Meta me Prokurorin kroat Cvitan ‘Mund të marrim eksperiencë nga ju’

416
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta priti sot Prokurorin e Përgjithshëm të Kroacisë, z. Dinko Cvitan me të cilin biseduan rreth reformave në fushën e drejtësisë dhe luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta i uroi mirëseardhjen z. Dinko Cvitan dhe delegacionit që e shoqëron në Tiranë dhe theksoi se reforma në fushën e drejtësisë është një prioritet për Shqipërinë.
Z. Ilir Meta tha se Shqipëria mund të marrë eksperiencë nga Kroacia për reformimin e sistemit të drejtësisë. 
“Jemi në të njëjtin rajon dhe mund të marrim eksperiencë nga Kroacia. Reforma në sistemin e drejtësisë është një prioritet për vendin tonë. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është prioriteti ynë në radhë të parë dhe në kuadër të procesit të integrimit evropian”, – theksoi z. Ilir Meta.
Gjithashtu, z. Meta shprehu mbështetjen për forcimin e shtetit ligjor dhe të institucionit të Prokurorisë.
“Eksperienca kroate në procesin e integrimit në Bashkimin Europian duhet të shërbejë si një rrugë suksesi për ne. Mbështesim forcimin e shtetit ligjor dhe institucionin e Prokurorisë”, – tha më tej, z. Ilir Meta.
Prokurori i Përgjithshëm të Kroacisë, z. Dinko Cvitan shprehu gatishmërinë e Kroacisë për të kontribuar me eksperiencën dhe ekspertët e saj për të ndihmuar në forcimin e shtetit ligjor dhe në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Jemi të gatshëm të kontribuojmë me eksperiencën dhe ekspertët tanë më të mirë në forcimin e shtetit ligjor dhe në rrugën tuaj drejt BE-së”, – nënvizoi z. Dinko Cvitan. 
Sigal