Meta merr pjesë në homazhet e zhvilluara në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit me rastin e 5 Majit

474
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në homazhet e zhvilluara në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Zv.Kryeministri,  Niko Peleshi, Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, deputetë, përfaqësues të pushtetit vendor, veteranë dhe të afërm të dëshmorëve.
Në fillim,  Meta vendosi një kurorë me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, në nderim të kujtimit të dëshmorëve të rënë për lirinë e Atdheut.
Duke folur për mediat pas ceremonisë, z. Meta tha se 5 Maji është dita e mirënjohjes së përjetshme të shqiptarëve ndaj dëshmorëve dhe heronjve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare që dhanë jetën për çlirimin e vendit.
“Është një ditë mjaft e rëndësishme për të gjithë vendin tonë, për të gjithë shqiptarët, pasi është dita e mirënjohjes së përjetshme të shqiptarëve ndaj dëshmorëve dhe heronjve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare që dhanë jetën për çlirimin e vendit Dhe për një të ardhme më të mirë. Është edhe një ditë angazhimi dhe detyrimi, jo thjesht për të kujtuar veprën e tyre të përjetshme, por edhe për të kontribuar në mënyrë që Shqipëria të jetë një vend më i sigurt, një vend më i begatë, një vend më i lumtur për të gjithë qytetarët e saj”, – deklaroi Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta.
Sigal