Meta: Luftë pa kompromis ndaj krimit

94
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti në takim Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Anëtarësimit, Johanes Hahn. Presidenti Meta mirëpriti zhvillimin e konferencës “Ditët e Medias” BE-Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë, duke iu bashkuar mesazhit të Komisionerit Hahn, se liria e shprehjes është një vlerë themelore dhe nxitëse e fuqishme e transformimit demokratik. Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria e konsideron anëtarësimin në BE një projekt kombëtar strategjik, që meriton të gjithë angazhimin institucional dhe qytetar për plotësimin e 5 prioriteteve, zbatimi i të cilave do të sjellë çeljen e negociatave të anëtarësimit. Presidenti Meta vlerësoi se lufta e pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe zbatimi i reformës në drejtësi duhet të njohin hapa të shpejtë e cilësorë përpara, jo vetëm në funksion të vendimit për çeljen e negociatave të anëtarësimit por edhe në një plan afatgjatë për forcimin e sundimit të ligjit në vend. Duke vlerësuar investimin e madh të BE dhe SHBA në reformën në drejtësi, Presidenti Meta vuri në dukje rëndësinë jetike që ka zbatimi i qenësishëm i saj. Ai kërkoi vëmendjen e posaçme të ekspertëve të EURALIUS që asistojnë në këtë proces, për interpretimin e saktë të legjislacionit në interes të krijimit sa më të shpejtë e të besueshëm të institucioneve të reja të drejtësisë.