Meta në komunën Bërxullës: Bashkia e Vorës do të jetë model dhe se punësimi do të jetë prioriteti i kryebashkiakut të ri

449
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta së bashku me kandidatin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Vorës, z. Luan Sallaku mori pjesë në një takim me banorët e komunës Bërxullës në Tiranë. I pranishëm në këtë takim ishte edhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti. 
Duke folur përpara banorëve të Bërxullit, Lideri i LSI-së, z. Ilir Meta tha se Bashkia e Vorës do të jetë model dhe se punësimi do të jetë prioriteti i kryebashkiakut të ri. Z. Meta bëri me dije se brenda këtij viti do të hapen edhe 300 vende të reja pune.
“Unë mendoj se Bashkia e re e Vorës do të jetë bashkia model në të gjithë vendin, për sa i takon shërbimeve dhe në mënyrë të veçantë për sa i takon punësimit. Ne do të fillojmë këtu, duke e bërë një bashki model për ta përhapur këtë model në të gjithë vendin. Dhe punësimi do të jetë prioriteti ynë kryesor. Deklarova dy ditë më parë në Vorë se do të hapim 500 vende të reja pune, por kemi mbajtur rezervë 300 tjera brenda këtij viti, deri në vjeshtë. Do të kemi mundësi pafund punësimi në bashkinë e re të Vorës, si përmes mbështetjes së industrisë, si përmes mbështetjes së shërbimeve, si përmes mbështetjes së bujqësisë, përmes mbështetjes së vetëpunësimit e kështu me radhë”, – tha z. Meta, duke premtuar investime në infrastrukturë, që do të sillnin përfitime për industrinë dhe bujqësinë. 
“Një mbështetje të fuqishme do t’i japim infrastrukturës së gjithë kësaj zone, sepse çdo investim në infrastrukturën e kësaj zone është një përfitim i madh për komunitetin, por është një përfitim i madh edhe për shtetin, sepse do të thotë një industri më e zhvilluar, do të thotë më shumë shërbime, do të thotë bujqësi më e zhvilluar dhe më intensive. Unë besoj se jemi në rrugën e duhur prandaj ftoj të gjithë komunitetin tuaj të shkëlqyer të votojë për Luan Sallakun si kryetarin e ardhshëm të bashkisë së re të madhe të Vorës, të votojë për Aleancën për Shqipërinë Europiane”, – theksoi Kryetari i LSI-së.
Në fund, z. Meta tha se puna në bashkinë e re do të nisë nga transparenca në respekt të qytetarëve, në mënyrë që të komuniteti ta ndjej veten pjesëmarrës në çdo vendim të rëndësishëm që do të merret. 
“Ne punën në bashkinë e re do ta fillojmë me transparencë në respekt të qytetarëve, të komunitetit, që të gjithë ta kuptojnë se është bashkia e tyre, dhe jo e një njeriu. Ne transparencën dhe llogaridhënie do t’i kemi të shenjta në respekt me qytetarët e komunës sot të Bërxullës, që nesër do të jetë njësi administrative, të Prezës dhe të Vorës. Dhe të gjithë duhet ta dinë se sa kontribuojnë në buxhetin e kësaj bashkie dhe cilat janë përfitimet e tyre. Edhe prioritetet ne do t’i ndajmë së bashku në mënyrë që komuniteti ta ndjej veten pjesëmarrës në çdo vendim të rëndësishëm që do të merret. Sepse çdo vendim që do të merret duhet të jetë në radhë të parë në interesin tuaj. Për këtë jemi të gjithë sot këtu edhe do të jemi më shumë pas 21 qershorit”, – deklaroi ndër të tjerash Lideri i LSI-së, z. Ilir Meta. 
Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” në Bashkinë e Vorës, z. Luan Sallaku u shpreh se punësimi është prioriteti i tij kryesor. Z. Sallaku bëri me dije se ka projekte të qarta për nxitjen e biznesit dhe investimeve në bujqësi. 
“Prioriteti kryesor i yni është punësimi, jo vetëm për komunën Bërxullë, por për të gjithë bashkinë e re të Vorës. Kemi projekte të qarta për mbështetjen e biznesit dhe bujqësisë, madje do të hapim edhe zyra të veçanta në bashki për të mbështetur biznesin dhe agro-përpunimin. Kemi edhe një projekt për hapjen e një shkolle profesionale ku shkolla është e ndërtuar por është e mbyllur prej disa vitesh. Kështu të gjithë të rinjtë do të kenë mundësinë të marrin një profesion, duke u krijuar kështu edhe mundësinë për të siguruar në vend në të ardhmen. Gjithashtu, një tjetër prioritet është edhe infrastruktura. Ne do të lidhim të gjitha fshatrat me qytetin e Vorës nëpërmjet rrugëve të reja, duke e kthyer atë në një qendër të vërtetë. Bashkia e Vorës do të jetë në model në Shqipëri. Jemi në pikën kyçe ku lidhet jugu me veriun dhe kryeqyteti me aeroportin dhe do ta shfrytëzojmë këtë pozicion maksimalisht”, – tha z. Luan Sallaku në fjalën e tij. 
Ndërsa, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti tha se duhen shfrytëzuar potencialet e mrekullueshme që ka Bërxulli dhe Vora. 
“Luan Sallaku si pjesë të bashkisë së tij do të ketë struktura që do të merrem direkt me bujqësinë dhe një gjë e tillë nuk është në bashkinë aktuale. Duhet të shfrytëzojmë potencialet e mrekullueshme bujqësore që ka kjo zonë. Bujqësia do të jetë një gjenerator punësimi për Bërxullën dhe Vorën, ndërsa do t’i shkojmë deri në fund pronës suaj. Që ju të jeni pronar i ligjshëm i pronës suaj dhe të merrni prej saj të gjitha përfitimet”, – deklaroi z. Panariti. 
Sigal