Meta në Presidencë: Nishani President i ekuilibruar

566
Presidenti i ri Ilir Meta ka vlerësuar paraardhësin e tij Bujar Nishani si president me qëndrim të ekuilibruar institucional dhe njerëzor.

Gjatë fjalës, Meta i mëshoi fort dialogut, duke theksuar se do të ishte “besnik i palëkundur i dialogut dhe konsensusit, si gjuha e vetme e suksesshme e politikës, si gjuha që ndërton komunikim, bashkim mes qytetarëve dhe mirëqenie”.

Meta: Një vlerësim të veçantë kam për Presidentin Nishani, për qetësinë dhe qëndrimin e ekuilibruar institucional dhe njerëzor, me të cilin kam pasur kënaqësinë, të bashkëpunoj edhe si kryetar i Kuvendit.

Shteti shqiptar në 105 vite të ekzistencës së tij, ka mbi vete peshën e një ekzistence të lashtë. Lavdia e përbotshme e Skënderbeut, urtësia e Ismail Qemalit, mendimi vizionar i Sami Frashrit, humanizmit i Nënë Terezës janë arsye krenarie dhe reflektimi të thellë dhe të vazhdueshëm.

Përvoja politike më inkurajon të pohoj se gjithnjë ia ka vlejtur të bësh lëshimet dhe kompromiset e nevojshme për hir të mbarësisë kombëtare. Dua të riafirmoj sërish se jam besnik i palëkundur i dialogut dhe konsensusit, si gjuha e vetme e suksesshme e politikës, si gjuha që ndërton komunikim, bashkim mes qytetarëve dhe mirëqenie. Demokracia është jetike për një vend si i yni.

Do të punoj pa reshtur që shoqëria demokratike në Shqipëri të konsolidoj vlera dhe liritë themelore si dhe të jetë vigjilente ndaj çdo cenimi të tyre.

Demokracia e ka dimension jetik lirinë e medies si formë e patjetërsueshme e shprehjes së opinionit, të kritikës në anën e interesit më të mirë publik.

Shoqëria civile do të ketë gjithmonë vëmendjen dhe bashkëpunimin e institucionit të Presidentit të Republikës.
Ja cilët janë deputetët që nuk morën pjesë në seancë e betimit
Pesë deputet të Kuvendit të Shqipërisë nuk ishin të pranishëm në seancën e jashtëzakonshme ku u betua presidenti i ri i vendit Ilir Meta. Ndonëse nuk deklaruan hapur para kësaj seance se nuk do të jenë, ata me deklaratat e tyre të mëparshme, kanë bërë të qartë kundërshtitë që kanë pasur me ish-kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Janë disa nga zërat më të përfolur të kuvendit. Ndër ligjvënësit të cilët nuk kanë marrë pjesë në seancë janë Tom Doshi, Erion Braçe, Ben Blushi, Mimoza Hafizi dhe Shpëtim Idrizi. Edhe një pjesë e deputetëve të PD nuk kanë qenë të pranishëm, ndërsa ajo që ra në sy është se nuk mori pjesë asnjë prej ministrave teknikë. Këta të fundit sipas deklaratave të kryeministrit nuk kanë pasur të drejtën të jenë pjesë e kabinetit edhe në Kuvendin e Shqipërisë, pasi sipas marrëveshjes, janë mandati i tyre përfundonte menjëherë pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Megjithatë, ata vazhdojnë të jenë në detyrë. 
Tom Doshi
Erion Braçe
Ben Blushi
Mimoza Hafizi
Shpëtim Idrizi
Meta shtrëngon duart me Berishën në parlament. Rama takohet në Presidencë
Ditën kur Ilir Meta u zgjodh President i vendit në 28 prill, Sali Berisha nuk ishte i pranishëm në seancën parlamentare. Ndërsa dje ndodhej në sallë dhe në përfundim të ceremonisë së betimit, shtrënguan duart me njëri-tjetrin. Presidenti i ri i vendit Ilir Meta nuk e ka harruar as dje, ‘pikën e tij të dobët’, ish-kryeministrin Sali Berisha. Pas betimit në parlament, Meta ka pasur një fjalim jo shumë të gjatë dhe në përfundim shtrëngim duarsh…por jo me kryeministrin Edi Rama. Mes Metës dhe Ramës nuk ka pasur as një përshëndetje formale, ndonëse Presidenti i Ri, i ka përshëndetur të gjithë të tjerët e pranishëm. Ai është afruar deri tek podiumi ku qëndronin kryeministri dhe ministrat, ka përshëndetur Bashkim Finon dhe më pas ka zbritur poshtë. Ai është ndalur disa sekonda duke shtrënguar duart dhe shkëmbyer buzëqeshje me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-kryetaren e parlamentit Jozefina Topallin.“Ja bëra urimin, i uroj suksese në detyrë”, tha Berisha, i cili është përmendur nga Meta si një nga politikanët e tij të preferuar. Ndërsa Pandeli Majko, deputet i Partisë Socialiste tha: “Me krahë të lehta!”.

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i ri i vendit Ilir Meta kanë pasur një shtrëngim duarsh në korridorin e Presidencës. Ndonëse nuk ka qenë ai i duhuri. Mes tyre duket se ka pasur një takim të ftohtë. Ndërkohë nga ana tjetër Lulzim Basha është larguar nga Presidenca para kohe.
Sigal