Meta mes blegtorëve në Bizë e Martanesh, që presin më shumë vëmendje e mbështetje

1358
Sigal

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, vijon të promovojë turizmin malor. Fundjavën që lamë pas, Kreu i Shtetit e kaloi duke eksploruar dhe shijuar bukuritë e natyrës, mes maleve dhe pyjeve të Bizës dhe Martaneshit në zonën e Dibrës.

Duke ndarë për ndjekësit e tij, foto dhe video, Presidenti Meta thekson se: ”Në këtë udhëtim mes këtyre bukurive magjepsëse pata kënaqësinë të takoja dhe disa nga blegtorët, të cilët punojnë mes shumë vështirësive dhe nuk dorëzohen, me bindjen se një ditë do të bëhet më mirë dhe për ta, do të ketë më shumë vëmendje dhe mbështetje, që këto vende të bekuara të mos braktisen”.

Postimi i plotë

Fundjava e kaluar midis maleve dhe pyjeve të Bizës dhe Martaneshit, ishte një mrekulli e shoqëruar me bukuri të ndryshme dhe të panjohura më parë për mua. Vetëm duke udhëtuar në të gjitha drejtimet që lidhin Bizën me rajonet e tjera të vendit e kupton rëndësinë e veçantë të saj strategjike dhe historitë që lidhen me të.

Biza ka edhe një liqen shumë të bukur dhe impresionues, të rrethuar nga pyje dhe male, për të cilat duhet treguar kujdes dhe vëmendje. Ndërsa monumentet natyrore janë pafund, siç është dhe gjelbërimi i pyjeve dhe maleve drejt Ballenjës në Martanesh.

Në këtë udhëtim mes këtyre bukurive magjepsëse pata kënaqësinë të takoja dhe disa nga blegtorët, të cilët punojnë mes shumë vështirësive dhe nuk dorëzohen, me bindjen se një ditë do të bëhet më mirë dhe për ta, do të ketë më shumë vëmendje dhe mbështetje, që këto vende të bekuara të mos braktisen.

Ndoshta për këtë ndihmojnë dhe objektet e kultit dhe besimit që ekzistojnë në këtë zonë, që njerëzit t’u qëndrojnë me kurajo disa vështirësive dhe pengesave që nuk i meritojnë.