Meta: Më 18 prill seancë për vetingun, sot afati për emrat

470
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, përmes një letre dërguar kryetarëve të grupeve parlamentare, njoftoi se me datën 18 prill, Parlamenti do të zhvillojë seancë e jashtëzakonshme. Po ashtu, duke sjellë në vëmendje faktin se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka bërë përzgjedhjen e kandidatëve për komisionet e vetingut, Meta u ka bërë thirrje partive politike që të paraqesin kandidatët e tyre brenda 13 prillit. Në rendin e ditës së seancës do të jetë miratimi i projektvendimit te Kuvendit “Për krijimin dhe përbërjen e Komisionit ‘ad hoc’ me 12 anëtarë, të përzgjedhjes së kandidatëve për institucionet e rivlerësimit, si dhe miratimi i projektvendimit të Kuvendit “Për krijimin dhe përbërjen e Komisionit ‘ad hoc’ me 6 anëtarë, të përzgjedhjes së kandidatëve për institucionet e rivlerësimit. Këto komisione përbëhen respektivisht nga: a) 12 anëtarë, gjashtë të propozuar nga grupet parlamentare të shumicës dhe gjashtë nga grupet parlamentare të pakicës; b) 6 anëtarë, tre të propozuar nga grupet parlamentare të shumicës dhe tre nga grupet parlamentare të pakicës.

Në bazë të ligjit, një deputet mund të jetë anëtar vetëm në njërin nga komisionet “ad hoc” të përzgjedhjes. Anëtarët e komisionit “ad hoc” të verifikimit të kandidatëve nuk kanë pengesë për të qenë edhe anëtarë në një nga komisionet “ad hoc” të përzgjedhjes.

Kuvendi ka miratuar dje në një seancë të jashtëzakonshme, tre nga emrat e komisionit “ad hoc” për komisionin e vetingut. Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja nga PS dhe Luan Rama nga LSI janë emrat e parë të votuar nga Kuvendi, ndërsa Shpëtim Idrizi i PDIU mbeti jashtë komisionit për shkak të mungesës së mbështetjes nga deputetët e Partisë Socialiste. Pavarësisht këtij votimi në Kuvend, komisioni “ad hoc” nuk mund të jetë funksional, pasi mungojnë tre emrat e opozitës, e cila ka bojkotuar Kuvendin prej muajit shkurt.

Nga Avokati i Popullit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë marrë vlerësim pozitiv për t’u zgjedhur në organet e vetingut 67 kandidatë, ndërsa do t’u takojë komisioneve parlamentare që të hartojnë një listë përfundimtare dhe ta dërgojnë për miratim në seancën plenare. Ngritja e strukturave të vetingut është edhe kusht për ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, të parashikuara në Kushtetutë dhe në paketën përkatëse të ligjeve. 
Sigal