Meta mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Sistemi i Drejtësisë në Udhëkryqet e Transformimit”

502
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Sistemi i Drejtësisë në Udhëkryqet e Transformimit” të organizuar nga Shkolla e Lartë Universitare Jopublike “Luarasi”.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, pedagogë dhe studentë.
Në fjalën e tij, z. Ilir Meta e vuri theksin te reforma në drejtësi, duke u shprehur se duhet të miratohet sa më parë.

“Kam përshtypjen se nuk janë të paktë ata shqiptarë që janë lodhur nga Reforma në Drejtësi, për arsye sepse është bërë çështja kryesore e debatit, e angazhimit, e protagonizmit dhe nuk po ndodh. Është kjo një pritshmëri që me miratimin e Reformës në Drejtësi, që është një proces më vete që vetëm fillon me miratimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese, do të ndodhë menjëherë çudia dhe ligji do të zbatohet në Shqipëri si në Gjermani. Por është koha për të theksuar që asnjë reformë nuk është diskutuar në mënyrë kaq të gjerë edhe pse ndoshta pak të lodhshme për ata që presin që shteti ligjor të funksionojë ndryshe nga deri tani. Dhe kjo ka qenë e domosdoshme sepse është një reformë mjaft komplekse që duhet të arrijë në të njëjtën kohë shumë objektiva të cilët ndonjëherë dhe nuk shkojnë me synimet e tyre. Nuk shkojnë në mënyrë paralele, sepse duhet garantuar edhe pavarësia e sistemit, por duhet garantuar edhe llogaridhënia e tij. Dhe ne dimë që pavarësia e sistemit deri tani në një masë të madhe është konceptuar edhe si papërgjegjshmëri e njerëzve të vetë sistemit”, – tha Kryetari i Kuvendit.

Në vijim të fjalën e së tij z. Meta theksoi se miratimi i reformës po bëhet me një konsultim të gjerë dhe se nuk ka dallime të mëdha në qëndrimet e palëve politike.

“Por ajo që dua të nënvizoj është se është një proces mjaft gjithëpërfshirës për një kohë të gjatë. Duket sikur dallimet janë shumë të mëdha, por në fakt, me pak fjalë mund të them se për momentin kemi një protagonizëm kundërvënës politik shumë të madh për diferenca realisht shumë të pakta. Për arsye sepse Komisioni i Venecias, i pranuar nga të gjithë si institucioni më i besueshëm për standardet e Kushtetutës e të ligjit, të cilit i janë drejtuar të gjitha palët e interesuara, ka dhënë disa opinione dhe rekomandime shumë të qarta. Madje dhe shumë më të thelluara se sa mund të kenë qenë pritshmëritë kur është kërkuar angazhimi i tij dhe kjo ka ndodhur në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike. Jo vetëm kaq, por përveç pranueshmërisë nga të gjithë të Komisionit të Venecias, kemi gjithashtu edhe angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë, por edhe të ekspertëve të Bashkimit Evropian përmes misionit të EURALIUS-it dhe të misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes ekspertëve të OPDAT-it. Pra tani jemi në një moment finalizimi të miratimit të ndryshimeve kushtetuese, që do t’i hapin rrugën pastaj një pakete prej gati 40 ligjesh për të kompletuar të gjithë reformën nga ana ligjore”, – deklaroi Kryetari i Kuvendit.

Gjithashtu, z. Meta shprehu bindjen që baza e konsensusit është shumë më e gjerë se sa diferencat, që tashmë mund të shërbejnë vetëm si pretekste për ta vonuar më tej reformën.

“Për gati, ndoshta më shumë se 90% të çështjeve, Komisioni i Venecias ka mbajtur qëndrime shumë të qarta, pa lënë mundësi për interpretime të ndryshime. Natyrisht që ka edhe çështje që palët mund t’i lexojnë ndryshe, ose u pëlqen t’i lexojnë ndryshe, sepse në politikë jemi, por përderisa përsëri të gjithë jemi të bindur që kjo reformë, përveç qytetarëve tanë në radhë të parë, i shërben edhe rritjes të besueshmërisë të Shqipërisë në procesin e integrimin evropian dhe është një kusht për hapjen e negociatave dhe njëkohësisht edhe për raportet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe detyrimet tona për standardet e ligjit edhe si një vend anëtar i NATO-s, atëherë besoj se jemi shumë të qartë se aty ku nuk arrihet mirëkuptimi apo konsensusi, të gjithë të pranojmë interpretimet e EURALIUS-it edhe të OPDAT-it, të cilat janë padyshim të paanshme. Por është një domosdoshmëri që ndryshimet kushtetuese të miratohen dhe të miratohen në javët që vijnë jo në muajt që vijnë”, – tha z. Meta.

