Meta: Për mua stabiliteti, qetësia dhe e ardhmja europiane e Shqipërisë janë gjërat më të shtrenjta

72
Intervista e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, njëkohësisht President i zgjedhur të Republikës për emisionin “TOP STORY” në “Top Channel” (PJESA I)
Urime edhe një herë për postin e lartë dhe të nderuar të Presidentit të Republikës! Megjithëse duhet thënë, zoti President, më lejoni t’ju drejtohem kështu tani…
Pas 24 korrikut…
Presidenti i zgjedhur jeni në çdo rast. Disa e kanë krahasuar zgjedhjen tuaj atë ditë me atë të Presidentit të zgjedhur në vitin 1997, qoftë të Berishës në mars, qoftë më pas të zotit Mejdani. Pra, edhe ju vetë nuk u dukët shumë i lumtur atë ditë!
Mendoj se nuk ka asnjë paralelizëm, të paktën me rizgjedhjen e zotit Berisha në vitin 1997, sepse ajo rizgjedhje ndodhi në një parlament të kontestuar për shkak të zgjedhjeve të 26 majit. Ndërsa kjo zgjedhje u zhvillua në një parlament tërësisht legjitim jo vetëm kaq, por edhe më një maxhorancë tepër solide, pavarësisht se, për fat të keq, opozita nuk ndodhej aty për shkak të axhendës së saj të caktuar politike. 
Por natyrisht që unë nuk kam qenë i lumtur, sepse situata në vend nuk mund të bëjë asnjë politikan të përgjegjshëm të lumtur, pra kur ne shohim përditë përshkallëzimin e një retorike, e cila nuk na ndihmon për të organizuar zgjedhje model, siç i meritojnë qytetarët tanë pas 27 vjetësh pluralizëm dhe demokraci, njëkohësisht eksperience të një kulture të re demokratike, europiane që duhet të tregojë.
Kjo është arsyeja pse nuk kam qenë i lumtur dhe nuk mund të jem i lumtur, sepse nuk ka asnjë arsye vërtet për të qenë i lumtur, jo vetëm për mua që jam Kryetar i Kuvendit dhe që do të jem Presidentit i ardhshëm i Shqipërisë nga 24 korriku, por edhe për çdo politikan tjetër që ka përgjegjësi të rëndësishme në Shqipëri qoftë në maxhorancë, qoftë në opozitë.
Z. Meta, a është e vërtetë që keni rezistuar deri në minutën e fundit për të mos u bërë President?
Nuk kam pasur asnjë qëllim të bëhem President apo të rezistoj që të mos bëhem President. Unë jam tashmë një politikan profesionit dhe di të marr vendime, të cilat nuk janë thjesht në interesin tim personal apo të karrierës sime, por në funksion të zgjidhjeve të caktuara. 
E vërteta është që unë kam insistuar që në fillim për shkak të kësaj krize dhe të këtij ngërçi politik për qëndrimin e opozitës për zgjedhjet dhe për bojkotin e parlamentit, që çështja e Presidentit të vendosej në një paketë mirëbesimi, e cila do t’i ofrohej opozitës së bashku me mundësi dhe instrumente të tjera, me garanci të tjera për ta përfshirë atë në zgjedhje, por, njëkohësisht, edhe për të dhënë mesazhe të bashkëpunimit, të demonstrimit të një uniteti kombëtar. 
Madje, kam insistuar që Presidenti të propozohej nga Partia Demokratike, me qëllim që të arrinim një marrëveshje për zgjedhjet, ta lehtësonim, ta thyenim këtë ngërç politik dhe psikologjik njëkohësisht. Për këtë arsye u dogjën edhe tri raundet.
Edhe kjo ishte e përfshirë në ofertën e McAllister, apo jo?
Po, patjetër, ishte një nga çështjet e para.
Meqenëse shumë e quajnë oferta “Meta” sesa oferta “McAllister”…
Jo, nuk ishte oferta “Meta”, por ishte vërtet oferta “McAllister” e mbështetur nga reporteri Fleckenstein. 
