Meta: Miratimi i ligjit, akt historik me rëndësi madhore

615
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, përshëndeti vendimin e Parlamentit të Maqedonisë për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve. “Përshëndes vendosmërinë për miratimin e ligjit të përdorimit të gjuhës shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë, si një akt i rëndësishëm historik e me rëndësi madhore, jo vetëm për shqiptarët por edhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë. Urime!”, u shpreh Meta në një mesazh. Gjithashtu, vendimi i Parlamentit të Maqedonisë u përshëndet edhe nga opozita. Partia Demokratike përshëndeti votimin në Parlamentin e Maqedonisë të ligjit të gjuhës shqipe. “Ky votim është një hap përpara në krijimin e një klime të mirë bashkëjetese midis komuniteteve etnike në Republikën e Maqedonisë. Partia Demokratike përshëndet faktorin politik shqiptar në Maqedoni dhe nxit e inkurajon bashkëpunimin politik mes tij për realizimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit. Partia Demokratike mbështet një Maqedoni stabile dhe të integruar në strukturat euroatlantike si interesi më i mirë i stabilitetit dhe përparimit të rajonit drejt integrimit evropian dhe euroatlantik”, theksohej në njoftimin e PD-së. Miratimi i këtij ligji ishte premtuar nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, gjatë fushatës zgjedhore të dhjetorit të vitit 2016. Ai kishte thënë se do të angazhohej për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në vend. Kjo ishte pjesë edhe e marrëveshjes për bashkëqeverisje ndërmjet tij dhe partive politike shqiptare.
Sigal