Meta: Kuvendi, vendi i dialogut mes partive. Koenders: Zbatoni reformën në drejtësi

514
Kreu i Kuvendit Ilir Meta, ka pritur sot në një takim ministrin e Jashtëm të Vendeve të Ulëta, Bert Koenders. Situata politike në Shqipëri dhe bashkëpunimi mes dy vendeve kanë qenë temat në fokus të takimit.
Teksa vlerësoi mbështetjen e Holandës për integrimin e Shqipërisë në BE, Meta u ndal tek reformat kyçe që po realizon vendi ynë.

Meta tha se reforma në drejtësi mbetet kryefjala e angazhimit politik të LSI, duke u shprehur se zbatimi cilësor i kësaj reforme është me rëndësi edhe në kuadër të integrimit.

Duke u ndalur tek ngërçi politik në vend, Meta tha se Kuvendi mbetet vendi i dialogut mes partive.

“Holanda përfaqëson një vend domethënës për Shqipërinë brenda BE. Kuvendi i Shqipërisë mirëpret intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare, bashkëpunimit qeveritar dhe ekonomik mes dy vendeve tona. Shpreh mirënjohjen për mbështetjen holandeze. Integrimi Evropian kërkon zbatim cilësor të reformave. Dhe reforma në drejtësi mbetet kryefjala e angazhimit tonë politik. Kuvendi mbetet vendi i dialogut politik dhe i besimit reciprok mes partive”, tha Meta.

Sakaq, ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders është shprehur se BE inkurajon zbatimin e plotë të reformës në drejtësi.

“Dëshirojmë një klimë mirëbesimi dhe kompromisi për organizmin e zgjedhjeve të lira e të ndershme”, u shpreh ministri i Jashtëm holandez.

Gjatë takimit, Meta dhe Koenders biseduan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon. Ata theksuan se stabiliteti, konsolidimi demokratik dhe integrimi evropian i vendeve të Ballkanit i shërben sigurisë mbarë-evropiane dhe axhendës euro-atlantike të tërë rajonit.
Sigal