Meta: LSI është një forcë politike me këmbë në tokë, partia për rininë

551
Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim në Bërzhitë me banorë të pesë njësive administrative të Tiranës
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta njëkohësisht President i zgjedhur, vazhdon të jetë pjesë e takimeve elektorale të partisë të cilën e ka drejtuar që nga viti 2004. Pjesëmarrja e tij në të gjitha takimet ka qëllim përshëndetjen e mbështetësve dhe përkrahjen e të rinjve në këtë garë elektorale, ku kjo forcë ka hyrë e vetme, me synimin për të qenë e para. Gjatë ditës së djeshme, LSI ka zhvilluar takime në disa fshatra të kryeqytetit. Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim në Bërzhitë me banorë të njësive administrative të Kërrabës, Bërzhitës, Petrelës, Baldushkut dhe Farkës.Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, njëkohësisht kandidat për deputet i LSI-së në qarkun e Tiranës, Endrit Braimllari. Ndërkohë që simpatizantë të shumtë iu bashkuan këtyre takimeve të zhvilluar në disa fshatra. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta mori fjalën e i pari. Ai vlerësoi rolin e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, duke e cilësuar atë si një forcë politike që kujdeset për problemet më jetike të qytetarëve shqiptarë si edhe një mbështetëse e fortë e rinisë.

“Unë besoj se këtu bën një dallim të fortë LSI. Është një forcë politike me këmbë në tokë dhe që kujdeset për problemet më jetike të qytetarëve shqiptar. Dhe natyrisht është partia e rinisë”, – u shpreh Meta. Meta është shprehur disa herë se nuk do të jetë pjesë e kësaj fushate me qëllim bërjen publike të programit të LSI-së, por thjeshtë për të falënderuar gjithë mbështetësit e tij që e kanë shoqëruar në rrugëtimin e gjatë në krye të partisë. Më pas fjalën në aktivitetet e fushatës e mori Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, njëkohësisht kandidat për deputet në qarkun e Tiranës, Endrit Braimllari. Ky i fundit u shpreh se Lëvizja Socialiste për Integrim ka një program të qartë për të qeverisur vendin ku bazohet në një arsim të drejtë për të rinjtë si edhe për krijimin e vendeve të reja të punës të mirëpaguara. “Ne kemi një plan konkret. Nëse ne e orientojmë arsimin drejt vendeve të punës që kërkon tregu, kemi ulur numrin e papunësisë së të rinjve, po do të zhvillojmë edhe ekonominë e vendit. Ne do të investojmë maksimalisht në arsimin profesional. Arsimi profesional me arsimin e përgjithshëm, të marrë një raport 50 me 50% . Ky vend ka nevojë që të sigurojë vende pune për të rinj e të reja”,- u shpreh Braimllari, duke shtuar se Lëvizja Socialiste për Integrim do të dalë forcë falë angazhimit maksimal që ka ndaj të rinjve dhe të rejave. “LSI do jetë forcë e parë falë angazhimit maksimal të këtyre të rinjve dhe të rejave. LSI është forcë e parë falë besimit që kanë shqiptarët te serioziteti që LSI ka si forcë politike”, – u shpreh Sekretari i Përgjithshëm.
Sigal