Unë kam qenë një mbështetës i fortë i atyre propozimeve, sepse, në radhë të parë, dua të them se kam takuar shumë politikanë në jetën time nga të gjitha nivelet në një moshë shumë të re, por vërtet më ka lënë një mbresë të jashtëzakonshme, edhe pse ishte hera e parë që takohesha me z. McAllister, përgjegjshmëria e tij, neutraliteti i tij dhe dëshira e madhe për të dhënë kontribut të paanshëm, për të krijuar një klimë mirëbesimi dhe për të zhbllokuar këtë proces, i cili është shumë i rëndësishëm për stabilitetin dhe për të ardhmen e Shqipërisë.
Por është shumë i rëndësishëm edhe për stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit, ku Shqipëria ka ndikimin e saj, njëkohësisht edhe për vetë Europën. Përshkallëzimi i krizës në Shqipëri absolutisht nuk i shërben askujt në këto kohë kur turbulencat janë prezent dhe të paparashikuara.
Sa i lartë është ky rrezik z. Meta? 
Këtë gjë nuk mund ta them, sepse …
Kemi protestën e opozitës pas dy ditësh…
Ne jemi në një situatë që nuk ka ndodhur ndonjëherë. 
Natyrisht, unë kam një përvojë si politikan, besoj si ju si gazetarë, në ‘96, kur presidenti i atëhershëm, zoti Berisha, në mënyrë jo demokratike ndryshoi Kodin, bëri një ligj, që u quajt ligji për gjenocidin, i cili përjashtoi shumë figura të njohura të opozitës. 
Ju përsëri u futët në zgjedhje. 
Gjithashtu, Fatos Nano ishte në burg dhe, ne pavarësisht nga të gjithë këto, hymë në zgjedhje dhe u tërhoqëm në fund dhe ju e dini çfarë kolapsi ndodhi me gjithë procesin zgjedhor, megjithëse nuk nguruan, edhe një ditë pas zgjedhjeve, përfaqësues të komuniteteve ndërkombëtare që përpiqeshin ta pranonin këtë…
Në emër të stabilitetit…
… këtë lloj farse, por kjo nuk zgjati shumë. Ne e dimë që vendi pastaj, për fat të keq, kalojnë … më pas u bënë ca zgjedhje model.
Në tetor të ‘96-ës.
Ato ishin zgjedhje…
Ishin zgjedhjet më të qeta që ndoshta janë mbajtur ndonjëherë… 
Po, po, ato ishin zgjedhje model dhe PD-ja fitoi, por kjo situatë ishte tërësisht një situatë e papranueshme dhe shumë shpejt vendi rrëshqiti drejt një krize të tmerrshme, siç ishte ajo e vitit ‘97. Kështu që si mund të parashikojmë ne tani në një moment kur Partia Demokratike dhe forca të tjera të rëndësishme të opozitës pretendojnë që nuk do të hyjnë në zgjedhje dhe jo vetëm kaq, por nuk do të lejojnë që të ndodhin zgjedhjet në Shqipëri, që, për mendimin tim, është një qasje tërësisht e papranueshme, sepse në demokraci ti ke të drejtë të kërkosh të drejtat e tua, por në demokraci edhe do të luftosh për këto të drejta, për t’i garantuar, për t’i mbrojtur, për t’i fituar dhe rruga e vetme si rrugë zgjidhjeje, ajo e konfrontimit, është një rrezik i madh për të gjithë, por në radhë të parë, për vendin dhe për qytetarët e këtij vendi, jo thjesht për klasën politike.
Ju përmendët situatën pas 26 maj të vitit ‘96, ku thatë që edhe atëherë përfaqësues ndërkombëtarë tentuan t’i quajnë legjitime këto zgjedhje, megjithëse, në mos gaboj, ka pasur një raport të OSBE-ODIHR-it, që kërkoi të përsëritjen e zgjedhjeve në një numër të madh zonash.
