Meta në ceremoninë e 72-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë : Ky nëntor e gjen vendin më pranë Bashkimit Evropian

456

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në
ceremoninë e organizuar me rastin e 72-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë

 

Meta: Evropa e Bashkuar, simboli i luftës antifashiste

Meta: Rekomandimi pozitiv i KE, pas reformave të
ndërmarra

Meta: Çelja e negociatave, sa më parë të jetë e mundur

Meta: Integrimi në BE, plotësim i idealit të Luftës
Antifashiste Nacional Çlirimtare

 

 

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta mori pjesë në homazhet
e zhvilluara me rastin e 72-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë në Varrezat e
Dëshmorëve.

Sigal

Z. Meta vendosi një kurorë me lule pranë monumentit “Nënë
Shqipëri” në nderim të kujtimit të dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e atdheut.

Më tej, Kryetari i Kuvendit mori pjesë në ceremoninë e
organizuar me rastin e 29 Nëntorit me veteranë të Luftës Antifashiste Nacional
Çlirimtare dhe familjarët e dëshmorëve.

Në këtë ceremoni, Kryetari i Kuvendit, mbajti edhe një
fjalë përshëndetëse ku shprehu vlerësimin për kontributin e dhënë nga veteranët
dhe dëshmorët në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, duke theksuar se ky
nëntor e gjen vendin më afër ëndrrës së tyre për një Shqipëri të çliruar dhe
evropiane.

“Është kënaqësi që të ritakohemi këtë 29 Nëntor dhe
akoma më kënaqësi të vëmë re se në një vit vendi është edhe më i integruar në
Evropën e Bashkuar, në themel të së cilës qëndrojnë vlerat antifashiste të
popujve të cilët luftuan për lirinë e vendit të tyre, por edhe për lirinë e
mbarë Evropës. Ndaj jemi sot për të nderuar edhe një herë kujtimin e të gjithë
atyre që sakrifikuan gjithçka, që dhanë jetën e tyre, që dhanë rininë e tyre,
për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri demokratike dhe për një Shqipëri
evropiane”, – theksoi z. Meta.

Në vijim të fjalës së tij, Kryetari i Kuvendit vuri
theksin tek procesi integrues i vendit në Bashkimin Evropian ku shprehu bindjen
se anëtarësimi i vendit në BE plotëson edhe idealin e veteranëve dhe dëshmorëve
të atdheut.

“Rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian, pas një
vlerësimi pozitiv për reformat e ndërmarra në vend për çeljen e negociatave sa
më parë të jetë e mundur për anëtarësim, është një tregues i këtij progresi dhe
unë jam i bindur se duke vazhduar me këtë rrugë ne e plotësojmë edhe më tej
idealin e tyre për Shqipërinë që ëndërruam. Ndaj i përjetshëm kujtimi i
heronjve dhe i dëshmorëve të atdheut, jetë të gjatë veteranëve tanë të dashur”,
– tha z. Ilir Meta në fjalën e tij.