Ilir Meta, priti në takim Kryetaren e Këshillit Kombëtar të
Zvicrës, znj. Christa Markwalder, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare
dyditore në vendin tonë.

Z. Meta, pasi i uroi
znj.
Markwalder
mirëseardhjen në
Shqipëri, vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve tona, duke i cilësuar të
veçanta falë pranisë tepër domethënëse të komunitetit shqiptar në këtë vend mik
si dhe në kuadër të gjithë vlerave, që Shqipëria dhe Zvicra ndajnë së bashku si
dy vende demokratike dhe të interesave të përbashkëta. 

Gjatë takimit, Kryetari
i Kuvendit dhe Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Konfederatës Zvicerane
diskutuan për forcimin e mëtejshëm të shkëmbimeve parlamentare midis dy vendeve
tona si dhe ndanë bindjen se marrëdhëniet do të forcohen akoma edhe më tej dhe
do të konkretizohen në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë. 

Dy bashkëbiseduesit
vlerësuan rritjen e bashkëpunimit parlamentar dhe të një bashkëpunimi edhe më
ngushtë sidomos në funksion të rritjes së shkëmbimeve ekonomike, tregtare.

Kryetari i Kuvendit
vlerësoi rolin e Kooperacionit Zviceran përmes asistencës shumë dimensionale që
ofron në Shqipëri dhe në drejtim të projekteve të fuqizimit të qeverisjes
vendore, të forcimit të shoqërisë civile dhe mjaft drejtime të tjera.

“Ne shpresojmë se edhe si rezultat i progresit që Shqipëria po realizon,
edhe si rezultat i suksesit që besojmë që do të ketë zbatimi i reformës në
drejtësi, në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, të përmirësimit të klimës
së biznesit, do të kemi shumë më tepër investitorë zviceranë në të ardhmen, të
cilët investojnë në Shqipëri, por edhe njëkohësisht ta përdorin Shqipërinë, si
një bazë solide për investimet e tyre, në rajonin tonë”, – tha z. Meta gjatë
takimit. 

Nga ana e saj, z. Christa
Markwalder, vlerësoi progresin e madh që ka bërë Shqipëria gjatë viteve të
fundit dhe shprehu kënaqësinë e saj që Zvicra ka mundur të japë kontributin e
saj me anë të bashkëpunimit në fushën e forcimit të institucioneve dhe përmes
projekteve zhvillimore.

“Ne e
mirëpresim rolin konstruktiv dhe të moderuar të Shqipërisë në rajon dhe kjo
është një tjetër arsye pse ne duam të forcojmë lidhjet mes dy parlamenteve tona
dhe të vazhdojmë këtë miqësi të mirë që kemi ndërtuar tashmë”, tha znj. Christa
Markwalder.

 

Në përfundim të takimit Kryetari i Kuvendit, z. Ilir
Meta dhe Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, znj. Christa Markwalder,
dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

 

Konferenca e plotë për shtyp

 

Kryetari i Kuvendit, z.
Ilir Meta

Ishte kënaqësi e
veçantë që mirëpresim sot në Kuvendin e Shqipërisë, Kryetaren e Këshillit
Kombëtar të Konfederatës Zvicerane, znj. Christa Markwalder, me të cilën kemi
diskutuar për forcimin e mëtejshëm të shkëmbimeve parlamentare midis dy vendeve
tona.

Për ne, marrëdhëniet me
Zvicrën kanë një rëndësi të veçantë, jo vetëm falë pranisë tepër domethënëse të
komunitetit shqiptar në këtë vend mik, i cili shërben si një urë shumë e fortë
lidhëse dhe bashkëpunuese, por edhe në kuadër të gjithë vlerave, që Shqipëria
dhe Zvicra ndajnë së bashku si dy vende demokratike dhe të interesave të
përbashkëta që ne zhvillojmë. 

Kemi ndarë bindjen së
bashku me kolegen Markwalder, se duke marrë në konsideratë sfidat
ekonomike-sociale, me të cilat po ndeshet Bashkimi Evropian, dhe mbarë
kontinenti ynë, si dhe zhvillimet e tjera ndërkombëtare.

Marrëdhëniet midis dy
vendeve tona do të forcohen akoma edhe më tej dhe do të konkretizohen në të
gjitha fushat me interes të ndërsjelltë. 

Në këtë drejtim, ne kemi
vlerësuar rritjen e bashkëpunimit parlamentar dhe të një bashkëpunimi edhe më
ngushtë sidomos në funksion të rritjes së shkëmbimeve ekonomike, tregtare.

Ne vlerësojmë shumë rolin
e Kooperacionit Zviceran përmes asistencës shumë dimensionale që ofron në
Shqipëri, asistencë të cilën ne e çmojmë jashtëzakonisht, sidomos në drejtim të
projekteve të fuqizimit të qeverisjes vendore, të forcimit të shoqërisë civile
dhe mjaft drejtime të tjera.

Një falënderim të
veçantë këtu do të doja të shtoja për mbështetjen zvicerane për arsimin
profesional, që është shumë i nevojshëm për t’i kualifikuar më tej të rinjtë
tanë në përshtatje me tregun e punës, që është gjithnjë e më dinamik dhe në transformim. 

