Meta për VOA: Shumica e angazhuar për reformën në drejtësi

456
Kreu i Kuvendit Ilir Meta në një intervistë për radion “Zëri i Amerikës”, ka sqaruar se vizita e tij në SHBA është fokusuar dhe do të fokusohet tek takimet me kongresmenë. Ai e vuri theksin tek Reforma në Drejtësi, duke shprehur edhe njëherë vullnetin e shumicës për ta çuar atë deri në fund. Meta tha se me këtë reformë Shqipëria do rrisë shanset për hapjen e negociatave me BE.
Fillojmë menjëherë për temën që ju solli këtu në Uashington. Çfarë roli i kërkohet Shqipërisë të luaj në luftën kundër terrorizmit?
Shqipëria vlerësohet me nota më të larta përsa i takon bashkëpunimit të sajnë luftën kundër terrorizmit dhe të gjithë kërcënimeve të reja, me të cilatndeshet vendi ynë, rajoni ynë, por edhe NATO dhe me këtë drejtim vlerësohet si një nga partnerët më të mirë dhe më të besueshëm. Ky është forumi i dytë që zhvillohet në Uashington nga kongresmeni Pittenger, i cili është edhe kryetari i Task-Forcës kundër terrorizmit në Kongresin Amerikan dhe ne shpresojmë që forumin tjetër ta zhvillojmë në Tiranë, ku Shqipëria ka shumë se ç’mund të thotë në këtë drejtim.
Z. Meta, gjatë këtyre ditëve keni pasur rastin të takoheni me një numër kongresmenësh, ndërkaq në të kaluarën kur keni ardhur në Uashington, por zakonisht edhe me zyrtarë të lartë të tjerë nga Shqipëria i shfrytëzojnë këto vizita për të takuar edhe përfaqësues të Ekzekutivit dhe për të matur pulsin e administratës në zhvillimet që po ndodhin në Shqipëri. A keni plane të takoni ndonjë zyrtar të lartë të administratës?
Lidhur me këtë vizitë, dua të bëj të qartë që kjo është e përqendruar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në cilësinë time si Kryetari i Kuvendit dhe kemi patur takime të niveleve më të larta, përfshirë edhe me lideren e demokratëve në Kongres, znj. Nancy Pelosi. Madje kemi patur mundësinë edhe të përshëndetemi përpara se të votohej për Kryetarin e ri të Kongresit me kryetarin e mëparshëm, z. John Boehner. Do të zhvillojmë edhe takime të tjera, por natyrisht që kjo ka qenë një axhendë e përqendruar tek Kongresi Amerikan, duke u takuar kryesisht me kryetarët e disa prej komisioneve më të rëndësishme, të Komisionit të Jashtëm, të Komisionit të Ligjeve dhe mjaft kongresmenë të shquar, të cilët merren me Shqipërinë dhe me Europën.
Z. Meta ju vini në Uashington, tema e terrorizmit patjetër është një përparësi e politikave të qeverisë së Shqipërisë, por ka një numër problemesh me të cilat ndeshet Shqipëria. Kohët e fundit keni paraqitur edhe propozimet në Komisionin e Venecias për reformën në drejtësi. Reformat që janë paraqitur në këto propozime sjellin gati një përmbysje të sistemit aktual. Ju si i shihni këto propozime?
Padyshim që është e domosdoshme të bëhet një ndryshim rrënjësor në sistemin e drejtësisë. Kjo është edhe arsyeja kryesore përse ka një angazhim kaq të madh të mazhorancës, por uroj edhe të opozitës në këtë drejtim. Sikurse ju e përmendët me të drejtë, tashmë Komisioni i Venecias do të shprehet për ndryshimet kushtetuese që propozohen për t’i hapur rrugë kësaj reforme. Unë jam i bindur që me këtë vullnet politik ne do të arrijmë të bëjmë një ndryshim rrënjësor, që të ndihet në radhë të parë tek qytetarët e Shqipërisë. 
Por vullneti politik ka munguar deri tani, sepse Shqipëria mori një notë duhet të themi negative përsa i përket avancimit të negociatave për hyrjen në Bashkimin Europian dhe “thembra e Akilit” ka qenë vazhdimisht, jo vetëm klima politike, por në radhë të parë drejtësia, mosavancimi i kësaj reforme. Si e gjykoni punën e qeverisë deri tani, ju jeni dy vjet në këtë koalicion, si e gjykoni punën e qeverisë në këtë drejtim?
Të mos harrojmë që në këto dy vjet Shqipëria mori statusin e vendit kandidat. Së dyti, është e qartë që miratimi i ndryshimeve kushtetuese, përsa i takon reformës në fushën e drejtësisë, do t’i japi një shtytje të fuqishme hapjes së negociatave të Shqipërisë. Shpresojmë që edhe progres-raporti do të reflektojë hapat pozitivë që ka bërë vendi, sepse ne problemet i dimë, këto probleme po i adresojmë dhe jemi të bindur që vendi do të shënojë progres edhe në këto fusha kritike si korrupsioni, lufta kundër krimit të organizuar dhe kështu me radhë.
