Meta- Mogherini: Reforma në Drejtësi ju hap rrugën për në BE

589
Kryetari i Kuvendit  Ilir Meta priti ditën e enjte  Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, njëkohësisht Zv. Presidente e Komisionit Evropian,  Federica Mogherini. Kryetari i Kuvendit  Meta i uroi mirëseardhjen në Tiranë Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian znj. Mogherini dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer e të vazhdueshme të të gjitha strukturave të Bashkimit Evropian në procesin e integrimit të Shqipërisë.  Në këtë drejtim u theksua rëndësia e avancimit me axhendën e reformave të nevojshme ku kryefjalë është reformimi i sistemit të drejtësisë, si një hap i nevojshëm jo vetëm për hapjen e negociatave me BE, por edhe për forcimin e luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe rritjes së klimës së biznesit për investimet e huaja.
Duke shprehur një mirënjohje të veçantë për kontributin e misionin të BE-së dhe EURALIUS në procesin e reformës në drejtësi, z. Meta theksoi: “Shqipëria nuk ka alternativë tjetër për të ecur përpara drejt BE-së”. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë znj. Federica Mogherini vlerësoi përkushtimin e Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve kyçe dhe avancimit të axhendës së reformave, të cilat vendet anëtare të BE i konsiderojnë si thelbësore për sundimin e ligjit dhe për progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe vuri theksin në rëndësinë e përmbylljes me sukses të reformës në drejtës. 
Gjatë takimit,  Meta dhe  Mogherini diskutuan gjithashtu edhe për zhvillimet e fundit në rajon, ku u vlerësua roli konstruktiv i Shqipërisë me fqinjët e saj si dhe u shkëmbyen mendime mbi menaxhimin e krizës së refugjatëve, e cila kërkon një përqasje të përbashkët evropiane.
Pas takimit, znj. Mogherini u ftua të mbante një fjalë përshëndetëse në Seancën Plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Duke i uruar mirëseardhjen në Seancë Plenare, Kryetari i Kuvendit  Ilir Meta vlerësoi znj. Mogherini si një personalitet politik me peshë në të gjithë hapësirën evropiane dhe mbi të gjitha si një mike të Shqipërisë dhe e rajonit tonë.  Mogherini mban postin e Përfaqësues së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, njëkohësisht Zëvendëspresidente e Komisionit Europian prej vitit 2014. Më parë ajo ka shërbyer si Ministre e Punëve të Jashtme të Italisë si dhe si Kryetare e Delegacionit Italian në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
“Znj. Mogherini ka qenë gjithnjë një avokate e spikatur e integrimit europian të Shqipërisë dhe të rajonit tonë. Më lejoni që në emrin tuaj dhe të këtij Kuvendi të shpreh mirënjohjen tonë të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria gëzon nga të gjitha strukturat e BE-së dhe ta siguroj znj. Mogherini që vendi ynë do të dijë t’i përgjigjet besimit të vendeve anëtare të BE-së, në mënyrë që ta meritojë çeljen e negociatave dhe anëtarësimin e tij në momentin e duhur”, – tha z. Meta, ndërsa theksoi vullnetin për të për të reflektuar pa vonesa përmes konsensusit opinionin e Komisionit të Venecias.
“Gjatë takimit që kemi patur me znj. Mogherini, kemi shprehur vullnetin për të reflektuar pa vonesa përmes një procesi konsensual opinionin e Komisionit të Venecias me qëllim që qytetarët shqiptarë të kenë besim tek drejtësia – e cila është kyçe si për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të forcuar shtetin ligjor, por edhe për të krijuar një klimë më të mirë për biznesin, me qëllim rritjen e mëtejshme të ekonomisë sonë. Jam i bindur se shpreh mirënjohjen e përbashkët të gjithë forcave politike në këtë parlament, por edhe të ftuarve që na kanë nderuar për këtë vizitë të përfaqësues së lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, në Tiranë”, – deklaroi ndër të tjera z. Meta, duke ftuar znj. Mogherini të mbajë një fjalë përshëndetëse në Seancë Plenare.
Sigal