Meta në Itali, takon Boldrinin: Të hiqet taksa e mjeteve të transporteve për biznesin

374
ITALI – Të gjitha vendet evropiane duhet të intensifikojnë përpjekejet ndërparlamentare për një Evropë më të fortë dhe më solidare përballë kërcënimeve terroriste. Këtë bindjen ndanë kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta dhe Presidentja e Dhomës së Deputetëve të Italisë Laura Boldrin gjatë vizitës që kryeparlamentari shqiptar po zhvillon në shtetin fqinj.
Meta dhe Boldrini diskutuan mbi sfidat e fundit të sigurisë që po kalon kontinenti evropian, sfida që lidhen me kërcënimet e terrorizmit, krizën e refugjatëve dhe ndryshimet klimaterike, dhe në këtë kuadër u vlerësua se duhet bashkëpunim ndërparlamentar për të pasur një Evropë më sociale dhe larg retorikave populiste.
Znj. Boldrini vlerësoi rolin dhe angazhimin e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s, në përballimin e këtyre sfidave të përbashkëta. Ndërkohë, Meta theksoi se Shqipëria do të jetë një kontribuuese aktive në shërbim të sigurisë dhe paqes, duke nënvizuar se ky proces ka nevojë për solidaritet, gjithpërfshirje dhe ndarje të përgjegjësive dhe barrës financiare.
Kryetari i Kuvendit Meta i cilësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë të shkëlqyera dhe kërkoi të thellohet dhe të konkretizohet më tej partneriteti strategjik mes dy vendeve, veçanërisht në drejtim të rritjes së shkëmbimeve ekonomike dhe prezencës së kompanive të mëdha italiane në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare.
Meta kërkoi angazhimin e znj. Boldrini në përshpejtimin e procedurave të miratimit të ligjit për heqjen e taksave të transportit për bizneset.
Duke sjellë në kujtesë lidhjet historike mes dy popujve, dy kryeparlamentaret vlerësuan kontributin e komunitetit shqiptar në Itali, veçanërisht atij arbëresh. Në këtë kuadër Meta kërkoi një vëmendje më të madhe dhe mbështetje financiare për shkollat në gjuhen shqipe të komunitetit arbëresh.
“Janë me mijëra studentë shqiptare që studiojnë dhe diplomohen çdo vit në universitetet italiane, – theksoi Meta, – të cilët janë një urë e fuqishme lidhëse dhe kanë një rol të jashtëzakonshëm për të luajtur në vitet që vijnë, veçanërisht në përballimin e sfidave të integrimit evropian.
Presidentja e Dhomës së Deputetëve të Italisë, znj. Boldrini tha se Italia është e gatshme të ofroje ekspertizën e saj gjatë procesit të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, si një konfirmim i përkushtimit të qartë italian ndaj perspektivës evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit.
Meta shprehu mirënjohjen ndaj mbështetjes italiane, duke vënë në dukje se “Italia ka qenë gjithnjë përkrah Shqipërisë që në momentin e parë të tranzicionit dhe vazhdon të jetë avokatja më e fuqishme e vendit tonë në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, – nënvizoi z. Meta, – Shqipëria synon përshpejtimin e ritmit të reformave, me fokus të veçantë në reformimin e sistemit të drejtësisë, para hapjes së negociatave për anëtarësim në BE”.
Në përfundim, pasi vlerësoi kontributin në vite të znj. Boldrini ndaj popullit shqiptar, veçanërisht gjatë luftës së Kosovës, Meta e ftoi znj. Boldrini për një vizite zyrtare në Shqipëri, ftesë e cila u pranua me kënaqësi. 
Sigal