Gjërat dolën jashtë kontrollit, unë e mbaj mend shumë mirë. Atëherë u raportua edhe një reagim i doktorit, sepse këta u lëshuan për t’i bërë qejfin doktorit dhe për t’u futur në garë se kush do të mbushte kutitë më shumë, edhe këta raportuan që u fitua edhe në Skrapar. Kur e mori vesh doktori këtë, i tha: “Budallenj, kthejeni shpejt Skraparin se nuk na beson njeri!”. 
Megjithatë sot ka pasur një letër publike të komisionerit të zgjerimit, Johannes Hahn, i cili i përket spektrit të djathtë politik të Parlamentit Europian, të Partive Popullore Europiane, ku në një farë mënyrë ai dha një farë verdikti të Komisionit Europian, lidhur me përgjegjësit e krizës dhe gishti i përgjegjësive u drejtua nga PD, ku pati dhe paralajmërime serioze, edhe për këtë që ju thatë, për mospengimin e zgjedhjeve më 18 qershor dhe përmbajtjen e përgjegjësive në rast se situata përshkallëzohet. A keni ndonjë koment për këtë letër të ashpër?
Në radhë të parë, për këtë situatë në vend dua të them se Partia Demokratike, ose le të themi më mirë lidershipi i saj, pa dyshim që mban një përgjegjësi serioze, sepse ka pasur mundësi të bëhej pjesë e një zgjidhjeje dhe të merrte disa garanci që deri më sot asnjë opozitë nuk e ka arritur në Shqipëri në mënyrë të vullnetshme, kjo nga ana e maxhorancës, pavarësisht se ka dëshirë apo jo maxhoranca. Në fund fare është vullneti i saj, sepse shumica që është në parlament është e këtyre përmasave. Nuk mund t’i imponohesh me votë dhe, paketa McAllister, meqenëse po e konsiderojmë të tillë, mendoj se ishte një zgjidhje shumë e mirë për opozitën për t’u përfshirë në proces, mundësi për të marrë postin e Presidentit të Republikës.
Futen në qeveri apo jo…
Ata e kishin të gjithë mbështetjen time që të shtyhej data e zgjedhjeve deri në 16 korrik, pra, për t’i dhënë një kohë për të bërë listat e kandidatëve, apo për t’u dhënë kohë edhe disa ndryshimeve në qeveri. Bëhej fjalë për zgjedhje konsensuale, 4 ministri, pa përcaktuar se cilat dhe ku mendohet se mund të ketë interferencë elektorale.
Po që besoj ata me impakt elektoral…
Propozohej që kryetari i KQZ-së t’i jepej opozitës. T’i jepej dhe Ombusmani, që do të ishte krejtësisht normale, sepse edhe në të kaluarën iu dha opozitës nga Partia Demokratike në atë kohë në pushtet. Shumë elemente të tjera, siguritë apo garancitë, edhe mund të mos ishin të mjaftueshme për PD-në në një moment mosbesimi, por ishin disa masa garancie të cilat nuk kishin ndodhur më përpara dhe natyrisht që…
Pse nuk e pranoi Partia Demokratike këtë sipas jush? Kryeministri Rama thotë që është çështja e vetingut, sepse në një rast bojkoti të mundshëm të zgjedhjeve, i bie që një parlament tjetër pa Partinë Demokratike, por me parti të tjera, do ta bëje procesin e vetingut. Pra, a ju duket ndonjëherë sikur kjo shkon dhe përtej çështjes së vetingut?
Të them të drejtën jo vetëm çështja aktuale, që unë kam vështirë të jap një përcaktim të qartë, por edhe zhvillime përpara miratimit me konsensus të reformës në drejtësi, më kanë krijuar një ndjesi që ka interesa jo thjesht për të çuar para një reformë, apo për të bllokuar një reformë, për të bërë zgjedhje të lira, apo për t’i dështuar ato. Duket sikur ka interesa për të krijuar një përplasje dhe një konfrontim të panevojshëm në Shqipëri. A vjen kjo nga mosorientimi i duhur i politikanëve shqiptarë për të fituar interesin e vendit, prioritetet e vendit dhe respektimin e rregullave të lojës? A vjen kjo nga ndikime të tjera, të cilat mund të kenë axhenda të tjera në Shqipëri, dhe përmes Shqipërisë në rajon, unë këtë gjë nuk mund ta them sot me saktësi, por kjo është…
Por fakti që e keni si dilemë, është e rëndë.
