Meta në Prokurori: Gati për përballje me Doshin e Berishën

456
Sigal

TIRANE-  Përreth 1 orë e 30 minuta kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta ka dhënë deklarimin e tij para prokurorëve të Krimeve të Rënda në lidhje me akuzat publike të deputetit të përjashtuar nga PS Tom Doshi se ka planifikuar dhe paguar për vrasjen e tij. Menjëherë pas zotit Meta, në orën 10:00 pritet dëshmia e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, ndërsa në orën 12:00 e kryeministrit Edi Rama.

Për herë të parë krerët më të lartë të shtetit përballen me Prokurorinë pas akuzave të pazakonta që deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste bëri publikisht kur tha se 6 muaj më parë kryeparlamentari Meta ka paguar për eliminimin fizik të tij.

Dëshmia historike që Meta, Tahiri dhe Rama do të japin njëri pas tjetrit në një dosje për planin e mundshëm të vrasjes së një deputeti, vjen një ditë pas dëshmisë së Tom Doshit, i cili edhe para prokurorëve i qëndroi versionit të deklaruar publikisht, se Meta ka paguar 600 mijë euro për vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat të Lezhës Mhill Fufi, për motive që ai thotë se nuk i di.

Ftesa nga ana e prokurorisë së Krimeve të Rënda është bërë edhe për  deputetin e Partisë Kristian Demokrate Mark Frroku, deputetin e PD Mhill Fufi, ish-drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Eugen Beçi si dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Për të dëshmuar janë ftuar dhe shtetasit Agron Kuliçi, Fatjon Skënderi, Ymer Lala dhe Ylli Xhaxhollari. 

Ora 09.30 Meta lë prokurorinë
Përreth 1 orë e 30 minuta kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta ka dhënë deklarimin e tij para prokurorëve të Krimeve të Rënda në lidhje me akuzat publike të deputetit të përjashtuar nga PS Tom Doshi se ka planifikuar dhe paguar për vrasjen e tij

“Siç e shihni sapo kam përfunduar dëshminë time me thirrjen e bërë nga Prokuroria e Krimeve Rënda dje. I jam përgjigjur pyetjeve të bëra nga prokurorët e kësaj çështje lidhur me akuzat dhe pretendimet e Doshit dhe Berishës për tentativën gjoja për vrasjen e 2 deputetëve. Dua të konfirmoj edhe njëherë përpara jush siç konfirmova  edhe para prokurorëve, gatishmërinë time totale për të qenë në çdo moment, në çdo, ditë përfshirë edhe të shtunën edhe të dielën në dispozicion të prokurorisë, përveç të enjtes, sepse e kam shpallur ditën e Doktorit nuk kam çfarë të bëj, në mënyrë që të bashkëpunojmë me prokurorinë për hetimin e plotë të çështjes duke ju nënshtruar ligjit dhe vetëm në respekt të tij. Kam shprehur gatishmërinë time në rast se prokuroria do ta cmojë të arsyeshme të bëj ballafaqim në prokurori me të dy akuzuesit e mi, zotin Doshi dhe zotin Berisha dhe cilindo tjetër që beson se ka prova që mund të implikojnë Ilir Metën në këtë cështje

Videon e Tomës me Tomën për provë vetëm Doktori mund ta marrë. Ndërsa Tomën si person besoj e keni të qartë përbën më shumë një anti-provë sesa provë juridike. Megjithatë unë jam këtu për të respektuar shtetin ligjor, për të dëshmuar gjithçka që di dhe për t’iu nënshtruar hetimit në mënyrën më transparente. Ua kam theksuar disa herë prokurorëve se jam i gatshëm për çdo ballafaqim në prokurori, ashtu sikurse jam i gatshëm për çdo ballafaqim politik çdo të enjte, ju këtë besoj se e keni shumë të qartë.

Se çfarë pretendon Doshi është një çështje e tij. Video e Tomës me Tomës nuk mund të përbëjë fakt serioz as vetë Toma si person në kuptimin juridik. Kam përshtypjen që përbën më shumë një anti-provë.

Pse i bën këto akuza Doshi? Jam i mallëngjyer dhe i prekur shumë nga thirrja që më ka bërë mbrëmë kryetari formal i Partisë Demokratike për të dhënë dorëheqjen në mënyrë që të ndihmoj hetimet. Së pari dua t’ju theksoj se ndaj meje nuk ka asnjë akuzë. Së dyti kur kjo kërkesë vjen nga Basha është vërtetë mjaft impresionuese, sepse të gjithë e dinë që Basha i akuzuar nga një institucion si Prokuroria e Përgjithshme dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit një institucion tjetër, për aferën e korrupsionit me më shumë se 230 milionë euro për rrugën Durrës-Kukës. Ju e dini shumë mirë që e dhash shembullin duke u larguar nga qeveria. Por njëkohësisht bëri çdo gjë për të mbyllur çështjen për shkak të procedurave dhe jo për t’i shkuar çështjes në fund. Kështu që ai është një model i shkëlqyer për të treguar se si i hapet rruga hetimet.

