Meta në Vorë: Deri në 2017 nuk do të ketë grua e vajzë në Vorë që nuk do të ketë vendin e punës

64
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta mori pjesë në një takim me strukturat e Lëvizjes së Gruas për Integrim (LGI), ku u bë prezantimi i kandidatit për Bashkinë e Vorës, z. Luan Sallaku.
Në këtë takim, Kreu i LSI-së, shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së,z. Luan Rama, Ministri i Bujqësisë, z. Edmond Panariti, zv. Ministrja e Arsimit, znj. Nora Malaj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta vlerësoi forcën e gruas në shoqërinë shqiptare dhe në Vorë. Kryetari i LSI-së u shpreh se mazhoranca PS-LSI, falë vullnetit të mirë arriti që të miratonte dhe ndryshimet ligjore për një përfaqësim të barabartë të femrave edhe në jetën publike. 
“Unë besoj se edhe iniciativat që janë ndërmarrë, edhe fakti që për herë të parë u bë me ligj në Parlament që 50 për qind të listave të këshillave bashkiake të përbëhen nga gra dhe vajza dhe 50 për qind nga burrat, është një tregues i vendosmërisë sonë për të realizuar sa më shpejt barazi të plotë gjinore kudo. Në të ardhmen do të punojmë që edhe në Parlament të bëhet kjo gjë”, tha z. Meta, ndërsa theksoi se e majta dëshiron të realizojë një ndryshim të fortë për Vorën. 
“Është zona e tillë që ka mundësi për të hapur fabrika të reja, për të hapur qendra të rëndësishme të përpunimit, sepse është pozicioni i tillë që është kosto jashtëzakonshme interesante dhe me leverdi për çdo lloj investimi, si në drejtim të bujqësisë, agro-përpunimit, për eksporte, në drejtim të industrisë”, tha z. Meta
Kryetari i LSI-së shprehu mbështetjen e institucioneve shtetërore për bizneset dhe për gjenerimin e vendeve të reja të punës, që do të punojnë edhe shumë gra dhe vajza nga zona e Vorës. 
“Ne jemi këtu për këtë gjë që t’u japim fjalën që deri në 2017-n nuk do të ketë grua dhe vajzë në Vorë që nuk do të ketë vendin e punës nëse do të punojë”, tha z. Meta.
Kreu i LSI-së vlerësoi reformën administrative territoriale të bërë nga kjo mazhorancëm, ndërsa theksoi se për nxitjen e investimeve nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë midis qeverisë dhe njësive vendore.
“Nuk zgjidhen problemet e Vorës dhe kudo në Shqipëri pa bashkëpunim të ngushtë me qeverinë. Çdo projekt që do të bësh do të aprovohet në qeveri, duhet të ulet kryetari i bashkisë të flasë me kryeministrin, me ministrin e Bujqësisë për gjithë problemet që ka zona juaj këtu lidhur me bujqësinë, me kullimin, me vaditjet, e kështu me radhë. Por këtë nuk mund ta bëjë një njeri i cili do të jetë peng i partisë së tij. 
“Kjo është një aleancë kaq e fuqishme që besoj të gjithë e kanë të qartë, është një aleancë e fuqishme afatgjatë. Jo thjesht për të fituar zgjedhjet sepse nuk është ky qëllimi ynë, por është një instrument për të zgjidhur problemet që kanë njerëzit, për të ndihmuar Vorën që të ecë më shpejt dhe për të ndihmuar të gjithë Shqipërinë. Unë premtoj që ju do të keni përfaqësimin tuaj të duhur edhe në bashkinë e re të Vorës, do të keni përfaqësimin e duhur kudo në të gjitha nivelet . Ne do të jemi një mbështetje shumë e madhe për të gjitha gratë dhe vajzat e Vorës për të zgjidhur problemet tuaja me të cilat ju ndesheni çdo ditë pasi mbani peshën kryesore dhe në familje”, tha më tej z. Meta.
