Meta pret delegacionin e Komitetit Hebraik Amerikan

453
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta priti sot një delegacion të Komitetit Hebraik Amerikan (AJC) kryesuar prej Shefit Ekzekutiv z. David Harris me të cilin biseduan rreth forcimit të bashkëpunimit dhe promovimit të potencialeve të Shqipërisë në botë. Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta shprehu mirënjohjen për interesin që AJC tregon ndaj Shqipërisë duke e përfshirë vendin tonë në axhendën e aktivitetit global të Komitetit Hebraik Amerikan dhe vuri në dukje se shqiptarët janë krenarë për kontributin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore duke shpëtuar të gjithë hebrenjtë që gjetën strehë pranë familjeve shqiptare. Në këtë drejtim, z. Meta theksoi se duke marrë në konsideratë marrëdhëniet e shkëlqyera që shqiptarët gëzojnë me komunitetin hebre në botë si dhe partneritetin e ngushtë me SHBA, kontributi i AJC në promovimin e vlerave dhe potencialeve kulturore, turistike dhe ekonomike të Shqipërisë është i mirëpritur.


 Shefi Ekzekutiv i AJC, z. David Harris shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të parë në Shqipëri dhe nënvizoi se Komuniteti Hebraik Amerikan, si organizatë përfaqësuese e një kombi me kujtesë të qartë historike, ndjehet thellësisht mirënjohës për atë që shqiptarët dhanë ndaj hebrenjve në të kaluarën. Duke biseduar mbi zhvillimet e fundit globale dhe sfidat e terrorizmit dhe sigurisë me të cilat përballet njerëzimi sot, z. Harris vuri në dukje se miqësia që Shqipëria ka me Izraelin, partneriteti që gëzon me SHBA dhe vlerat e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare që reflekton shoqëria shqiptare, përfaqësojnë një shembull suksesi për vendet e tjera në betejën për mbrojtjen e vlerave demokratike e shoqërore që na bashkojnë. Në përfundim, duke iu përgjigjur interesit të përfaqësuesve të AJC mbi klimën e biznesit në Shqipëri, z. Meta theksoi se kryefjala e angazhimit politik sot mbetet reformimi i sistemit të drejtësisë si një element kyç në forcimin e sundimit të ligjit dhe në rritjen e besimit në potencialet investuese të Shqipërisë në botë. Në këtë kuadër, z. Meta shprehu vullnetin për të forcuar bashkëpunimin me rrjetin global të AJC në interes të inkurajimit të investimeve të huaja në vendin tonë, dhe përmes Shqipërisë në rajonin e Ballkanit.
Sigal