E kam si ndjesi dhe mua ndjesitë nuk më gabojnë, por në fund fare përgjegjësia është e të gjithëve ne, nuk është vetëm përgjegjësi e lidershipit të Partisë Demokratike, që, për mendimin tim, duhet t’i kishte dhënë një zgjidhje kësaj situate dhe e pati mundësinë. Dhe në fund fare pa dyshim që ky është një proces i paparashikueshëm që do t’i krijojë dëme afatgjata vendit. Natyrisht që do të dëmtojë të gjithë politikanët, përfshirë edhe mua që mund të kisha bërë diçka më shumë. Nuk e di se çfarë mund të kisha bërë.
Çfarë mund të kishit bërë më shumë?
Unë nuk e di se çfarë mund të kisha bërë më shumë, por ndoshta mund të kisha bërë diçka më shumë. 
Por maxhoranca ndoshta mund të kishte bërë diçka më shumë.
Ajo që nga maxhoranca për mua është e papranueshme, jo maxhoranca, por ndoshta edhe nga vetë Kryeministri, është çështja e retorikës. Ashtu sikurse kërkesa e opozitës që duhet të ikë Kryeministri bën patjetër. 
Është një kërkesë që duket thjesht si një personalizim i konfliktit politik. Mendoj se Kryeministri, në çdo rast, pavarësisht se edhe mund të atakohet padrejtësisht, ka përgjegjësi për vendimin më shumë sesa kryetari i opozitës dhe çdo përfaqësues i saj. Nuk ka arsye përse të japë dorëheqjen, në qoftë se nuk e mendon se kjo e zgjidh këtë situatë, por mendoj që në çdo rast, çdo retorikë ose çdo përgjigje konfliktuale nuk ndihmon një atmosferë më të paqtë, më të qetë dhe më mirëbesuese.
Megjithatë, në negociatat me McAllister, cili ishte pozicioni i Kryeministrit?
Mendoj se ishte një pozicion i pranueshëm. Ishin përfaqësues të tjerë të PS-së pak më agresivë, por unë besoj se ishte pranë pranimit të kësaj zgjidhjeje. Natyrisht, gjithmonë me kushtin e vettingut, natyrisht që është një gjë mjaft e pranueshme gjithashtu, sepse duheshin të zhbllokoheshin të gjitha proceset në të njëjtën kohë, por fakti që nuk u pranua nga kryetari i PD-së e la atë proces pezull.
Në fakt, kryetari i PD-së iu rikthye pak ditë më vonë kësaj pakete dhe la të kuptohej se mund të ishte sërish një moment i negociueshëm. Megjithatë, dy raunde rresht te Presidenti Nishani dështuan sërish. Kryeministri mbajti një qëndrim pak më të tërhequr nga paketa “McAllister”. Por, ndërkohë, jemi në kushtet kur nuk kemi parlament, kur kanë skaduar të gjitha afatet e mundshme..
Ne parlament kemi. Deri më 9 shtator është ky parlament dhe mund të mblidhet, i ka instrumentet për t’u mbledhur…
Por, ama, afatet e tjera, për sa i përket afatit të regjistrimit të kandidatëve…
Patjetër, çdo ditë që kalon e bën situatën më të vështirë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet bërë çdo përpjekje për të gjetur një zgjidhje që e përfshin opozitën, në rast se edhe ajo reflekton dhe e tregon këtë vullnet.
Ndërkohë, kemi një padi në Kolegjin Zgjedhor nga opozita për afatin e regjistrimit të kandidatëve. A mund të jetë ky një moment, nga pikëpamja institucionale, që mund të hapë një spirale të re? Ju si e shikoni?
Nuk mund të them asgjë konkrete për arsye se unë asnjëherë nuk jam marrë thellësisht me procedurat e Kodit Zgjedhor, sepse këto janë çështje mjaft të imta dhe teknike. Janë institucionet që vendosin në bazë të ligjeve.
