Meta me Junker: Negociatat për Shqipërinë të hapen brenda këtij 6-mujori, të hiqen vizat për Kosovën

544
Meta me Junker: Negociatat të hapen brenda këtij 6-mujori
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti dje delegacionin e lartë të Komisionit Evropian, të kryesuar nga Presidenti i Komisionit, Jean-Claude Juncker, me pjesëmarrjen e Komisionerit për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn. Presidenti Meta vlerësoi si shumë të rëndësishme dhe inkurajuese këtë vizitë për Shqipërinë. Presidenti i Republikës evidentoi faktin se të gjitha forcat politike parlamentare ndajnë të njëjtin synim madhor për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE, dhe bashkohen në dëshirën për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit. Kreu i Shtetit shpreson se falë përpjekjeve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, vendet anëtare do të binden për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë gjatë Presidencës Bullgare, gjatë këtij 6-mujori. Duke theksuar rëndësinë që ka zbatimi i reformave në 5 prioritetet kyçe, Presidenti Meta vlerësoi se rezultatet janë ato që do të rrisin besueshmërinë si te qytetarët shqiptarë ashtu edhe tek vendet anëtare të BE-së. Duke u ndalur te zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Presidenti Meta inkurajoi heqjen sa më parë të regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, me besimin se Marrëveshja për Demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi do të përmbyllet së shpejti me sukses. Presidenti Meta ndau të njëjtën bindje mbi rëndësinë që ka forcimi i rolit stabilizues të Shqipërisë në rajon. Presidenti i Republikës siguroi se mbetet konsekuent në rolin e tij konstruktiv dhe të dobishëm për përparimin e marrëdhënieve dypalëshe me të gjitha vendet e rajonit, duke nënvizuar rëndësinë që ka frenimi dhe dekurajimi i politikave populiste në dëm të proceseve integruese dhe atyre të paqes në Ballkanin Perëndimor. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, mbylli dje një vizitë dyditore në Tiranë, në kuadër të turit të tij ballkanik, që përfshin kryeqytetet kryesore të vendeve të rajonit.
Sigal