Meta në 72-vjetorin e batalionit të Dumresë: Lufta antifashiste eshtë e shenjtë

491
Me rastin e 72-vjetorit të batalionit të Dumresë, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, i shoqëruar edhe nga deputetë të PS e LSI, ka qenë sot i pranishëm në ceremoninë e organizuar. Në fjalën e tij, Meta ka deklaruar se disa njerëz hodhën baltë mbi historinë dhe luftën, duke e bërë këtë për përçarje. 
“Ka njerëz që hodhën baltë mbi historinë dhe luftën. Ata që hodhën baltë mbi historinë e bënë për përçarje. Krenarë për gjakun e derdhur për çlirimin e vendit. Shqipëria sot ecën e sigurt drejt progresit. Lufta antifashiste është e shenjtë”, tha Meta.
Fjala e plotë e z.Meta 
Meta: Kjo që bëri të mundur që Shqipëria të jetë sot anëtare e NATO-s, kandidate për në BE dhe një vend që ecën në rrugë të sigurt drejt progresit dhe prosperitetit 
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë përkujtimore me rastin e 72-vjetorit të themelimit të Bataljonit të Dumresë që u zhvillua në Cërrik. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto, deputetët Taulant Balla, Musa Ulqini, përfaqësues të pushtetit vendor, veteranë të Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe familjarë të partizanëve dhe dëshmorëve të atdheut. 
Duke folur para pjesëmarrësve në këtë takim, z. Meta, shprehur kënaqësinë që merr pjesë në një eveniment kaq të rëndësishëm, që është pjesë e mjaft aktiviteteve të cilat lidhen këtë me 72-vjetorin e fitores mbi fashizmin. Kryetari i Kuvendit vlerësoi vëmendjen, respektin dhe mirënjohjen që ka populli i Dumresë, por edhe i gjithë populli shqiptar për ata që shkruan faqen më të lavdishme në historinë e popullit shqiptar. 
“Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare solli lirinë dhe riktheu pavarësinë e Shqipërisë më 29 nëntor të vitit 1944. Është krenari sepse për fat të keq disa mendjeshkurtër luajtën me historinë dhe hodhën baltë mbi LANÇ-in për qëllime aspak pozitive dhe mjaft përçarëse për kombin tonë, sepse ne kemi arsye vetëm të jemi krenarë për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, pasi populli ynë e filloi luftën kundër pushtuesit që më 7 prill të viti 1939, edhe pse një popull i vogël, i pambrojtur e i papërkrahur dhe i braktisur, përsëri gjeti forca dhe derdhin gjakun që në ditën e parë të pushtimi ndaj një fuqie të madhe si Italia fashiste”, – tha Kryetari i Kuvendit. 
Ndërkaq, z. Meta theksoi se duhet të ndihemi krenarë për sakrificat e të rinjve që dhanë edhe jetën për të çliruar vendin dhe duke shmangur copëtimin e Shqipërisë. 
“Në atë kohë, vendet të cilat tani festojnë me të madhe 70-vjetorin e luftën kundër fashizmit dhe fitoren ndaj tij bënin sehir se si pushtohej Shqipëria me shpresën se nuk do t’u vinte radha atyre. Kështu bënin sehir edhe kur pushtoheshin vende të tjera të Europës. Ne jemi krenarë, sepse e dimë shumë mirë se u derdh gjithë ai gjak i bijve dhe bijave më të mira të Shqipërisë, i ajkës së rinisë shqiptare, për të çliruar vendin. Dhe jemi nga vendet e pakta që jemi çliruar pa hyrë një fuqi aleate në territorin tonë dhe përsëri pas çlirimit vendet fqinje kërkonin copëtimin e Shqipërisë dhe jepnin gjoja prova për të treguar se Shqipëria ishte gjoja bashkëpunëtore e fashizmit”, deklaroi z. Meta, duke shtuar më tej se kontributi i heronjve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare bëri të mundur që Shqipëria të bëhej palë e koalicionit fitues dhe që vendi ynë të jetë sot anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE.
“Ishte ky gjak, kjo sakrificë e cila i imponoi gjithë botës për ta njohur Shqipërinë si palë fituese të koalicionit kundër boshtit famëkeq, gjë që bëri të mundur që Shqipëria të jetë kjo që është sot, që është anëtare e NATO-s, që është kandidate për në BE dhe që është një vend që ecën në rrugë të sigurt drejt progresit dhe prosperitetit dhe është gjaku i këtyre dëshmorëve, është sakrifica e gjyshërve tanë ajo që na ka dhënë këtë mundësi”, – vijoi z. Meta. 
Sipas Kryetarit të Kuvendit, Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare është e shenjtë dhe e tillë do të mbetet përgjithmonë. 
“Për të gjithë shqiptarët Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare është e shenjtë, është e paprekshme dhe e tillë do të mbetet gjithmonë. Ndaj gëzohem që shoh mjaft pasardhës të veteranëve, të cilët do të çojnë me tej këtë traditë dhe do ta forcojnë akoma më tej këtë mirënjohje të mbarë kombit dhe të gjeneratave të së ardhmes për ata që shkruan faqen më të lavdishme të popullit tonë. Lavdi Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, lavdi partizanëve të Bataljonit të Dumresë dhe gjithë popullit të Dumresë që mbështeti Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare. I përjetshëm kujtimi i dëshmorëve dhe heronjve të atdheut”, – përfundoi fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta. 
Sigal