Meta: Më shumë punë dhe mundësi për jetimët dhe gjithë shoqërinë në thelb do të thotë një shoqëri më e mirë, më e drejtë

458
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në Konferencën e organizuar me rastin e Ditës Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve.
Në këtë aktivitet të organizuar nga Shoqata Kombëtare e Jetimëve të Shqipërisë në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe të institucioneve të ndryshme. 
Në fjalën e mbajtur në këtë konferencë, Ilir Meta, bëri thirrje për një angazhim të vazhdueshëm të gjithë shoqërisë dhe institucioneve për të përmirësuar statusin e jetimëve dhe integrimin e plotë social të tyre. Kryetari i Kuvendit theksoi se solidariteti njerëzor dhe shoqëror si edhe politikat solidare me fëmijët jetimë janë shtylla të rëndësishme të emancipimit dhe humanizmit të një shoqërie bashkëkohore.
“Shteti e ka prioritet përmirësimin e jetës së çdo qytetari dhe të çdo fëmije, por në mënyrë të veçantë të atyre të cilët jashtë vullnetit të tyre, mund të gjenden të vetëm në jetën. Shembujt e mirë nuk kanë munguar dhe në të kaluarën, por ato duhet të shtohen dhe të promovohen, të shërbejnë si nxitje për të bërë shumë më tepër dhe shumë më mirë”, – tha Meta,teksa shtoi se politikat e shtetit nuk duhet të vijnë asnjëherë si bamirësi dhe as si pjesë e një fushate politike apo dekori të tillë, por si një politikë e vazhdueshme dhe e qëndrueshme, si një zbatim i të drejtave ligjore dhe të drejtave të njeriut dhe mbi të gjitha si pjesë e një filozofie gjithëpërfshirëse.
“Situata aktuale dëshmon se jetimët kanë ende mjaft probleme komplekse në sfidat për arsimimin e tyre, në mundësitë për punësim, në kujdesin shëndetësor dhe natyrisht edhe në kushtet e pamjaftueshme për të garantuar një strehë dhe deri te mbrojtja nga çdo lloj diskriminimi. Ndaj tyre dhe problemeve me të cilat ata përballen duhet të reagojmë të gjithë në vazhdimësi, me vëmendje dhe vendosmëri”, – shtoi Meta.
Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit nënvizoi se jetimët në Shqipëri, nga më të vegjlit e të rinjtë që jetojnë në streha publike e private, e deri te më të rriturit, vazhdojnë të kenë një problem të madh strehimin. 
“Besoj se për këtë çështje duhet që organet e qeverisë vendore të vazhdojnë të angazhohen edhe më shumë për t’i trajtuar me prioritet në politikat dhe vendimmarrjet e tyre për strehimin në banesat sociale. Jetimët vazhdojnë të kenë probleme të rëndësishme me punësimin. Është e vërtetë që Shqipëria është ende një vend i varfër, por duhet të punojmë për një model të ri ekonomik të mbështetur në fuqizimin e ekonomisë prodhuese vendase dhe investimet e huaja. Për këtë gjithnjë e më tepër po i kthejmë sytë nga ata sektor më vitalp, që rrisin punësimin edhe me investime të pakta, por të efektshme. Më shumë punë dhe mundësi për punësim për jetimët dhe gjithë shoqërinë në thelb do të thotë një shoqëri më e mirë, një shoqëri më e drejtë, një shoqëri më e sigurt, dhe mbi të gjitha një shoqëri më e gëzuar dhe një shoqëri më e dashur për të gjithë”, – tha Ilir Meta, duke u ndalur edhe në problemet që jetimët kanë me arsimimin dhe për pasojë i dorëzoheni ndërprerjes së studimeve edhe për shkak të luftës për të garantuar mbijetesë. Kryetari i Kuvendit u shpreh se jetesa e përditshme është domosdoshmëri, por mbi të gjitha një domosdoshmëri afatgjatë për ju dhe për vendin është dhe arsimi juaj i plotë sepse ai të jep për nesër më shumë mundësi punësimi, dhe të ardhura të mjaftueshme për të përballuar kostot e jetesës.
“Unë do të jem gjithmonë i përkushtuar dhe i vëmendshëm për të përkrahur dhe për të mbështetur çdo nismë pozitive në këtë drejtim me bindjen e thellë se shpreh vullnetin e përbashkët të të gjithë shoqërisë sonë, por edhe aktorëve të tjerë për një aksion të vazhdueshëm dhe të pandërprerë me synim përmirësimin cilësor të jetës së jetimëve dhe integrimin e plotë social të tyre. Të gjithë bashkë, por ju më shumë se kushdo, mund ta përmirësojmë fatin tuaj që shoqëria jonë të bëhet më e mirë, më solidare, më integruese, më gjithëpërfshirëse dhe më evropiane. Dhe qëndrimin ndaj jush dhe standardet tuaja janë një test për të gjithë shoqërinë tonë”, – tha ndër të tjera Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.
Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta 
Të dashur fëmijë, i nderuar Resuli, të nderuar përfaqësues të trupi diplomatik të pranishëm! 
Dua t’ju përshëndes sot të gjithëve sot këtu, përfaqësues të institucioneve dhe komuniteteve, të cilët kanë kontribuar në të gjithë format dhe mënyrat për jetimët e Shqipërisë. Njëkohësisht dua të falënderojë edhe mediat e pranishme, roli i të cilave në drejtim të sensibilizimit të problemeve me të cilat ndeshen jetimët dhe të integrimit të tyre të plotë social në shoqërinë tonë është i pazëvendësueshëm.
Solidariteti njerëzor dhe shoqëror si edhe politikat solidare me fëmijët jetimë janë shtylla të rëndësishme të emancipimit dhe humanizmit të një shoqërie bashkëkohore.
