Meta: Partitë në Kosovë të gjejnë zgjidhje të mençura

648
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u bëri thirrje dje partive politike në Kosovë që të gjejnë, siç tha, zgjidhje të mençura për të gjitha çështjet, të cilat do ta forcojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Ai i bëri këto komente në Prishtinë, pas një takimi me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, gjatë të cilit u tha se u diskutua për ardhmërinë evropiane të të dyja vendeve. Presidenti Meta tha se Shqipëria do të ndihmojë Kosovën për të gjetur zgjidhje për të gjitha temat me të cilat përballet ajo. “Shpresoj shumë në angazhimin e mëtejmë edhe të kryeministrit Haradinaj dhe të gjithë qeverisë, por edhe të opozitës për të dhënë zgjidhje të mençura për të gjitha ato çështje të cilat do ta forcojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Në këtë drejtim, mund të sigurojmë Kosovën për mbështetjen tonë maksimale, gjithmonë në bashkërendim me kryeministrin, me presidentin dhe parlamentin e Kosovës dhe të gjitha institucionet këtu”, tha presidenti Meta. Ai shtoi se procesi i integrimeve evropiane i bashkon vendet e rajonit, ndërsa i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të inkurajojë shtetet për të ardhmen e tyre drejt integrimeve evropiane. “Ne duhet të bëjmë çdo gjë, si Shqipëria por edhe Kosova dhe vendet tjera në rajon për të përmbushur zotimet tona për integrime evropiane. Sa i përket strategjisë së zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të ketë konsideratë në të gjitha vendimmarrjet në të gjitha raportet në rajon në mënyrë që i gjithë rajoni të inkurajohet dhe të ketë data apo afate inkurajuese për sa i përket procesit të reformave që do ta transformonin këtë rajon në një rajon të vërtetë evropian”, tha presidenti Meta. Ndërsa, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se pengesë për vendin mbetet mosnjohja nga pesë vende të Bashkimit Evropian. “Kosovën e vështirëson shumë fakti që pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur, është një pengesë e madhe në ecjen përpara, fakti që nuk na kanë njohur pesë vende ne trajtohemi si etnitet pa identitet politik të mirëfilltë si një republikë e pavarur e sovrane që dallon me Amerikën”, tha kryeministri Haradinaj.
Sigal