Meta mbledh Këshillin Drejtues Kombëtar: Krah NATO-s e BE në luftë kundër terrorizmit

438
Në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kreu i kësaj force, njëherësh kryeparlamentari Meta shprehu solidarizim me popullin e Francës pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit, ndërsa e cilësoi terrorizmin një kërcënim për mbarë njerëzimin.
Meta tha se Shqipëria do vazhdojë të jetë krah vendeve të NATO-s e BE në luftë kundër terrorizmit. Nga ana tjetër shtoi se Shqipëria është krenare për harmoninë fetare.
“Pas ngjarjeve të Parisit shprehim vendosmërinë më të madhe. Jemi krenarë për faktin se Shqipëria ka qenë në vijën e parë të luftës kundër terrorizmit para 11 shtatorit të vitit 2001 dhe vazhdon të jetë në vijën e parë edhe tani, terrorizmi cilësohet si kërcënim edhe për vendin tonë. Por, jemi krenarë për harmoninë fetare ku Shqipëria shkëlqen, do ta zhvillojmë dhe mbrojmë akoma me më shumë pasion se edhe vetë islami predikon paqen dhe harmoninë. Si veni i NATO-s ne do koordinojmë të gjitha përpjekjet tona ku me vendet e NATO-s dhe BE dhe me gjithë ata që kontribuojnë në luftën kundër terrorizmit”.
Kreu i LSI u ndal sërish tek nisma e kësaj partie për të bërë publike mënyrën e financimit dhe shpenzimet për çdo aktivitet, të cilat do të publikohen në faqen online.
“Grupi parlamentar dhe ekspertë e të gjitha fushave do të jenë të angazhuar në mënyrë aktive dhe krijuese, duke respektuar objektivat makroekonomike të këtij buxheti.
Kryesia e LSI ka miratuar një platformë për transparencën. Jo vetëm të financimit të partisë por në një kuptim më të gjerë. Ne besojmë se sistemi politik në vend e ka detyrim të domosdoshëm transparencën e plotë të mënyrës sesi funksionon. Në mënyrë që qytetarët të jenë të bindur se kjo nuk është një mënyrë e dyshimtë. Nuk mund të bëhet politikë e pastër me forma të dyshimta financimi.
Jemi të hapur për të bashkëpunuar me organizatat e shoqërisë civile që kanë në fokus transparencën dhe punojnë për të arritur këtë.
Edhe buxheti për vitin e ardhshëm është bërë tashmë publik në faqen online të LSI. Ky është një detyrim që duhet ta kishim bërë prej kohësh, edhe ndaj jush, edhe ndaj anëtarëve e simpatizantëve të LSI, që duhet ta dinë sesi shpenzohen fondet që ka në dispozicion kjo parti.
Duke filluar prej disa ditësh, çdo aktivitet i LSI do të jetë transparent, dhe brenda dy ditëve nga zhvillimi i aktivitetit do të bëhen publike shpenzimet për aktivitetit. Në ato aktivitete ku do marrë kryetari i LSI, do të bëhen publike më përpara. Ne e duam shumë transparencën”, tha Meta.
Duke u ndalur tek procesi i dekriminalizimit, Meta tha se LSI ka shprehur një qëndrim të qartë lidhur me këtë proces. Meta tha se nuk do të ketë tolerime për çdo anëtar të kësaj force politike që abuzon me detyrën.
“Edhe sa i takon procesit të dekriminalizmit ne kemi shprehur qëndrim të qartë. E kemi për detyre të ngremë standardet e përfaqësimit publik. Për këdo që abuzon me pozicionin zyrtar nuk do të ketë tolerime. Askush nuk do të gëzojë mbrojtjen më të vogël, dhe do të meritojë përbuzjen tonë më të madhe”, u shpreh kreu i LSI.
Sigal