Meta: Marrëdhëniet Gjermani – Shqipëri, solide dhe me perspektivë të shkëlqyer‏

58

Intervistë e Kryetarit të Kuvendit në Deutsche Welle për rëndësinë e vizitës së tij në Gjermani

 Mbarëvajtja e zgjedhjeve, lufta kundër korrupsionit, avancimi i procesit të integrimit evropian të vendit dhe kontributi i Tiranës në stabilitetin e rajonit, ishin në fokus të takimeve të Kryetarit të Kuvendit. Në kuadër të vizitës së tij treditore në Gjermani, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u takua fillimisht me Norbert Lammert, President i Bundestagut Lammert, duke vlerësuar mbarëvajtjen demokratike te zgjedhjeve të përgjithshme të 23 Qershorit, shprehu bindjen se, Shqipëria e ka vendin në Europë dhe për këtë nevojitet një perspektivë e qartë për vendin. Më pas, Meta u prit nga zv/Presidenti i Bundestagut,  Johannes Singhammer, i cili bëri një vlerësim të veçantë të politikës rajonale të Shqipërisë, duke vlerësuar kontributin e veçantë të Tiranës në forcimin e stabilitetit të rajonit. Meta zhvilloi një takim edhe me deputetin kristiandemokrat, njëkohësisht njohës i Shqipërisë, Roderich Kieseëetter me të cilin biseduan mbi ecurinë e reformave në Shqipëri dhe mbi avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit dhe rajonit. Gjatë qëndrimit të tij në Berlin, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u prit ndër të tjera edhe në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë nga Sekretarja e Shtetit, Emily Haber. Sekretarja e Shtetit u shpreh se pas zgjedhjeve të lira e demokratike, Shqipëria i ka shtuar përpjekjet e saj në adresimin e prioriteteve të Komisionit, por vuri theksin, sidomos në rritjen e zbatueshmërisë së ligjeve.

Pas këtyre takimeve, Ilir Meta u pyet nga Deutsche Welle fillimisht mbi rëndësinë e kësaj vizite në Berlin, stacioni i parë i turit të tij diplomatik si Kryetar Parlamenti

Ilir Meta: Ishte kënaqësi për mua të zhvilloja këtë vizitë pune në Berlin, ku pata kënaqësinë të pritesha nga presidenti i sapo rizgjedhur i Bundestagut, zoti Lammert, por njëkohësisht edhe nga shumë personalitete të tjera të Bundestagut, të diplomacisë gjermane dhe jam i bindur se kjo vizitë tregon shkallën mjaft solide të marrëdhënies deri tani të dy vendeve, jo vetëm në drejtim të atyre marrëdhënieve tradicionale të Bundestagut me Kuvendin e Shqipërisë, por është njëkohësisht një tregues i vullnetit tonë për të forcuar akoma më tej marrëdhëniet me Gjermaninë në të gjitha nivelet dhe ku shkëmbimet parlamentare luajnë një rol të veçantë. Ne mbështetemi fuqimisht te Gjermania, për të përmbushur edhe aspiratën tonë për integrimin europian, pasi dihet roli dhe pesha jashtëzakonisht e rëndësishme që ky vend ka në të gjithë historinë e deri tanishme , por edhe për të ardhmen e BE-së.

Deutsche Welle: Ju patët shumë takime zoti Meta, por si u vlerësuan zhvillimet e fundit në Shqipëri nga politikanët gjermanë? Çfarë presin ata nga qeveria dhe politika zyrtare e Tiranës?

Ilir Meta: Në të gjitha takimet u vlerësua me mjaft konsiderata, respekt dhe pozitivitet mbarëvajtja e zgjedhjeve të 23 Qershorit në Shqipëri, tranzicioni tepër demokratik dhe konstruktiv i pushtetit, njëkohësisht funksionimi i plotë dhe demokratik i Kuvendit të Shqipërisë, u theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit politik, u vlerësua fakti që integrimi europian në Shqipëri, mbështetet nga të gjitha forcat kryesore politike, ashtu sikurse dhe u vlerësuan dhe u njohën përpjekjet energjike të qeverisë dhe gjithë institucioneve në këto muajt e fundit, për të adresuar me forcë prioritetet shumë të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, me luftën kundër korrupsionit. Në këtë drejtim, Gjermania është gjithmonë e gatshme për të dhënë mbështetjen e saj të vazhdueshme.

Deutsche Welle: Po për rolin e Shqipërisë në rajon u diskutua në këto takime, zoti Meta?

Ilir Meta: Mund të them me bindje të plotë se në të gjitha takimet vlerësohet efekti i veçantë, stabilizues dhe politika konstruktive e Shqipërisë në rajon, inkurajohet që të ecet në këtë mënyrë, pasi kjo është rruga që e bën rajonin më të sigurt, e afron atë më shpejt me BE-në dhe natyrisht sjell një perspektivë më të mirë për të gjithë qytetarët e rajonit pavarësisht përkatësive etnike, por jo vetëm kaq. E gjitha krijon një mjedis rajonal më atraktiv për investimet e huaja dhe zhvillimin ekonomik.

Deutsche Welle: Duke pasur parasysh zgjedhjen e partnerëve strategjikë dhe kryesorë të politikës qeverisëse të Tiranës, Gjermania sa afër Shqipërisë është zoti Meta? Ku ndodhet ajo sot pas gati tre dekadash bashkëpunim mes dy vendeve?

Ilir Meta: Dihet se roli i Gjermanisë ka qenë vendimtar për krijimin e Evropës dhe mbetet i tillë akoma dhe më shumë edhe për të ardhmen e saj që do të thotë dhe për përmbushjen e aspiratës tonë për t‘u anëtarësuar në Bashkimin Europian ashtu sikur se dihet se Gjermania ka qenë donatori kryesor në kuadër të Bashkimit Europian për Shqipërinë gjatë këtyre dy dekadave dhe vazhdon të ndihmojë me projekte të jashtëzakonshme në shumë fusha të rëndësishme si në infrastrukturë, në energji, në ujësjellës, në fushën e drejtësisë. Por absolutisht përparësia që marrin marrëdhëniet me Gjermaninë në kuadër edhe të zhvillimit më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm të vendit tonë, të rajonit tonë dhe të anëtarësimit tonë në BE kanë të bëjnë edhe angazhimin e politikës tonë për të forcuar institucionet tona, për të konkretizuar marrëdhëniet me Gjermaninë në të gjitha drejtimet.  Së afërmi shënohet 30 vjetori i vizitës së parë të politikanit të shquar të Gjermanisë Franz Josef Shtraus në Shqipëri, kur ai i shtriu dorën e miqësisë dhe bashkëpunimit vendit tone. Kjo ishte një vizitë e cila nuk u arrit të kuptohej dhe të investohej në mënyrën më të mirë për të ardhmen e Shqipërisë, sepse do të kishte qenë ndryshe në rast se do të kishte patur një vizion tjetër Shqipëria e asaj kohe. Sot, pas një eksperience të shkëlqyer marrëdhëniesh me Gjermaninë, ne kemi jo vetëm një bazë solide të këtyre marrëdhënieve, por edhe një perspektivë të shkëlqyer, të cilën jam i bindur që do ta vendosim në të mirë, jo vetëm të Shqipërisë, të rajonit tonë, por edhe Europës së Bashkuar.