Ndër të tjera, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta shprehu devotshmërinë për të kontribuar për të nxitur një klimë sa më mirëkuptuese dhe bashkëpunuese ndërmjet palëve.

“Por dua t’ju siguroj që unë do të bëj çdo gjë që si Kryetar i Kuvendit për të nxitur një klimë sa më mirëkuptuese dhe bashkëpunuese në mënyrë që këto diferenca të vogla, që janë sot, të mbyllen sa më shpejt dhe ne të miratojmë ndryshimet kushtetues, e të miratojmë ligjet më të rëndësishme, kolonat kryesore të kësaj reforme, mundësisht edhe ato sa më shpejt përpara pushimeve të verës, në mënyrë që të dërgojmë mesazhe të forta tek të gjithë qytetarët tanë, që reforma nuk ishte një lojë për t’ia lënë përgjegjësinë njërit apo tjetrit, por përkundrazi. Së dyti për t’i dërguar një mesazh shumë të fortë edhe Brukselit, edhe Uashingtonit, të gjithë partnerëve tanë që Shqipëria do të jetë një vend më i sigurt në të ardhmen, do të jetë një shtet i standardeve evropiane në drejtim të zbatimit të ligjit, në drejtim të sigurisë juridike. Ky është interesi i qytetarëve shqiptarë, por në këtë mënyrë do të krijohet një mjedis shumë më i mirë edhe për të gjithë ata investitorë të huaj që shohin këtu potenciale dhe mundësi, por që nuk kanë patur besimin e duhur tek ky shtet ligjor që ne kemi sot. Të mos harrojmë që reforma në drejtësi nuk është qëllim në vetvete, por zhvillimi ekonomik i vendit dhe social është qëllimi kryesor dhe kjo gjë nuk mund të realizohet nga një shtet i së drejtës me probleme të mëdha sikurse kemi konstatuar aktualisht”, – përfundoi fjalën e tij z. Ilir Meta.

Më tej, e mori fjalën Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani, i cili theksoi se miratimi i reformës në drejtësi duhet të fillojë nga reformimi i sistemit gjyqësor. 

