Meta-Orlando: Bashkëpunim Shqipëri-Siçili për projekte të përbashkëta ekonomike

59
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta priti sot Kryetarin e Bashkisë së Palermos, Leoluca Orlando. Gjatë fjalës së tij, Meta i uroi mirëseardhjen në Tiranë z. Orlando duke shprehur ndjenjat më të ngrohta të miqësisë së popullit shqiptar për Siçilinë dhe popullin e saj mik. Kryetari i Kuvendit u shpreh se ekziston një lidhje e fortë historike miqësie mes dy popujve tanë, e cila përforcohet edhe përmes prezencës së fshatrave arbëreshe në Siçili, lidhje e cila duhet materializuar në projekte konkrete bashkëpunimi e investimi për të ardhmen.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Palermos z. Leoluca Orlando shprehu kënaqësinë e kësaj vizite të parë në Shqipëri dhe i përcolli Kryetarit të Kuvendit z. Meta përshëndetjet më të përzemërta të Komunës së Palermos si dhe të Shoqatës së Komunave Siçiliane. Z. Orlando vuri në dukje se shqiptarët kanë një domethënie të veçantë për popullin siçilian falë lidhjeve historike. 
Meta dhe Orlando ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit dhe hartimin e projekteve të përbashkëta ekonomike, turistike dhe kulturore mes Siçilisë dhe Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer italo-shqiptar por edhe në kuadër të prioriteteve zhvillimore të hapësirës mesdhetare.Në përfundim të takimit z. Orlando e ftoi z. Meta të vizitojë Siçilinë së shpejti, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.