Por çështja e zgjedhjeve mendoj se nuk është një çështje, meqë përmendët termin “teknik”, thjesht teknike, as si është qeveria teknike, as si është votimi elektronik. Në radhë të parë, është çështje vullneti politik dhe vullneti politik duhet të jetë më i fortë nga të gjitha palët për të garantuar një situatë normale, të qetë, paqësore, konstruktive, larg çdo lloj presioni, qoftë edhe verbal, ndaj elektoratit, ndaj votuesit, ndaj qytetarëve, në mënyrë që ata vërtet të votojnë në një mënyrë krejtësisht të pavarur dhe vërtet të ndjehen qytetarë të një vendi europian.
Si e gjykuat tërheqjen e PS-së nga gara e Kavajës?
Ishte një veprim shumë normal dhe i arsyeshëm, por njëkohësisht ishte një veprim, i cili edhe më parë, po të ishte bërë, më mirë do të kishte qenë, që është për t’u përshëndetur, sepse shfryu një tension të panevojshëm.
Ndërkohë, pasnesër kemi një protestë që është etiketuar nga organizatori i saj si “nëna e të gjitha protestave”, ish- Presidenti dhe ish- Kryeministri Berisha e quajti “Everest”. A keni një porosi, edhe nga pozitat e reja institucionale që keni?
Nuk më takon mua të jap porosi, por unë mendoj që PD-ja ka të drejtë të luftojë për çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si çdo opozitë, ashtu sikurse Partia Socialiste e ka bërë këtë gjë më përpara me Partinë Demokratike, ashtu sikurse në vitin 2008 LSI-ja e ka bërë ndaj të dyjave së bashku dhe çdo force tjetër, sepse çështja e zgjedhjeve nuk është thjesht çështje e opozitës apo e partive, është çështje e qytetarëve, këtë duhet ta kuptojmë. 
Është detyrimi ynë t’u japim mundësi atyre të shprehen në mënyrë të qetë dhe normale, të paktën një herë në katër vjet ata të flasin, të jenë vetvetja dhe të dëgjohen. Në këtë drejtim unë shpresoj që Partia Demokratike do të vazhdojë me protestat paqësore, por njëkohësisht duhet të punojë dhe të investohet për një zgjidhje.
Thjesht, më bëri përshtypje ajo që intuita juve ju thotë, që mund të ketë edhe forca të tjera të interesuara, pasi edhe momenti rajonal nuk duket… 
Unë asnjëherë nuk e kërkoj fajin tek të huajt.
Por që mund të shfrytëzohet. Pra, ekziston potencialisht mundësia që të shfrytëzohet kjo situatë.
Për fat të keq, më vjen ndër mend ajo thënia: “Armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve janë vetë shqiptarët”, sepse mund të ketë dikush interes për të krijuar një problem në Shqipëri, por në qoftë se nuk do të ketë një partner lokal, apo jo, atëherë kjo gjë nuk mund të ndodhë. Kështu që është përgjegjësia jonë që të mos ndikohemi nga asnjë lloj faktori, por të ndikohemi nga interesi i vendit dhe të jemi të ndershëm dhe të përgjegjshëm me njëri-tjetrin dhe me vendin. 
Megjithatë, z. Meta, u duk që në çadër pati një pezmatim në momentin që u mor vesh që ju do të ishit kandidati, që ju u votuat. Z. Basha, bëri edhe një akuzë, ku tha se 35 milionë euro kushtoi kandidimi dhe zgjedhja e Ilir Metës president, duke iu referuar një shtese që bëri qeveria në fondin e rrugës së re Tiranë-Elbasan. U duk sikur u vërtetua ajo që në fakt shumë vetë e mendonin, le të themi, në atë lojën politike që nisi në bulevard nuk kishte vetëm dy pole, por kishte tre: tre kanë qenë gjithmonë që prej vitit 2003, por jam duke folur edhe në atë situatën aty të ngushtë: zyra e Kryeministrit, zyra juaj dhe çadra, u duk sikur kishte një lojë treshe, dhe kjo u vu re te pezmatimi i çadrës kur ju u zgjodhët president?
