Meta: Mbështesim zbardhjen e këtij akti kriminal. Nuk dëmtohet stabiliteti ekonomik

492
Sigal

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka shprehur mbështetjen në zbardhjen e vjedhjes së thesarit të bankës, ndërsa thotë se kjo ngjarje aspak e këndshme nuk do të cënojë rolin e Bankës së Shqipërisë për stabilitetin ekonomik në vend. “Jemi njohur me një zhvillim aspak të këndshëm sikurse ka qenë ngjarja kriminale në Bankën e Shqipërisë. Nuk duhet të harrojmë se kjo ngjarje është idenfikuar dhe denoncuar në Prokurori nga vetë institucionet e bankës. Do të ketë mbështetjen tonë të plotë për të zbardhur këtë akt kriminal dhe për të ndëshkuar autorët. Kjo ngjarje nuk e cënon rolin e Bankës së Shqipërisë për stabilitetin ekonomik në vend”, u shpreh Meta. Deklarata e kryeparlamentarit u bë gjatë prezantimit të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi.  Kreu i Kuvendit Ilir Meta i bën sërish apel opozitës që t’i bashkohet punimeve të Parlamentit pasi ditën e nesërme pritet të miratohen një sërë projektligjesh të rëndësishme. Duke vënë theksin në rëndësinë e gjithëpërfshirjes, Meta tha se opozita nuk duhet të vetëpërjashtohet nga procese të tilla të rëndësishme siç është një prej tyre miratimi i ndarjes së re administrative-territoriale. “Për të gjitha aktet që janë në rendin e ditës për nesër është kryer një proces i gjatë konsultimi me të gjithë aktorët që kanë dashur të përfshihen. Gjithëpërfshirja vazhdon të mbetet parim i rëndësishëm dhe i domosdoshëm por është e rëndësishme që askush të mos vetëpërjashtohet nga procese të tilla të rëndësishme dhe shpresojmë që edhe opozita të marrë pjesë dhe të kontribuojë pavarësisht se këto ftesa kanë qenë të vazhduara”, tha Meta. Duke u ndalur tek reforma territoriale, kreu i Kuvendit tha se janë realizuar konsultime të vazhduara lidhur me ketë reformë, ndërsa theksoi se pakënaqësi do të ketë në çdo rast. “Komisioni i reformës administrative territoriale ka treguar mjaft fleksibiliteti. U propozuan 5 variante të ndryshme. Është zhvilluar një proces i gjatë konsultimi. Mirë do ishte që opozita të kishte marrë pjesë në këtë proces. duhet të kuptojmë se gjithmonë do të ketë pakënaqësi sa i takon ndarjes së re administrative. Ka gjithmonë vend për kritika, por çdo përmirësim që mund të ndodhë deri në fund është i mirëpritur, dhe po kështu është i mirëpritur çdo kontribut i opozitës”, theksoi kreu i Kuvendit, Ilir Meta