Meta për median italiane: Zgjedhjet e qershorit nuk ishin legjitime

500
Sigal

Presidetni Ilir Meta ka dhënë një intervistë për gazetën prestigjioze italiane Il Giornale.

President, pas vendimit tuaj për të shtyrë zgjedhjet lokale më 30 qershor dhe zgjedhjen e qeverisë për t’i realizuar ato, si kanë ndryshuar marrëdhëniet midis jush dhe kryeministrit Edi Rama?

Nëse nuk do të kisha nxjerrë dekretin për të shtyrë zgjedhjet më 13 tetor, një datë jo e rastësishme, sepse më 18 tetor do të vendoset nga Bashkimi Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të ishte e pashmangshme një përplasje mes dy kampeve politike.

Në një kohë që unë veproja sipas Kushtetutës, përgjegjësia e Kryeministrit ishte që ai nuk po e kuptonte se zgjedhjet e zhvilluara në këtë mënyrë ishin problem për negociatat me BE-në.

Zgjedhjet e qershorit nuk ishin as kushtetuese, as ligjore, as legjitime, vetëm Gjykata Kushtetuese mund të kundërshtojë dekretin e Presidentit. Është për të ardhur keq që deri më sot veprimtaria e gjykatës është pezulluar me vullnetin e Ramës. Për të kuptuar parregullsinë e këtyre zgjedhjeve, mjafton të mendosh faktin se në të gjitha 61 bashkitë ku u zhvilluan votime, fituan socialistët sepse nuk kishin asnjë kundërshtar si gjatë regjimit komunist.

E keni seriozisht?

Do t’ju them më shumë: jo vetëm që partia e Kryeministrit ka zgjedhur të gjithë kryetarët e bashkive, por edhe të gjithë anëtarët e këshillave bashkiakë, përfshirë edhe qytetin e Tiranës. Rezultati i pjesëmarrjes u shpall pas më shumë se njëzet ditëve dhe ishte zyrtarisht 23%, por në të vërtetë ishte më i ulët.

Disa javë para zgjedhjeve në 30 qershor, e përjavshmja gjermane “BILD” publikoi një seri përgjimesh për politikanët e Partisë Socialiste, zyrtarë të Policisë dhe elementë të krimit të organizuar, gjë që tregon se shumë marrëveshje ishin rezultat i shkëmbimit të votave, duke nxjerrë zbuluar një sistem korrupsioni shqetësues. Çfarë mendoni për këtë histori?

Është e papranueshme që vitet e fundit nuk është bërë asnjë hetim i thelluar për këto ngjarje. Është një nga rastet më të rënda të funksionimit të shtetit të së drejtës, zhvillimi i zgjedhjeve të rregullta është zgjidhja kryesore për krizën aktuale. Nevojiten masa të forta për të zhdukur problemin e drogës, fitimet që vijnë nga trafiku i drogës janë shumë më të larta në Shqipëri sa i përket dimensioneve të ekonomisë sonë sesa në vendet më të mëdha si Italia apo Gjermania.

Kanë ngjallur debat edhe disa deklarata tuaja-t ku denonconit influencën e Sorosit në Shqipëri. Cila është marrëdhënia midis “Shoqërisë së Hapur” dhe reformës së sistemit të drejtësisë shqiptar? Në ç’mënyrë ka ndikuar Soros?

Ne jemi një komb i vogël dhe duhet të jemi të kujdesshëm në një epokë globalizimi si kjo aktualja për të ruajtur vlerat që qëndrojnë në themelet e Shqipërisë, duke nisur nga identiteti ynë. Duhet të mbrojmë interesat tona kombëtare pa përfunduar në duart e lojtarëve ndërkombëtarë privatë. Unë nuk jam një populist, por një realist që dëshiron të mbrojë Shqipërinë.

Cili është statusi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian?

Unë besoj se anëtarësimi ynë në Bashkimin Europian është i nevojshëm, megjithëse progresi i bërë deri më sot nuk është shumë inkurajues. Ajo që më shqetëson më shumë është emigrimi me ritme të larta i të rinjve,është e nevojshme të krijohen perspektivat në të ardhmen për të rinjtë që vendosin të largohen nga Shqipëria. Çdo vit dhjetëra mijëra njerëz largohen nga vendi ynë dhe nëse vazhdojmë kështu, do të përballemi me shpopulliminqë ngjason me atë të viteve ‘90-të pas rënies së komunizmit. Nëse asokohe kjo gjë ishte e kuptueshme, sot nuk është më kështu sepse duhen përgjigje efikase nga politika.

http://www.ilgiornale.it/news/elezioni-giugno-non-sono-state-legittime-1745352.html?mobile_detect=false

Image