Meta në Prishtinë për të kujtuar Ibrahim Rugovën

108
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ishte dje në Prishtinë për të nderuar kujtimin e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. “Kënaqësi të takohesha në Prishtinë me familjen e dashur të Presidentit Rugova, për të kujtuar veprën e tij të pavdekshme. Urtësia dhe largpamësia e tij na duhen edhe sot, po aq sa dje”, u shpreh Meta. Gjithashtu, presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, bënë homazhe te varri i Presidentit Ibrahim Rugova, në përvjetorin e 12-të të vdekjes së tij. Pas homazheve, kryeministri Haradinaj, i shoqëruar nga veprimtari i njohur shqiptaro-amerikan, Hajdar Bajraktari, vizitoi familjen e presidentit Rugova, ku u prit nga bashkëshortja e tij, Fana, djemtë Mendimi e Uka, vajza Teuta, si dhe anëtarët tjerë të familjes. Ibrahim Rugova vdiq nga një sëmundje e rëndë në janar të vitit 2006. Rugova ishte presidenti i parë i Kosovës së pas luftës dhe ishte themeluesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai njihet si lideri që krijoi miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian dhe kauzën e pavarësisë së Kosovës e ngriti në të gjitha nivelet botërore.