Problemet e rrugëve z. Basha i njeh më mirë se unë, sepse unë nuk kam qenë ministër i Transportit dhe nuk e di se si janë këto çështje. Për ju dhe teleshikuesit mund të ishte me interes, në qoftë është ky shqetësimi i opozitës, dhe është shqetësim i drejtë në rast se ka një abuzim, të merrnit në një debat drejtorin aktual të rrugëve dhe ish-drejtorin e rrugëve për rrugën Tiranë-Elbasan, meqë për këtë bëhet fjalë. Ajo që mund t’ju them është se kur zoti Basha bëri këtë akuzë mua më thanë që ministri i Transportit do të shkonte te rruga, atje ku ishte bërë kjo rrëshqitja, devijimi i projektit që ishte bërë që në atë kohë, pra që në vitin 2013, që t’i jepte një përgjigje zotit Basha. 
Më thanë edhe përgjigjen që ai donte të jepte dhe unë iu luta që të mos e bënte këtë gjë, sepse unë e mirëkuptoj situatën, ngarkesën, përgjegjësinë dhe stresin që ndodhet z. Basha, përfaqësuesit e opozitës, sepse kam qenë vetë në një grevë urie në parlament dhe e di. Unë kisha përgjegjësi për njerëzit brenda, kisha përgjegjësi për njerëzit jashtë dhe kjo nuk është fare e rëndësishme. 
Por edhe në qoftë se z. Basha nuk e di, sepse nuk kemi ndonjë njohje kaq të madhe, besoj se z. Berisha e di që për Ilir Metën nuk ka çmim, sepse për mua stabiliteti, qetësia dhe e ardhmja europiane e Shqipërisë janë gjërat më të shtrenjta që nuk e njohin këtë çmim.
Z. Meta, zgjedhja juaj si president a jua komprometoi kanalet e komunikimit që ju i kishit me opozitën dhe nuk i keni fshehur kurrë?
Unë kam pasur kanale komunikimi me opozitën, nuk e fsheh dhe kam, por mund t’ju them se qëndrimet e mia kanë qenë publike, askush nuk ka përse të keqkuptohet ose pse të krijojë iluzione…
Besoj se edhe Kryeministri e vlerësoi këtë si një nga asetet që ju bëri ju President?
Faleminderit! E para, për dekriminalizimin i kam dhënë të drejtë Partisë Demokratike që kur është bërë ligji, që kur kanë ndodhur ngjarjet në parlament, e kemi mbështetur e të tjera. Mund ta them edhe këtu, për të gjithë ata që kanë merak çështjen e reformës në drejtësi se nuk po zbatohet, po të mos kishte ndodhur problemi i dekriminalizimit, i atyre ngjarjeve që ndodhën në parlament e të tjerë, reforma në drejtësi do të ishte zbatuar me kohë, por ato ngjarje, ato vonesa, ai bojkot e kështu me radhë i spostuan gjërat në kohë dhe reforma në drejtësi dhe çështja e zgjedhjeve u bashkuan duke krijuar një masë kritike dhe një politizim të panevojshëm dhe të dëmshëm.
Së dyti, për çështjen e kanabisit apo të drogës, qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë, madje po them se opozita ka qenë pak më e vonuar dhe nuk i takonte LSI-së, e cila ishte pjesë e një qeverie, ta ngrinte këtë çështje më shpesh dhe më fort.
Opozita e ktheu në një kauzë reale këtë çështje vetëm mbas humbjes në Dibër. Unë mendoj se krijoi bindjen apo e gjeti si një lloj justifikimi që kanabisi u përdor për të deformuar rezultatin, sipas tyre.
Pra, për ato çështje që ne mendojmë se opozita ka të drejtë, ka të drejtë dhe pikë. Unë nuk mendoj se ka ndonjë shqetësim, bile mendoj që edhe për çështjen e zgjedhjeve, çdo garanci që kërkon opozita, t’ia japim.