Ndërkohë Ilir Meta vërtet është kreu i Kuvendit, por Ilir Meta nga kryetar kuvendi dhe Ilir Meta deputet nuk ka asnjë ndikim në raport me drejtësinë. Se kryetari i kuvendit është 1 nga 140 deptuetë dhe nuk ka asnjë raport në asnjë institucion të drejtësisë, sic është presidenti që është kreu i KLD, që mund të pengonte drejtësinë. Unë jam këtu i gatshëm të ballafaqohem me zotin Doshi dhe zotin Berisha i cili ka thënë se ka edhe ai prova.

Deputeti Doshi do të respektohet si 1 në 140 depteutë nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta, problemet e tjera të tij janë me drejtësinë dhe me politikën

Akuzat vijnë nga doktori tani nuk vijnë më nga Toma pasi kaloi me Doktorin. Ju e dini që  para dy jave kishte problemin e dy drejtoreshave dhe ministrave. Pasi grupi socialist mori vendimin që nuk pranoi shantazhin e tij dolën akuzat kundër Ilir Metës, dhe tani në krye të këtyre akuzave qëndron Doktori i cili vazhdon të mbetet i preferuari im dhe të cilin e siguroj se pavarësisht nga angazhimi i tij i jashtëzakonshëm në këtë çështje absurde do ia jap fjalën pa u kursyer dhe pa  lodhur që ai t’i thotë të vërtetat çdo të enjte.

Jeni pyetur për deklarimin  djeshëm që ka video nga Dritan Prifti për Shkëlzenin? Këto janë çështje të tjera, do të jem këtu sa herë të më kërkojë prokuroria”. 

Ora 07:56 Meta i pari në prokurori
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta mbërriti i pari në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dhënë deklarimin e tij në cilësinë e personit që ka dijeni për akuzat që deputeti Tom Doshi bëri publikisht.

Më herët kryeparlamentari i ka quajtur trillime të rëndomta akuzat e Doshit, duke thënë se 6 muaj më parë deputeti i ka rrëfyer se atentatin e mundshëm ndaj tij e kishte organizuar Agim Rama, kunati i ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sipas rrëfimit të Doshit, Ilir Meta ka qenë njeriu që ka paguar për ta vrarë dhe për pasojë të gjitha dyshimet bien mbi të. Për të hedhur dritë mbi pozicionin e tij, prokuroria ka kërkuar marrjen e deklarimeve të Metës. Sipas Metës i gjithë skenari ka dalë nga një biznes pularie ku Tom Doshi dhe ish-krahu i djathtë i Ilir Metës, Dritan Prifti, janë aksionerë. Një skenar i tillë është bërë me qëllim rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e anarkisë në vend. 

Tahiri dhe Rama
Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe kryeministri Edi Rama janë personat që kanë dijeni për këtë plan që Tom Doshi pretendon se bëhej fjalë për vrasjen e tij.
Madje më tepër Tahiri, ka qenë ai që ka kryer dhe verifikime për këtë çështje dhe për pasojë, ai do japë të gjithë dëshminë e tij, lidhur me këtë çështje. Ministri Tahiri ka treguar se ka urdhëruar që të kryhen verifikime, por nga këto verifikime nuk ka dalë asnjë provë që të vërtetojë se ka pasur një plan për ekzekutimin e Doshit dhe Fufit. Sipas Tahirit për të gjitha këto hetime, është njoftuar rregullisht dhe kryeministri Edi Rama, i cili ka dijeni për çdo gjë.

Berisha në prokurori
Ish-kryeministri Sali Berisha është ftuar për të dëshmuar lidhur me atë çfarë di për planin e vrasjes së Tom Doshit. Prokuroria ka marrë shkak nga deklaratat e tij të bëra në parlament. Ndërkohë që vetë Berisha ka pohuar se nuk kishte marrë një ftesë nga prokuroria zyrtarisht, por edhe nëse e thërrasin do të shkojë.

Në skenë edhe deputeti Mark Frroku
Deputeti i qarkut të Shkodrës Mark Frroku, i cili është vëllai i Arben Frrokut të arrestuar për vrasjen e kryekomisarit të policisë Dritan Lamaj, ka dalë në skenë si sinjalizuesi i Tom Doshit lidhur me atentatin. Po si ka rënë në kontakt deputeti i PKD Mark Frroku me personin që ishte paguar për vrasjen e Tom Doshit? Çfarë njohje ka pasur më parë ai me shtetasin Durim Bami?

Pse pikërisht Durim Bami, shkoi tek Mark Frroku për të treguar atë që i kishte treguar “Toni” dhe për shumën që ishte paguar për kokën e Doshit? Kujt i interesonte vrasja e Tomës dhe pse vrasësi shkoi në fillim tek Mark Frroku dhe më pas tek Tom Doshi? Të gjitha këto pyetje do të marrin një përgjigje në prokurorinë e krimeve të rënda, pasi Mark Frroku është ftuar nga prokuroria që të japë dëshminë e tij lidhur me këtë ngjarje.

Fufi do pyetet në prokurori si dëshmitar
Mhill Fufi, deputeti i PD që sipas Tom Doshit ka qenë në plan për tu vrarë nga Ilir Meta, do të pyetet në prokurori lidhur me këtë pretendim të Frrokut. Vetë Fufi ka pohuar se nuk ka pasur asnjë dijeni për planin e vrasjes dhe se vetë ministria e Brendshme nuk i ka vënë në dijeni apo ti ketë marrë në mbrojtje. Fufi të gjithë pozicionin e tij në këtë ngjarje do e deklarojë në organin e akuzës