Meta në Kinë, takon nënkryetaren e Shoqatës për Marrëdhënie Ndërkombëtare

488
Sigal

Gazeta Telegraf/

Kryetari i
Kuvendit, Ilir Meta, gjatë vizitës në Pekin, u takua me nënkryetaren e Shoqatës
së Kinës për Marrëdhënie Miqësore Ndërkombëtare, Deng Rong. Rong është
njëkohësisht vajza e Deng Xiaoping, liderit të njohur dhe reformatorit të madh
të Kinës. Gjatë takimit, Meta vlerësoi figurën e Deng Xiaoping-ut, i cili
udhëhoqi vendin e tij për një dekadë, duke ideuar dhe realizuar reformat më të
thella në të gjitha vendin. Deng Xiaoping e hapi Kinën për investimet e huaja
dhe tregun botëror, dhe inkurajoi konkurrencën private. Kryetari i Kuvendit i
dhuroi znj. Rong edhe librin e saj “Deng Xiaoping dhe Revolucioni Kulturor” të
përkthyer në gjuhën shqipe. Gjithashtu, Meta e ftoi znj. Rong për një vizitë në
Shqipëri në kuadër edhe të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. “Për mua
ishte kënaqësi e veçantë që të takoja znj. Deng Rong dhe t’i dhuroja në shqip
librin ‘Deng Xiaoping dhe Revolucioni Kulturor’ i shkruar prej saj edhe si
vajza e këtij udhëheqësi të jashtëzakonshëm dhe reformator të Kinës që ne e
shohim sot. Pata kënaqësinë e veçantë që gjithashtu ta ftoj për një vizitë në
Shqipëri dhe mendoj që do të ishte një vizitë me shumë vlerë që do t’i
shërbente forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, midis Shqipërisë dhe
Kinës”, –tha Kryetari i Kuvendit, z. Meta në një prononcim për median pas
takimit. Nga ana e saj, Rong, pasi shprehu falënderimet që libri i saj ishte
mirëpritur nga lexuesi shqiptar, theksoi se Kina dhe Shqipëria janë popuj
paqedashës e miqësorë dhe shprehu bindjen se vizita e kryeparlamentarit do të
shërbejë në forcimin e miqësisë midis dy popujve. “Kina dhe Shqipëria janë
popuj paqedashës dhe miqësorë dhe shpresoj që nëpërmjet vizitës së z. Meta këto
shkëmbime të mund të forcohen në shërbim të miqësisë midis dy popujve. Për sa i
përket këtij libri, unë kam shumë dëshirë që në një kohë të përshtatshme, të mund
të shkojë vetë në Shqipëri për të prezantuar këtë libër, si dhe  historinë dhe tregimet që përfshihen në të”,
u shpreh Deng Rong.