Meta pret delegacionin e Miqësisë Poloni-Shqipëri nga Parlamenti i Polonisë

487
Sigal

TIRANË – Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti dje një delegacion të Grupit të Miqësisë Poloni-Shqipëri nga Parlamenti i Polonisë, të kryesuar nga Kryetari i këtij grupi, Tomasz Glogowski. Meta i uroi mirëseardhjen grupit të miqësisë nga Parlamenti i Polonisë duke vënë në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe miqësinë tradicionale që ekziston mes Shqipërisë dhe Polonisë. Ai theksoi se: “Polonia nuk është vetëm një vend mik, por edhe një vend i rëndësishëm aleat për Shqipërinë dhe në këtë drejtim duhet të thellojmë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve”. Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme të Polonisë për miratimin e statusit të vendit kandidat në BE duke theksuar se Shqipëria dhe veçanërisht Kuvendi i Shqipërisë e çmojnë asistencën dhe ekspertizën polake në kuadër të hapave të mëtejshëm të procesit të integrimit evropian të vendit. Kryetari i Grupit të Miqësisë Poloni-Shqipëri, Tomasz Glogowski, shprehu mirënjohjen për ftesën si dhe kënaqësinë për këtë vizitë të delegacionit polak në Shqipëri duke nënvizuar se të dy grupet reciproke të miqësisë do të punojnë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërparlamentare, të cilat kanë një peshë të veçantë në marrëdhëniet dypalëshe.