Anëtarja e Kryesisë së LSI-së, znj. Nora Malaj, tha se nga sot fillon e ardhmja e sigurt dhe e garantuar e aleancës së majtë për ardhmërinë e Shqipërisë. 
“Që sot fillon ndryshimi dhe sot fillon e ardhmja e sigurt dhe e garantuar e aleancës së majtë për ardhmërinë e Shqipërisë. Jo pa qëllim, unë, Profesor Panariti jemi në mbështetje në radhë të parë tuajën për të çuar votat tek njeriu i duhur, tek drejtimi i duhur dhe tek njeriu që do të mendojë, do të punojë, do të synojë, do të bëjë transparencë gjithçka në emër të së mirës, së familjes suaj dhe të shoqërisë. Vora është zona më urbane- industriale. Vora është zona e cila me këto biznese të fuqishme që do të ndërtojnë dhe do të mbajnë standardin e ekonomisë së vendit, duhet të ketë gra dhe vajza të zonja”, theksoi znj. Nora Malaj.
Kandidati i së majtës për Bashkinë e Vorës, z. Luan Sallaku kërkoi mbështetjen e grave dhe të vajzave të kësaj bashkie për realizimin një programi konkret për hapjen e vendeve të reja të punës.
“Prezantua sot këtu tregon vullnetin dashamirës që të krijojmë një mbështetje të gjerë në zgjedhjet e 21 qershorit dhe ju do të jeni forca më e madhe dhe besimplotë në këto zgjedhje”, tha z. Sallaku. 
Kryetari i LSI, Ilir Meta takohet me strukturat dhe me mbështetësit e kësaj force në komunën Bërxull
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim mori pjesë në një takim me strukturat dhe me mbështetësit e kësaj force politike në komunën Bërxull. Në fjalën e tij,Lideri i LSI-së u shpreh se në Bashkinë e re të Vorës do të bëhet pastrimi i të gjitha kanaleve vaditëse dhe kulluese pasi toka e kësaj bashkie është tepër prodhuese. Veç kësaj, lideri i LSI theksoi se edhe infrastruktura rrugore duhet të marrë zgjidhje. “Do të pastrohem dhe do të rregullohen të gjitha kanalet sepse kjo është një tokë e mrekullueshme, është në mes të Shqipërisë, pra tregjeve kudo dhe duhet dhënë një shfrytëzim maksimal. Ju jeni në një vend ku nuk duhet të diskutohet që rrugët dhe infrastruktura duhet të jetë e zgjidhur sepse jeni në mes të Shqipërisë”,- tha z. Meta.
Gjatë fjalës së tij, lideri i LSI theksoi gjithashtu se pas zgjedhjeve vendore, Bashkia e re e Vorës do të ketë një transparencë maksimale përsa i përket të ardhurave pasi është një njësi vendore që mbledh shumë të ardhura nga taksat e banorëve dhe të bizneseve. “Gjëja e parë që ne do të bëjmë dhe që Luan Sallaku do të bëjë dhe të gjithë ju do të bëni është që do të mësoni se kush është buxheti i bashkisë së re edhe të ardhurat që mblidhen nga taksat që paguajnë banorët dhe qytetarët, nga taksat që paguajnë bizneset në zonë dhe nga të ardhurat që jep qeveria”,- tha z. Meta.
Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta shprehu në fjalën e tij se prioritare do të jetë angazhimi për krijimin e më shumë alternativave për punësim duke shtuar se me reformën e re administrative territoriale do të ofrohen më shumë shërbime më cilësore për banorët e komunave që shkrihen me Bashkinë e re të Vorës. “Kemi detyrë t’i krijojmë mundësi dhe alternativa të gjithëve për të punuar. Kjo reformë kërkon të zgjidhë shumë probleme dhe do t’i zgjidhë sepse është bërë ky bashkim. Nuk është bërë bashkimi i komunave me bashkitë e reja që njerëzve t’u shërbehet nga larg. Të gjitha shërbimet që deri tani janë marrë në komunën tuaj, prapë do të merren këtu dhe do të merren edhe shërbime të tjera të cilat do të merren edhe më mirë se sa tani.