“Flitet për një udhëkryq. Kemi diskutuar gjatë me kolegë, pedagogë se nga mund t’ia fillojmë. Dakord që kemi probleme, dakord që gjykatën nuk e beson njeri, dakord që Prokurorinë nuk e beson njeri, por nga t’ia fillojmë? Ky ka qenë udhëkryqi i parë në fakt dhe është një udhëkryq, i cili në njëfarë mënyre vazhdon, sepse disa pikëpyetje ngrihen. Shpresoj që kjo tryezë do t’i diskutojë. Sepse e vërteta është se ne kemi zgjedhur njërin udhëkryq se nga duhet t’ia fillojmë. Po duhet t’ia fillojmë nga gjyqësori. Dhe kjo është e vërteta e kësaj historie. Duhet t’ia fillojmë nga gjyqësori sepse nuk ka rrugë tjetër për të garantuar qeverisje të mirë në kuptimin mirë të fjalës, sepse aksioma e njohur në çdo republikë parlamentare me pushtete të ndara duhet. Qeveria është problemi, atëherë si do ta zgjidhim? Natyrisht do ta zgjidhim duke krijuar sistemin e drejtësisë. Duhet t’ia fillojmë nga gjyqësori sepse gjyqësori nuk na e beson askush . se si u krijua klima e besimit e dimë të gjithë”,- deklaroi mes të tjerash z. Ylli Manjani gjatë konferencës.
Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta 
Është kënaqësi të jem sot në këtë auditor të mrekullueshëm dhe kaq të rinj gjithashtu që është një shpresë më shumë edhe për reformën në drejtësi të cilët duhet ta kurorëzojmë sa më shpejt.
Kam përshtypjen se nuk janë të paktë ata shqiptar që janë lodhur nga Reforma në Drejtësi, për arsye sepse është bërë çështja kryesore e debatit, e angazhimit, e protagonizmit dhe nuk po ndodh. Është kjo një pritshmëri që me miratimin e Reformës në Drejtësi, e cila është një proces më vete që vetëm fillon me miratimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese, do të ndodhë menjëherë çudia dhe ligji do të zbatohet në Shqipëri si në Gjermani.
Por është koha për të theksuar që asnjë reformë nuk është diskutuar në mënyrë kaq të gjerë edhe pse ndoshta pak të lodhshme për ata që presin që shteti ligjor të funksionojë ndryshe nga deri tani. Dhe kjo ka qenë e domosdoshme, sepse është një reformë mjaft komplekse që duhet të arrijë në të njëjtën kohë shumë objektiva, të cilët ndonjëherë dhe nuk shkojnë me synimet e tyre, nuk shkojnë në mënyrë paralele, sepse duhet garantuar edhe pavarësia e sistemit, por duhet garantuar edhe llogaridhënia e tij. Dhe ne dimë që pavarësia e sistemit deri tani në një masë të madhe është konceptuar edhe si papërgjegjshmëri e njerëzve të vetë sistemit.
Por ajo që dua të nënvizoj është se është një proces mjaft gjithëpërfshirës për një kohë të gjatë. Duket sikur dallimet janë shumë të mëdha, por në fakt, me pak fjalë mund të them se për momentin kemi një protagonizëm kundërvënës politik shumë të madh për diferenca realisht shumë të pakta. Për arsye sepse Komisioni i Venecias, i pranuar nga të gjithë si institucioni më i besueshëm për standardet e Kushtetutës e të ligjit, të cilit i janë drejtuar të gjitha palët e interesuara, ka dhënë disa opinione dhe rekomandime shumë të qarta, madje dhe shumë më të thelluara se sa mund të kenë qenë pritshmëritë kur është kërkuar angazhimi i tij dhe kjo ka ndodhur në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike. Jo vetëm kaq, por përveç pranueshmërisë nga të gjithë të Komisionit të Venecias, kemi gjithashtu edhe angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë, por edhe të ekspertëve të Bashkimit Evropian përmes misionit të EURALIUS-it dhe të misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes ekspertëve të OPDAT-it. Pra tani jemi në një moment finalizimi të miratimit të ndryshimeve kushtetuese, që do t’i hapin rrugën pastaj një pakete prej gati 40 ligjesh për të kompletuar të gjithë reformën nga ana ligjore.
Unë jam i bindur që baza e konsensusit është shumë më e gjerë se sa diferencat që tashmë mund të shërbejnë vetëm si pretekste për ta vonuar më tej reformën. Për gati, ndoshta më shumë se 90% të çështjeve Komisioni i Venecias ka mbajtur qëndrime shumë të qarta, pa lënë mundësi për interpretime të ndryshime. Natyrisht që ka edhe çështje që palët mund t’i lexojnë ndryshe, ose u pëlqen t’i lexojnë ndryshe, sepse në politikë jemi, por përderisa përsëri të gjithë jemi të bindur që kjo reformë përveç qytetarëve tanë në radhë të parë, i shërben edhe rritjes të besueshmërisë të Shqipërisë në procesin e integrimin evropian dhe është një kusht për hapjen e negociatave dhe njëkohësisht edhe për raportet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe detyrimet tona për standardet e ligjit edhe si një vend anëtar i NATO-s, atëherë besoj se jemi shumë të qartë se aty ku nuk arrihet mirëkuptimi apo konsensusi, të gjithë të pranojmë interpretimet e EURALIUS edhe të OPDAT, të cilat janë padyshim të paanshme. Por është një domosdoshmëri që ndryshimet kushtetuese të miratohen dhe të miratohen në javët që vijnë jo në muajt që vijnë.

