Meta: Mbështetje të plotë për realizimin sa më shpejt të marrëveshjes së demarkacionit midis Kosovës dhe Malit të Zi

73
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta priti sot Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta priti sot Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe diskutuan mbi intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar. Meta theksoi gjatë takimit, se avancimi i Kosovës në drejtim të shtimit të njohjeve ndërkombëtare, të forcimit demokratik institucional dhe të avancimit në axhendën e sigurt euro-atlantike – është një qëllim i përbashkët i yni. Kryetari Meta shtoi se, “Shqipëria, dhe në veçanti Kuvendi i Shqipërisë do të jenë gjithnjë përkrah Kosovës në këto procese të rëndësishme që i shërbejnë mbi të gjitha cilësisë së jetesës të të gjithë qytetarëve të Kosovës”. Ishte një kënaqësi e veçantë që vetëm pak ditë, pas ditës historike për Kosovën dhe të gjithë Shqiptarët, të 17 shkurtit, të kemi sot këtu në Tiranë për një vizitë zyrtare, Kryetarin e Parlamentit të Kosovës, z. Kadri Veseli, së bashku dhe me kolegët e mi Nënkryetaren e Kuvendit, znj. Valentina Leskaj, Nënkryetarin e Kuvendit, z. Shpëtim Idrizi, Kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, z. Gramoz Ruçi dhe Nënkryetaren e Grupit Parlamentar të LSI-së, znj. Kejdi Mehmetaj të diskutojmë për nivelin e ri të marrëdhënieve midis dy Kuvendeve tona, që gëzojnë një shkëmbim të jashtëzakonshëm në të gjitha nivelet. Me këtë rast dua të theksoj mbështetjen tonë të plotë dhe të pa ekuivok për realizimin sa më shpejtë të marrëveshjes së demarkacionit midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi. Kjo është jetike dhe vendimtare, jo vetëm për të përfituar liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe për t’i dhënë fund një lloj stanjacioni dhe për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit evropian të Kosovës, ashtu sikurse do të ishte edhe një kontribut tjetër për të përfunduar me sukses anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli 
Faleminderit shumë Kryetar Meta! Në fakt kjo është vizita ime e dytë zyrtare në Republikën e Shqipërisë. Kam ardhur pikërisht 3 ditë pas përvjetorit të nëntë të Pavarësisë të shtetit tonë të pavarur dhe sovran. Kam ardhur pikërisht për të shprehur falënderimet për institucionet e Republikës së Shqipërisë, duke filluar nga organi më i lartë i shtetit shqiptar, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, do të vazhdoj takimet me Presidentin e Republikës, me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, por edhe me kryetarin e Opozitës, por edhe me kolegë të tjerë liderë të partive politike në Shqipëri. 

Ju përmendët objektiva që i përkasin objektivave afatshkurtër ose afat mesme. Supozojmë se është vazhdimi i reformës në drejtësi në Shqipëri si edhe çështja e demarkacionit në Kosovë, por mungon konsensusi ndërmjet palëve. Cilat janë arsyet e mungesës së konsensusit? Si mund të tejkalohet kjo problematikë?

Ilir Meta: Për rastin e Kosovës nuk mund të flas unë. Unë mund të them këtë gjë, që ne mbështesim fuqimisht integrimin evropian të Kosovës. Kjo sepse kemi për detyrë dhe ky është interesi i yni edhe si Shqipëri, por mendoj edhe si komb, ky është interesi i të gjithë shqiptarëve kudo ku janë. Kemi edhe një argument tjetër, nuk është aspak thelbësor. Ne pa Kosovën nuk do të kishim shkuar kurrë në Evropianin e Francës. Kështu që është edhe një detyrim tjetër.

Kadri Veseli: Historia e lirisë dhe e shtetbërjes së Kosovës, ju të gjithë e dini, është një histori që ndërlidhet me parnerët tanë ndërkombëtarë. Roli i jashtëzakonshëm i SHBA-ve në lirinë tonë dhe krijimin e shtetit dhe partnerëve tanë perëndimorë nga Bashkimi Evropian, ka qenë shumë domethënës dhe është edhe sot domethënës në rrugëtimin tonë drejt integrimeve euroatlantike. 

Nuk e di a e kemi diskutuar me z. Veseli edhe për protestën e opozitës, e cila ndodhet shumë afër me zyrën tuaj. A keni ju koment edhe, në qoftë se nuk keni diskutuar me z. Veseli për protestën e opozitës, për kauzën që ajo ngre dhe a keni edhe një përgjigje për ftesën e z. Berisha për t’iu bashkuar dhe për të formuar një qeveri teknike së bashku dhe për të shkuar në zgjedhje?

Ilir Meta: Nuk dëshiroj të devijoj përmbajtjen e kësaj konference për çështje të mirëfillta të brendshme. Aq më tepër të përfshij unë, por besoj edhe ju, Kryetarin e Kuvendit të Kosovës në këto çështje tonat. 

Megjithatë, unë mund të them që çdo protestë paqësore, demokratike, qytetare, është për t’u respektuar dhe çdo kërkesë që kërkon garantimin e standardeve më të larta të zgjedhjeve brenda të gjitha mundësive praktike që ekzistojnë, është një kërkesë që meriton vlerësim edhe dialog, larg ultimatumeve.

Z. Meta për të qenë më konkret. Ju keni folur për bllokimin e punës të komisionit reformës zgjedhore. Cilat janë hapat tuaja konkrete si Kryetar i Kuvendit ta zhbllokoni këtë proces? Dhe pyetja e dytë, për dy javë Avokati i Popullit do të sjellë në tryezën tuaj emrat për Komisionin e Vetting-ut, të cilat duhet të votohen me konsensus mes opozitës dhe pozitës. Opozita është matanë dritares suaj. Si do ta arrini ju që të merrni kompromisin?

Ilir Meta: Opozita nuk është matanë dritares, opozita është këtu, sepse ky është parlamenti i të gjithëve dhe në radhë të parë i opozitës. Kështu që mos u shqetësoni për këtë çështje. Do të kemi kohë në ditët që vijnë. Kjo nuk është konferenca e fundit për shtyp.