Meta në Finlandë, takime me krerë të lartë të politikës: Mundësi për të thelluar bashkëpunimin

436
Ilir Meta në Helsinski, takime të veçanta me Ish-Presidentin e Finlandës, Ministrin e Jashtëm dhe Kryetarin e Komisionit për Mbrojtjen
Meta i dorëzon Ish Presidentit Ahtisaari “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit në takim ditën e djeshme nga ish-Presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, i cili ka fituar çmimin Nobel për paqen dhe është themelues i Nismës për Menaxhimin e Krizave (CMI). Pasi e falënderoi për mikpritjen Meta i dorëzoi Ahtisaarit “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” të akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani. Ky titull i është akorduar z. Ahtisaari me motivacionin: “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm politik e diplomatik, si i Dërguar i Posaçëm i OKB-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës, që shënoi nisjen e procesit të Pavarësisë së Kosovës e njohjen ndërkombëtare të saj, ndërtimin e institucioneve shtetformuese dhe demokratike në vend, në dobi të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”. Ish-Presidenti i Finlandës, Ahtisaari, falënderoi Kryetarin e Kuvendit për këtë çmim dhe shprehu mirënjohjen për vlerësimin që i ka bërë Shqipëria. 

(Nëntitull) Ministri i Jashtëm, Soini: Finlanda e mbështet Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian
Kreu i LSI u prit gjithashtu nga Ministri i Jashtëm i Finlandës, Timo Soini, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike mes Shqipërisë dhe Finlandës. Meta dhe Soini ndanë bindjen se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet intensifikuar veçanërisht në drejtim të shkëmbimeve ekonomike. Kryetari i Kuvendit, Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Finlandës ndaj integrimit evropian të Shqipërisë dhe nënvizoi përkushtimin e Kuvendit në interes të dialogut politik dhe avancimit cilësor të reformave kyçe, siç është ajo e sistemit të drejtësisë. Ministri i Jashtëm i Finlandës, z. Timo Soini u shpreh se Finlanda e mbështet Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian dhe theksoi se forcimi i sundimit të ligjit në të gjithë vendet e Ballkanit i shërben gjithë Evropës. Në përfundim Meta dhe Soini biseduan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon duke theksuar rëndësinë e mbarëvajtjes së stabilitetit dhe perspektivës evropiane të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor ku Shqipëria luan një rol kyç. 

Takimi Meta – Kanerva, i dorëzon titullin e akorduar nga Presidenti Nishani 
Më tej në itinerarin e takimeve, Ilir Meta u prit nga Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes në Parlamentin e Finlandës, njëkohësisht dhe Ish-Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE, Ilka Kanerva. Meta e falënderoi Kanervën për kontributin e tij në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Finlandës e për mbështetjen që Finlanda i jep Shqipërisë në rrugëtimin e saj evropian. Gjatë takimit u bisedua mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë në kuadër të zhvillimeve globale, ku Meta nënvizoi se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s mbështet partneritetin gjithnjë në rritje mes Finlandës dhe Aleancës së Traktatit të Atlantikut Verior. Kryetari i Kuvendit, Meta i dorëzoi Kanervës titullin “Për Merita të Veçanta Civile” të akorduar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me motivacionin “Për kontributin e tij të çmuar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Finlandës, njohjen më të mirë të kulturës, traditave dhe historisë së popullit shqiptar në Finlandë, si dhe për ndihmesën ndaj bashkësisë shqiptare që jeton atje”. Pas marrjes së titullit, Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes në Parlamentin e Finlandës, Ilka Kanerva, falënderoi Metën për këtë vlerësim dhe shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve janë mjaft të mira. “Ju falënderoj nga thellësia e zemrës, është nder i madh për mua të marr këtë titull nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të vlerësuar bashkëpunimin e shkëlqyer që kam pasur me kolegët shqiptarë përgjatë viteve. Fryma e bashkëpunimit na ka shoqëruar në çdo hap dhe ka qenë kënaqësi e madhe për mua që të mbështes miqtë shqiptarë në rrugëtimin për t’u bërë pjesë e organizmave ndërkombëtarë, – tha Kanerva, duke shtuar se marrëdhëniet midis dy vendeve mund të forcohen akoma më shumë. “Mund të them me bindje të plotë se marrëdhëniet midis Finlandës e Shqipërisë janë vërtetë të mira. Sigurisht ka ende mundësi për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin dhe kontaktet institucionale. Vizita juaj në Helsinki ka një rëndësi të madhe dhe jam i bindur se i jep stimuj të rinj marrëdhënieve mes Finlandës e Shqipërisë. Shpresoj që së bashku të mund të kontribuojmë në intensifikimin e bashkëpunimit tonë dhe në objektivat e përbashkëta në skenën ndërkombëtare”, – deklaroi Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes në Parlamentin e Finlandës, Ilka Kanerva. Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta i shprehu mirënjohjen Kryetarit të Komisionit të Mbrojtjes të Parlamentit të Finlandës për kontributin që ka dhënë për Shqipërinë duke shtuar se Shqipëria mbështetet tek ju në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar. 
Sigal