Përndryshe e gjithë axhenda e integrimit evropian të vendit do të vonohet dhe do të mbahet peng. Por nuk është vetëm ky shqetësimi, por edhe zgjedhjet afrojnë, edhe dallimet politike do të bëhen pak më të forta dhe më emocionale dhe të gjitha këto janë në dëm të realizimit të reformës. Unë do ta shfrytëzoj këtë mundësi sepse këtu kemi shumë të rinj dhe të reja, por edhe për të thënë diçka tjetër, që kjo reformë, ndryshe nga një reformë tjetër. Sepse është bërë edhe një reformë tjetër e madhe në fushën e drejtësisë, sepse çdo ndryshim quhet reformë, pavarësisht nga rezultati. Është bërë reforma në 1992- ‘93, por praktikisht vendi ka vuajtur dhe vuan edhe sot e kësaj dite pasojat e një reforme shumë të nxituar kur në emër të anti-komunizmit, u përgatitën shumë juristë, në një pamjaftueshmëri kohore dhe jashtë standardeve të cilët plotësuan vakuumin.
Ndërsa sot për fat të mirë jemi në kushte të tjera. Jemi në kushtet kur kemi mjaft të rinj dhe të reja, jo vetëm që studiojnë siç studioni ju, por dhe shumë të tjerë që kanë studiuar edhe më përpara, jo vetëm në universitetet e vendit, por dhe në universitetet më të mira në Europë, në SHBA dhe në vende të tjera shumë të zhvilluara, të cilët mund të plotësojnë atë boshllëk që mund të krijohet nga implementimi i reformës. Sidomos përmes realizimit të procesit të “Vetingut” që është procesi i testimit, që është njëkohësisht edhe një proces i pastrimit të sistemit nga të gjithë ata, të cilët e kompromentojnë sistemim, si përsa i takon aftësisë, si përsa i takon integritetit.

Pra, është koha për të bërë një hap madhor, është koha që kjo reformë të jetësohet, në radhë të parë përmes ndryshimeve kushtetuese, dhe e theksoj në javët që vijnë, jo në muajt që vijnë. Dhe njëkohësisht është koha që kjo reformë të monitorohet se si do të zbatohet. Të monitorohet edhe nga të gjithë të interesuarit, nga shoqëria civile, nga qarqet akademike, dhe universitare sepse çdo dështim apo kompromentim i saj do të sillte një zhgënjim të parikuperueshëm për vendin tonë, për shoqërinë tonë, por edhe për të ardhmen e procesit të integrimit evropian të vendit tonë.
Ndaj që të mbaj dhe premtimin tim, nuk po zgjatem më tej sepse këtu kemi shumë specialistë, ekspertë të angazhuar deri më tani për reformën dhe që do të angazhohen edhe në të ardhmen, por dua t’ju siguroj që unë do të bëj çdo gjë që si Kryetar i Kuvendit për të nxitur një klimë sa më mirëkuptuese dhe bashkëpunuese në mënyrë që këto diferenca të vogla, që janë sot, të mbyllen sa më shpejt dhe ne të miratojmë ndryshimet kushtetues, e të miratojmë ligjet më të rëndësishme, kolonat kryesore të kësaj reforme mundësisht edhe ato sa më shpejt përpara pushimeve të verës në mënyrë që të dërgojmë mesazhe të forta tek të gjithë qytetarët tanë, që reforma nuk ishte një lojë për t’ia lënë përgjegjësinë njërit apo tjetrit, por përkundrazi.
Së dyti për të dërguar një mesazh shumë të fortë edhe në Bruksel, edhe në Uashington, të gjithë partnerëve tanë që Shqipëria do të jetë një vend më i sigurt në të ardhmen. Do të jetë një shtet i standardeve evropiane në drejtim të zbatimit të ligjit, në drejtim të sigurisë juridike, se ky është interesi i qytetarëve shqiptarë, por në këtë mënyrë do të krijohet një mjedis shumë më i mirë edhe për të gjithë ata investitorë të huaj që shohin këtu potenciale dhe mundësi, por që nuk kanë patur besimin e duhur tek ky shtet ligjor që ne kemi sot.
Sepse në fund të fundit, të mos harrojmë që reforma në drejtësi nuk është qëllim në vetvete, por zhvillimi ekonomik i vendit dhe social është qëllimi kryesor dhe kjo gjë nuk mund të realizohet nga një shtet i së drejtës me probleme të mëdha sikurse kemi konstatuar aktualisht. Ju falënderoj dhe ju përshëndes për angazhimin tuaj për të çuar përpara këtë reformë, por natyrisht edhe për zbatimin e saj në të ardhmen. Faleminderit dhe suksese!
Sigal