Meta në Danimarkë: Reforma në drejtësi, prioriteti kryesor i axhendës politike shqiptare

485
Sigal

Në kuadër të vizitës së tij në Danimarkë, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi një takim me Kryetaren e Parlamentit të Danimarkës, Pia Kjersgaard. Kryeparlamentari Meta e falënderoi znj.Kjersgaard për mbështetjen e Danimarkës në kuadër të axhendës së integrimit evropian të Shqipërisë. Meta theksoi se prioriteti kryesor i axhendës politike shqiptare është reformimi pa vonesa i sistemit të drejtësisë, si kryefjalë për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Ne mbështetemi te Danimarka, si në zhvillimin institucional e demokratik, ashtu edhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Shqipëria vlerëson se BE duhet ta trajtojë krizën e refugjatëve si një sfidë të përbashkët të vendeve anëtare, së bashku edhe me vendet e Ballkanit të cilat përdoren si vende transiti.”- theksoi Meta. Z. Meta e ftoi znj. Kjersgaard për një vizite në Shqipëri, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi. Kryetari i Kuvendit u takua me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Social Demokrate, Henrik Sass Larsen si dhe u prit nga Ombudsmani i Danimarkës, Jorgen Steen Sorensen.