Po kështu dua të vlerësoj kontributin mjaft aktiv të Zvicrës në rajonin
tonë, sidomos në shërbim të stabilitetit dhe sigurisë të Kosovës.

Ne besojmë se Zvicra dhe
Shqipëria si dy vende që kanë edhe mjaft ngjashmëri, por dhe një traditë të
shkëlqyer bashkëpunimi, do të vazhdojnë të forcojnë më tej këtë bashkëpunim,
duke e konkretizuar atë. Dhe ne jemi të bindur që do të përfitojmë akoma më
tepër nga eksperienca e pasur dhe ekspertiza zvicerane.

Njëkohësisht, besojmë që kemi mundësinë të intensifikojmë më tej
shkëmbimet parlamentare në të gjitha nivelet, si një mbështetje për
marrëdhëniet e gjithanshme, institucionale dhe miqësore midis vendeve dhe
popujve tanë. 

Dhe natyrisht ne shpresojmë se edhe si rezultat i progresit që Shqipëria
po realizon, edhe si rezultat i suksesit që besojmë që do të ketë zbatimi i
reformës në drejtësi, në drejtim të forcimit të shtetit ligjor. Të përmirësimit
të klimës së biznesit do të kemi shumë më tepër investitorë zviceranë në të
ardhmen, të cilët investojnë në Shqipëri, por edhe njëkohësisht ta përdorin
Shqipërinë, si një bazë solide për investimet e tyre, në rajonin tonë. 

Me këtë rast, duke
falënderuar edhe një herë, znj. Christa Markwalder për këtë vizitë zyrtare që
po zhvillon në vendin tonë,
dua ta siguroj për ndjenjat më të forta të miqësisë dhe të
simpatisë të vendit tonë për Zvicrën. 

Gjithashtu,
falënderoj edhe Parlamentin e Zvicrës për mbështetjen e jashtëzakonshme që i
jep programeve të bashkëpunimit midis Zvicrës dhe vendit tonë, dua të shpreh
besimin tim se këto marrëdhënie do të lulëzojnë. Dhe absolutisht jo vetëm në
bashkëpunimin në futboll, por në bashkëpunimin e gjithanshëm dhe në ekonomi në
mënyrë të veçantë.

Jam
i bindur që falë këtij angazhimi dhe kësaj vendosmërie të Zvicrës për të
ndihmuar vendin tonë, ku duhet të theksoj se një kontribut të veçantë është
dhënë nga ana Zvicrës edhe për reformën administrative-territoriale, dhe përmes
gjithë këtij programi bashkëpunimi afatgjatë, por edhe mbështetjes për formimin
profesional të të rinjve tanë, do të kemi shumë më tepër investitorë zviceranë
në të ardhmen në Shqipëri dhe shkëmbime tregtare në nivele akoma më të larta
midis dy vendeve tona. Gjë që absolutisht do t’i shërbejë akoma më tej forcimit
të kësaj marrëdhënieje të shkëlqyer, tradicionale që ekziston edhe sot midis dy
vendeve tona.

 

Fjala e znj. Christa Markwalder

Ju
faleminderit z. Kryetar!

Zonja
dhe zotërinj, është kënaqësi e veçantë edhe për mua të vizitoj Shqipërinë gjatë
javës së fundit të mandatit tim si Kryetare e Këshillit Kombëtar të Zvicrës. Në
fakt, kjo është vizita ime e dytë këtu dhe konstatoj se ka pasur shumë progres
krahasuar me herën e fundit, që vizitova vendin tuaj në vitin 2005.

Jam
shumë e lumtur të shoh se sa shumë është zhvilluar Shqipëria gjatë kësaj kohe
dhe që Zvicra ka mundur të kontribuojë për këtë me anë të bashkëpunimit në
fushën e forcimit të institucioneve dhe përmes projekteve zhvillimore, por
gjithashtu në procesin e decentralizimit. Zvicra e ka mirëpritur reformën në
drejtësi, sepse ne besojmë që një sistem drejtësie i shëndoshë do të ndikojë
ndjeshëm në përmirësimin e klimës së biznesit dhe në thithjen e investimeve.

Është
gjithashtu në interesin e Zvicrës që vendi juaj, dhe në veçanti i gjithë
rajoni, të zhvillohet përmes një stabiliteti të vazhdueshëm dhe për këtë arsye
parlamenti ka vendosur të vazhdojë me projektet për bashkëpunimin zhvillimor
edhe për katër vitet e ardhshme. Zvicra ka kontribuuar shumë në Shqipëri, duke
investuar rreth 90 milionë gjatë katër viteve të fundit në fusha të ndryshme.

Ne
e mirëpresim rolin konstruktiv dhe të moderuar të Shqipërisë në rajon dhe kjo
është një tjetër arsye pse ne duam të forcojmë lidhjet mes dy parlamenteve tona
dhe të vazhdojmë këtë miqësi të mirë që kemi ndërtuar tashmë.

Z.
Kryetar, ndihem e nderuar që ju më mirëpritët edhe në një ditë fundjavë dhe jam
shumë e gëzuar që do ta njoh edhe më shumë Shqipërinë.

Ju
faleminderit!