Përsa i takon çështjes së heqjes së Kryeministrit: si do të hiqet Kryeministri? Mbetet në vullnetin e tij, nëse ai ka dëshirë për të dhënë dorëheqjen për t’i dhënë një zgjidhje dhe për ta ç’tensionuar situatën, apo jo.
A duhet ta kishte bërë, sipas jush?
Më falni! Kjo është tjetër çështje. Unë po flas për raportin e opozitës me çështjen.
Së dyti, për çështjen e zgjedhjeve, sipas meje, nuk është tabu të shtyhen zgjedhjet 1-2-3-4 javë, pavarësisht se nuk është serioze. 
Opozita ka kërkuar 6 muaj…
Por asnjëherë, unë nuk i kam krijuar asnjë iluzion opozitës as direkt, as indirekt, as përmes përfaqësuesve ndërkombëtarë, që të mund të ndodhnin zgjedhje përtej korrikut, sepse më 9 shtator mbaron mandati i këtij parlamenti, i cili mund të mblidhet në çdo kohë (edhe sot, edhe nesër, edhe në çdo ditë të shtatorit), pavarësisht nga zgjedhjet apo nga parlamenti i ri që do të krijohet, por mbas 9 shtatorit, sipas Kushtetutës, mandati i këtij parlamenti mund të zgjatet automatikisht vetëm nëse (larg qoftë), Shqipëria hyn në gjendje lufte me dikë dhe zgjat automatikisht për aq kohë sa zgjat gjendja e luftës. 
Natyrisht, ne nuk jemi në atë gjendje, pavarësisht se ka shqetësime për drogën, për dekriminalizimin dhe është bërë një ligj që duhet zbatuar. Ai është zbatuar deri diku dhe duhet zbatuar deri në fund, pavarësisht se ka shqetësime për zgjedhjet, për keqpërdorimin e administratës, për përdorimin e parave të pista në fushatë e të tjera, por ne nuk jemi në gjendje të themi që do të bëhen zgjedhjet në tetor, në dhjetor apo do të bëhen zgjedhjet, kur të përfundojë votimi elektronik, sepse do të jetë shumë e vështirë që kjo gjë të mirëkuptohet.
Unë besoj kam qenë shumë i qartë për këto çështje, ashtu siç kam thënë që duhet një qeveri besimi që të garantojë, të japë besim për zgjedhjet. Pozicionin e Kryetarit të Kuvendit, pozicionet e ministrave të LSI-së dhe çdo gjë tjetër, ne i vëmë në dispozicion (jo thjesht që t’i marrë opozita), por nëse PS-ja është e detyruar të lëvizë disa ministra, le të marrë këto pozicione.
Megjithatë, ju e keni krijuar këtë iluzion dhe unë i referohem deklaratave publike dhe komunikimeve tuaja për çështjen e shtyrjes së zgjedhjeve. Ju e keni krijuar këtë iluzion, kur deklaruat atë të hënë (pas darkës së famshme te Pazari i Ri), se LSI-ja nuk do të futej në zgjedhje, në rast se PD-ja nuk do të futet në zgjedhje. Sot jeni në një pozitë tjetër, apo jo?
Unë jam shumë i kujdesshëm. Ajo është një nga deklaratat më të përgjegjshme që ka bërë Kryesia e LSI-së, e cila u bë në një kohë shumë të favorshme për t’i paraprirë evitimit të përshkallëzimit të krizës, sepse çdo ditë që kalonte dhe çdo orë që kalon sot, na vë në një situatë edhe më delikate. Ka qenë shumë e qartë që ne duke theksuar domosdoshmërinë e përfshirjes së opozitës ose të një qeverie të besimit (edhe kjo qeveri që është, le të japë besim dhe le të rrijë), nuk ka problem. 
Ne bënim të qartë që e kushtëzonim koalicionin me PS-në me demonstrimin nga ana e saj të kësaj të vullneti maksimal për të krijuar këtë klimë besimi për përfshirjen e opozitës në zgjedhje.