Meta: “Politika konfliktuale po dominon situatën në vend, dialogu është i domosdoshëm”

507
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka bërë thirrje për dialog mes palëve politike në vend në mënyrë që të shmanget kriza. Në një deklaratë për mediat, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së LSI, Meta tha se situata politike në vend është tejet konfliktuale, dhe theksoi se përshkallëzimi i krizës mund të çojë në një situatë të vështirë.
Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka qenë i qartë në komunikimin e tij me gazetarët. Ai tha se zgjedhje pa opozitën nuk do ketë, ndërsa nga ana tjetër tha se LSI vë në dispozicion mandatet të gjitha, edhe si ministra edhe si deputetë dhe në çdo post në funksion të një zgjidhje.
Meta tha se LSI është e hapur për koalicion me PS-­në, por nga ana tjetër nuk do të bëhet pjesë e zgjedhjeve farsë.
“Realizim të plotë dhe transparent të procesit të dekriminalizmit. Zbatimi i reformës zgjedhore, kusht ende i papërmbushur. Duke vlerësuar sa më lart, LSI për këtë qëllim vendosë të vërë në dispozicion të zgjidhjes politike në vend, të gjitha mandatet e deputetëve, ministrave dhe posteve të saj.
LSI është e hapur të afirmojë për zgjedhjet e ardhshme koalicionin me PS-në. Por, nëse lidershipi i PS nuk do tregojë përgjegjshmëri për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe garantimin e kushteve LSI nuk mund të jetë pjesë e një koalicioni të tillë dhe as një farse elektorale të mundshme. LSI ka qene ë qartë se mes të djathtës dhe së majtës zgjedh të majtën. Midis farsës elektorale dhe demokracisë, zgjedh demokracinë. Mes kaosit dhe stabilitetin, zgjedh stabilitetin”, deklaroi Meta.
Ai i bëri apel kreut të Qeverisë dhe kreut të mazhorancës që të lënë mënjanë qëndrimet përjashtuese dhe konfliktuale, dhe të vijojnë me procesin e dialogut.
“LSI pasi analizoi situatën politike në vend, vlerëson se situata në politikë është tejet e tensionuar, reforma zgjedhore dhe reforma në drejtësi janë bllokuar, dhe konstatojnë një rënie të theksuar të besimit të qytetarëve te politika. Politika konfliktuale po dominon situatën në vend. Dialogu është i domosdoshëm. Çdo vonesë e çon vendin në drejtime të panjohura, dhe pasoja të paverifikueshme. Rama dhe Basha duhet të heqin dorë nga qëndrimet përjashtuese dhe konfliktuale. Vlerësojnë përpjekjen e Idrizit për dialog dhe zgjidhje të krizës. Vendi në këtë kohë ka nevojë për një zgjidhje. Duhet të garantohet mos përfshirja e administratës në fushatë. Çdo përpjekje për financimeve kriminale dhe të paligjshme të zgjedhjeve nuk do pranohet”, tha Meta.
Sigal