Meta në Lushnje: “LSI, forca më e dedikuar për stabilitetin e vendit”

450
Sigal

Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta merr pjesë në takimin me
strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim të Lushnjës

Gazeta Telegraf/ 

Meta në Lushnje: LSI është forca më e dedikuar për
stabilitetin e vendit, sepse pa stabilitet nuk ka asnjë garanci për zhvillimin
e gjithë vendit

Në kuadër të fushatës zgjedhore për Kryetarin e ri
të LSI-së dhe të Konventës Kombëtare, Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta zhvilloi
një takim me strukturat e kësaj force politike në Lushnjë. Në këtë takim, z.
Meta shoqërohej nga Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti,  Zv.Kryetari i LSI-së z. Petrit Vasili dhe deputetët znj.
Kejdi Mehmetaj e z. Robert Bitri.

Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, Kryetari
i Lëvizjes Socialiste për Integrim ftoi të gjithë përfaqësuesit e kësaj force
politike që të angazhohen maksimalisht në këtë moment të rëndësishëm të
riorganizimit në të gjithë vendin.

“Do të doja t’i ftoja të gjithë përfaqësuesit e
LSI-së së Lushnjës për të vlerësuar sa më seriozisht këtë moment riorganizimi
dhe ripërtëritje të LSI-së në të gjithë vendin, në prag edhe të zgjedhjeve të 6
nëntorit, jo vetëm për kryetarin e LSI-së, por edhe për delegatët për në
Konventën Zgjedhore Kombëtare të LSI-së, që do të zgjedhë gjithashtu të gjithë
drejtuesit e rinj të LSI për katër vitet që vijnë. Dhe njëkohësisht do të
diskutojë dhe çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me programim, me
angazhimin tonë të deritanishëm në qeverisjen e vendit, por edhe për të ardhmen
e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e ardhme e cila është e lidhur ngushtë edhe
me mbarëvajtjen e të gjithë punëve në vendin tonë”, – tha z. Meta.

Kryetari i LSI-së, z. Meta theksoi se pa
stabilitet politik nuk ka dhe nuk mund të ketë një zhvillim të qëndrueshëm
ekonomik dhe social të vendit.

“Pa stabilitet politik nuk ka dhe nuk mund të ketë
një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit. Nuk mund të
ekzistojë shtrati dhe terreni i qëndrueshëm për të çuar përpara reforma, që
përmirësojnë jetën dhe standardet e qytetarëve tanë kudo. Prandaj LSI-ja, në
mënyrë të qartë ka qenë refuzuese ndaj çdo retorike konfliktuale të
panevojshme. Sepse kanë kaluar 26 vjet dhe vendi nuk ka më nevojë për një
politikë përjashtuese, por ka nevojë për një politikë bashkëpunuese, politikë që
nuk bazohet tek demonizimi i kundërshtarit, por te vetë humanizimi i politikës.
Tek angazhimi i saj për të zgjidhur çështje konkrete, çështje të cilat
shqetësojnë një komunitet, shqetësojnë një lagje qyteti, një fshat apo çështje
që shqetësojnë qoftë edhe një qytetar që ka nevojë për përkrahjen dhe për
vëmendjen e politikës”, – tha z. Meta

Kryetari i LSI-së renditi një sërë reformash të
rëndësishme që janë miratuar së fundmi. Z. Meta vlerësoi se është shumë e
rëndësishme jo vetëm që të bëhen reforma, por ka shumë rëndësi dhe mënyra e
konceptimit dhe mbi të gjitha e zbatimit të tyre.

“Gjatë kësaj kohe janë bërë reforma të rëndësishme
si reforma administrative-territoriale, është vendosur themeli kryesor i
reformës në drejtësi, që është Kushtetuta e re e vendit e miratuar me
konsensus. Janë bërë reforma të tjera në shumë fusha të rëndësishme. Ato kanë
dhënë një impakt, pritet të japin mpakte më të prekshme në të ardhmen. Por nga
eksperienca e deritanishme del qartë që është shumë e rëndësishme jo vetëm të
bëjmë reforma, por ka shumë rëndësi dhe mënyra e konceptimit dhe mbi të gjitha
e zbatimit të tyre. Që do të thotë se një reformë është e suksesshme dhe është
jetëgjatë kur ajo prodhon efektet maksimale, pozitive në interes të shoqërisë,
komunitetit apo të kategorisë sociale, pra të grupeve të interesit”, – u shpreh
z. Meta.

Gjithashtu, Kryetari i LSI-së deklaroi se rritja e
LSI-së është një fenomen i pandalshëm që u tregua qartë në zgjedhjet e 2013 dhe
që do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Z. Meta u shpreh se LSI është forca më e
dedikuar për stabilitetin e vendit, sepse pa stabilitet nuk ka asnjë garanci
për zhvillimin e gjithë vendit.

“LSI është forca më e dedikuar për stabilitetin e
vendit, sepse pa stabilitet nuk ka asnjë garanci për zhvillimin e gjithë vendit.
Kjo është detyrë e të gjithëve që ta rrisim këtë forcë dhe jo vetëm ta rrisim
por edhe të përmirësojmë më tek cilësinë e përfaqësimit të saj kudo, sepse
është shpresa më e madhe për përgjegjshmëri në këtë vend, për llogaridhënie dhe
për reflektim”, – tha ndër të tjerash z. Ilir Meta.