Meta në Fier: Të rinjtë vendimtarë në rrugën drejt progresit

445
Lëvizja Socialiste për Integrim, takim me të rinjtë e LRI-së të qarkut Fier. 
Kreu i Kuvendit Ilir Meta, i zgjedhur në postin e Presidentit, detyrë të cilën e merr zyrtarisht në 24 korrik, i është bashkuar ekipit të lëvizjes Socialiste për Integrim gjatë një takimi që kjo forcë ka pasur dje me të rinjtë e LRI në Fier. Ndërsa ka folur për zgjedhjen e tij në krye të presidencës, Meta nuk ka mbetur pa kërkuar nga pjesëmarrësit, votën, që sipas tij është tepër e rëndësishme në një situatë kur Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për ta. Para të pranishmëve, ai nuk foli shumë për vlerat e LSI, për programin e saj, për sfidat që kjo parti ka në këto zgjedhje, duke ia lënë këtë të drejtë drejtuesve të rinj të partisë, por nuk mund të mos përshëndeste të rinjtë për atë çfarë ata kanë bërë në këto vite dhe çfarë duhet të bëjnë. Pasi i falënderoi të pranishmit për mbështetjen e dhënë ndër vite, ai vlerësoi rolin e të rinjve duke u shprehur se ata janë faktor vendimtar për të ecur në rrugën e progresit. “Na duhen të rinjtë dhe të rejat që Shqipëria të ecë më shpejt në rrugën e progresit”,- tha Ilir Meta. Fjala e tij u prit me shumë entuziazëm, ndërkohë që takimet në këtë qark vazhduan. Dita për kreun e Kuvendit ka qene tepër e ngjeshur me takime, kjo referuar situatës aktuale dhe vizitës së faktorëve ndërkombëtarë, të cilët gjatë gjithë kohës janë në përpjekje të vazhdueshme për të bindur forcat politike të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit dhe të shkojnë në zgjedhjet e 18 qershorit, me bindjen e plotë se do t’i jepet shansi të gjithë qytetarëve për të votuar. 
Sigal