Meta pret Lajçak: Sllovakia model suksesi për Shqipërinë në BE

459
Sigal

TIRANE – Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme e të Çështjeve Evropiane të Sllovakisë Miroslav Lajcak me të cilin vlerësuan intensifikimin substancial të marrëdhënieve dypalëshe gjatë viteve të fundit.

Kryetari i Kuvendit Meta i shprehu zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm Lajcak mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe interesin që Sllovakia tregon ndaj zhvillimeve dhe procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit, duke theksuar se Sllovakia si një histori suksesi shërben si një model për vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Nga ana e tij Lajcak vlerësoi rritjen e cilësisë dhe nivelit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Sllovakisë dhe shprehu mbështetjen e plotë për përshpejtimin e axhendës evropiane të Shqipërisë dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Kryetari Meta dhe Lajcak biseduan gjithashtu mbi intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh duke vënë në dukje rolin e rëndësishëm të të dy parlamenteve, veçanërisht në drejtim të bashkëpunimit mes dy administratave, komisioneve dhe grupeve të miqësisë parlamentare.

Në përfundim Meta dhe Lajcak biseduan mbi zhvillimet e fundit në rajon, dhe ndanë bindjen e përbashkët se duke marrë në konsideratë sfidat e fundit globale, avancimi i axhendës euro-atlantike të të gjitha vendeve të rajonit do t’i shërbejë forcimit të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të të gjithë hapësirës evropiane.