Meta: Negociatat me BE-në të çelen gjatë 2018-s

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, bisedoi dje me zëvendëspresidenten e Republikës së Bullgarisë, Iliana Iotova, lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Presidenti Meta përshëndeti vizitën e zonjës Iotova në Shqipëri dhe, duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira tradicionale dhe historike, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Duke e konsideruar procesin e integrimit evropian një forcë të fuqishme nxitëse për reformat e gjithanshme në vend, Kreu i Shtetit shprehu besimin se gjatë Presidencës së ardhshme bullgare të BE-së, Shqipëria do të mund të çelë negociatat e anëtarësimit. Gjithashtu Presidenti Meta theksoi domosdoshmërinë e liberalizimit sa më të shpejtë të vizave ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim lidhur me nevojën e një vëmendjeje më të madhe nga të dy vendet për rivitalizimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, veçanërisht në kuadrin e ndërlidhjes energjetike dhe të Korridorit të 8-të multimodal. Nga ana e saj, Iotova e siguroi Presidentin Meta se, Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor do të ketë një vëmendje të veçantë gjatë Presidencës bullgare (janar-qershor 2018), për të rikthyer edhe njëherë vëmendjen e BE-së ndaj këtij rajoni dhe procesit të zgjerimit.