Shteti e ka prioritet përmirësimin e jetës së çdo qytetari dhe të çdo fëmije, por në mënyrë të veçantë të atyre të cilët jashtë vullnetit të tyre, mund të gjenden të vetëm në jetën. Shembujt e mirë nuk kanë munguar dhe në të kaluarën, por ato duhet të shtohen dhe të promovohen, të shërbejnë si nxitje për të bërë shumë më tepër dhe shumë më mirë.
Politikat e shtetit nuk duhet të vijnë asnjëherë si bamirësi dhe as si pjesë e një fushate politike apo dekori të tillë, por si një politikë e vazhdueshme dhe e qëndrueshme, si një zbatim i të drejtave ligjore dhe të drejtave të njeriut dhe mbi të gjitha si pjesë e një filozofie gjithëpërfshirëse.
Situata aktuale dëshmon se jetimët kanë ende mjaft probleme komplekse në sfidat për arsimimin e tyre, në mundësitë për punësim, në kujdesin shëndetësor dhe natyrisht edhe në kushtet e pamjaftueshme për të garantuar një strehë dhe deri te mbrojtja nga çdo lloj diskriminimi.
Ndaj tyre dhe problemeve me të cilat ata përballen duhet të reagojmë të gjithë në vazhdimësi, me vëmendje dhe vendosmëri.
Burimet financiare te shtetit nuk janë ende ato që do të donim për ta ndryshuar më shpejt këtë situatë. Por për punë të mira, shpesh më shumë se nevojë për para, është i domosdoshëm vullneti për veprim dhe bashkëpunim dhe mënyra e duhur për të vepruar me aktorë të ndryshëm, vullnetmirë dhe unë dua t’i falënderojë të gjithë ata aktorë joshtetëror, të cilët kanë dhënë dhe japin një ndihmë të jashtëzakonshme gjatë gjithë këtyre viteve.
Jetimët në Shqipëri, nga më të vegjlit e të rinjtë që jetojnë në streha publike e private, e deri te më të rriturit, vazhdojnë të kenë një problem të madh strehimin. Besoj se për këtë çështje duhet që organet e qeverisë vendore të vazhdojnë të angazhohen edhe më shumë për t’i trajtuar me prioritet në politikat dhe vendimmarrjet e tyre për strehimin në banesat sociale.
Jetimët vazhdojnë të kenë probleme të rëndësishme me punësimin. Është e vërtetë që Shqipëria është ende një vend i varfër, por duhet të punojmë për një model të ri ekonomik të mbështetur në fuqizimin e ekonomisë prodhuese vendase dhe investimet e huaja. Për këtë gjithnjë e më tepër po i kthejmë sytë nga ata sektor më vitalp, që rrisin punësimin edhe me investime të pakta, por të efektshme.
Më shumë punë dhe mundësi për punësim për jetimët dhe gjithë shoqërinë në thelb do të thotë një shoqëri më e mirë, një shoqëri më e drejtë, një shoqëri më e sigurt, dhe mbi të gjitha një shoqëri më e gëzuar dhe një shoqëri më e dashur për të gjithë.
Shumë nga ju kanë probleme me arsimimin dhe për pasojë i dorëzoheni ndërprerjes së studimeve edhe për shkak të luftës për të garantuar mbijetesë. 
Jetesa e përditshme është domosdoshmëri, por mbi të gjitha një domosdoshmëri afatgjatë për ju dhe për vendin është dhe arsimi juaj i plotë sepse ai të jep për nesër më shumë mundësi punësimi, dhe të ardhura të mjaftueshme për të përballuar kostot e jetesës.
Një tjetër çështje e rëndësishme për të cilën gjykoj se duhet ndërhyrë, dhe përmes ndryshimeve ligjore dhe në bazë të nevojës dhe kërkesës dhe jo thjesht të aftësisë për të paguar, është ajo e kujdesit shëndetësor.
Një vend dhe një rol të rëndësishëm, në përpjekjet për përmirësimin e situatës sociale të jetimëve në Shqipëri ka shoqëria civile, dhe natyrisht edhe donatorët e huaj.
Ndaj dua edhe një herë t’i falënderoj përzemërsisht dhe t’u shpreh mirënjohjen të gjithë donatorëve dhe të gjithë përfaqësuesve të palodhur të shoqërisë civile, të cilët japin gjithçka për të përmirësuar kushtet dhe jetën e jetimëve të Shqipërisë, dhe padyshim jam i bindur se me një vëmendje më të madhe, edhe të politikës, edhe të institucioneve, edhe të publikut edhe të medias ne do të arrijmë që të kemi shumë më tepër sukses në të ardhmen.
Unë do të jem gjithmonë i përkushtuar dhe i vëmendshëm për të përkrahur dhe për të mbështetur çdo nismë pozitive në këtë drejtim me bindjen e thellë se shpreh vullnetin e përbashkët të të gjithë shoqërisë sonë, por edhe aktorëve të tjerë për një aksion të vazhdueshëm dhe të pandërprerë me synim përmirësimin cilësor të jetës së jetimëve dhe integrimin e plotë social të tyre.
Të gjithë bashkë, por ju më shumë se kushdo, mund ta përmirësojmë fatin tuaj që shoqëria jonë të bëhet më e mirë, më solidare, më integruese, më gjithëpërfshirëse dhe më evropiane. Dhe qëndrimin ndaj jush dhe standardet tuaja janë një test për të gjithë shoqërinë tonë.
Ju falënderoj dhe dua t’ju garantoj që do të bashkëpunojë në mënyrë të pandërprerë me Shoqatën Kombëtare të Jetimëve, këtu dhe në të gjithë vendin.
Sigal