Po sinjalet nuk janë aq të mira kur duke qenë se partia juaj, ju keni qenë në komisionin e reformës, pse nuk dolët me një variant të njëjtësuar? Fakti që keni dalë me variantin tuaj tregon se ka akoma divergjenca dhe ky proces mund të zgjas shumë dhe mund të mbajë peng reformën drejtësi që është edhe parakusht për avancimin e negociatave…
Së pari, duhet të kemi parasysh që varianti ka qenë një variant i ekspertëve, nuk ka qenë një variant i partive apo i mazhorancës. Jam i bindur që propozimet e deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë mjaft konstruktive dhe ndihmojnë realizimin e reformës, ashtu sikurse nuk paragjykojmë edhe propozimet e gjithë faktorëve të tjerë.
Si janë relatat brenda koalicionit qeverisës. Ju keni folur disa herë për atë që i quani “impulse” në qeveri. A shihni në të ardhmen një riformulim të krerëve të kabineteve? 
Impulset nuk kanë të bëjnë me emra dhe kjo është e keqja që në Shqipëri gjithçka personalizohet edhe në politikë, por dhe në komunikimin publik. Impulset kanë të bëjnë me domosdoshmërinë për të shtuar energjitë dhe për të arritur rezultate më të prekshme, pasi kuptohet që sfidat janë shumë të mëdha. Nuk janë sfida thjesht të Shqipërisë, janë sfida të rajonit tonë, janë sfida të Bashkimit Europian, që është një partner shumë i rëndësishëm për ne dhe në këtë drejtim absolutisht që rritja e vështirësive kërkon edhe shtimin e energjive dhe të impulseve.
Si e gjykoni qeverisjen “Rama” në lidhje me ekonominë. Ekonomia mbetet një problem ende shumë i madh për Shqipërinë dhe duket sepopulli po ju jep një votë të zëshme negative me ikje masive, me largime, me problemin e IS-is që në shkallë të gjerë komentohet si nevojë ekonomike që i detyron disa njerëz të shkojnë atje. Ju flisni për përparim, por konkretisht, si e gjykoni ju? Çfarë note do t’i vini qeverisjes “Rama” në drejtim të ekonomisë?
Së pari unë nuk jam mësues që të vë nota. Së dyti, jam edhe pjesë e kësaj qeverisje dhe e këtij koalicioni dhe njëkohësisht edhe i gatshëm për të njohur edhe përgjegjësitë e mia, por dhe të forcës politike që unë përfaqësoj. Por nuk duhet të harrojmë se kjo qeveri e mori mandatin në një situatë mjaft të vështirë. Nuk duhet të mendojmë se kjo qeveri është përgjegjëse për krizën greke, është përgjegjëse për këtë situatë të vështirë ekonomike apo financiare të Eurozonës dhe të partnerëve tanë kryesorë. Të mos harrojmë se Italia që është partnerja jonë kryesore dhe drejt së cilës shkojnë shumica e eksporteve tona, nuk ka ndonjë situatë të shkëlqyer ekonomike. Pra, ka shumë faktorë të jashtëm, ka shumë presion të jashtëm, por absolutisht që shumë më tepër duhet të bëhet në këtë drejtim. Ky ka qenë, është dhe do të jetë shqetësimi im kryesor, sepse edhe reformat e tjera duhet të synojnë pikërisht rritjen ekonomike të vendit në radhë të parë dhe në një shpërndarje sa më të drejtë të saj në radhë të dytë në mënyrë që të përmirësohet jetesa dhe standardi i qytetarëve tanë. Kështu që pa vendosur asnjë notë, patjetër që mund të them që duhet të bëjmë shumë më tepër për rritjen ekonomike të vendit. Duhet të mësojmë nga ndonjë vend fqinj, siç është edhe rasti i Maqedonisë, ku unë vazhdimisht kam insistuar për të mësuar nga eksperiencat e tyre, të cilët pavarësisht nga problemet e mëdha politike që kanë pasur apo që mund të kenë, kanë arritur të tërheqin investimet e huaja mjaft serioze dhe të jenë mjaft atraktivë edhe pse nuk i kanë mundësitë tona. Unë besoj se qeveria do ta ketë në vëmendje këtë gjë në mënyrë që vërtet ne në këtë kohë të përgjithshme që karakterizohet nga vështirësi, nga mungesë fondesh, nga probleme mjaft të mëdha për të gjetur financime, të arrijmë që ta rrisim ekonominë tonë në potencialet e saj të zhvillimit, sepse nuk mund të pretendojmë që ta rrisim mbi potencialet e saj të zhvillimit. 
Qytetarët shqiptarë po ikin përditë, me aktet e tyre tregojnë që kanë humbur besimin. Në anketat e bëra nga Transparency International del gjithmonë mungesa e besimit tek qeveritarët…?
Natyrisht që ndjej ato përgjegjësi që kam në raport me qytetarët shqiptarë, por mendoj që është gjëja më e lehtë të flasim në mënyrë populiste, absolutisht. Por duhet të jemi më realistë mendoj, sepse kemi edhe njerëz nga vendet anëtare të BE-së që ikin në vendet më të zhvilluara, si në rastin konkret të Gjermanisë. Kjo nuk do të thotë se këto vende kanë probleme të tilla, që meritojnë do të thosha, një karakterizim të tillë edhe të përfaqësimit të tyre politik. Ndryshe do t’i gënjejmë njerëzit dhe do t’u krijojmë iluzione sikur gjërat do të ndryshojnë në mënyrë të shpejtë dhe në mënyrë të jashtëzakonshme, duke ndryshuar gjoja disa politikanë që janë përgjegjës.
Sigal